
Haig Zacharian u lind në Durrës më 8 maj 1952 në një familje me origjinë armene. Ai filloi të mësoje piano dhe teorinë e muzikës në shkollën fillore të qytetit të tij të lindjes. Nga 1969-73 ai ndoqi studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (sot Universiteti i Arteve) në klasën e kompozicionit me Prof.Tonin Harapi.
Pas diplomimit ka punuar si drejtues artistik i ansambleve amatore në H/C Fierzë, Tropojë (1973-1977). Ai u kthye në Durrës në vitin 1977, ku vazhdoi punën me ansamblet amatore në pallatin ” Rinia” të qytetit. Pas kësaj, nga 1980-86 ai u emërua mësues i lëndëve teorike në Shkollën e Muzikës “Jan Kukuzeli” të Durrësit. Ndërmjet 1986 dhe 1992 Zacharian punoi si kompozitor në krijimtari të lirë.
Në vitin 1993 ai u emërua shef i Katedrës së Teorisë dhe Kompozicionit në Akademinë e Arteve Tiranë (sot,U.A) ku tani është As.Professor i Harmonisë dhe Kompozicionit. Që nga viti 1998-2009, ka qenë edhe President i Shoqatës Shqiptare të mbrojtjes së të drejtave të kompozitorëve dhe autorëve, ALBAUTOR.
Haig Zacharian në 44 vite të krijimtarisë së tij artistike ka krijuar vepra të shumta në gjini të ndryshme të muzikës (vepra e tij janë luajtur në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të jetës muzikore shqiptare si dhe jashtë:Kosove, Maqedoni, Zvicër, Itali, Austri, Spanje). Ka kompozuar gjithashtu këngë për fëmijë, korale, muzikë filmash dhe aranzhuar shumë pjesë të muzikës klasike dhe romantike për ansamble të ndryshme.
Stili i muzikës së tij është i dallueshëm, me ngjyra të holla dhe me një sens të komunikimit të drejtpërdrejtë. Është vlerësuar me çmime të shumta për krijimtarinë dhe aktivitetet e tij muzikore. Pas viteve 1990 krijimtaria e tij përveç filmave është kryesisht në gjinitë e muzikës së dhomës ku duken qarte tendenca të përdorimit dhe eksperimentimit në teknikat bashkëkohore të krijimtarisë muzikore. Mban titullin “Profesor”.

KRIJIMTARIA:
Muzikë dhome:
Variacione për piano, 1972; Prelud për piano, nga baleti Legjenda e Lules Honine, 1990; Kryqi dhe era, trio për violinë, çelo dhe piano, 1994; Këngë e vjetër, për violinë dhe piano, 1995; Vizion për kuintet harqesh dhe piano, 1996; Vizion 2 për kuintet harqesh, 2007; Solo, per violë, 1998; Fjalët e qiririt, për piano 1997; Kadenca, për violinë solo, 2000; Solo Flute Piece, 2001; Lojë për 3, oboe, klarinetë, fagot. 2008; Kadenca, për violinë solo,2009; Quasi CAPRICCIO, për fagot dhe orkestër harqesh 2009; 2nd Dance – flaut solo 2011; Lëmi – piano solo 2015.

Vepra vokale:
Suitë për kor akapelë, 1974; Kantate për kor dhe orkestër, 1983; Kohën që jetojmë, për zë dhe piano, 1987; Rekuiem për orën 6, për zë dhe piano, 1994; Mësimi i këngës, për zë dhe piano, 1990; Përtej, për zë dhe piano, kanto-piano, 1995; Vonesa, për zë dhe piano, 1996; Nuk mësohem dot me ndarjen, për zë dhe piano, 1997; Lojë a jo lojë, duo për zë dhe violë, 1999; Kaloje urën, për zë dhe pano, 1999; Të kërkova me qiri, për zë dhe piano, 2000; Çupë njomëzake, për zë dhe piano, 2002; Mik që më je larg, për zë dhe piano 2002; Kalon Dashuria, për zë dhe piano 2015; Eja Mik, për zë dhe piano 2016.

Vepra instrumentale dhe simfonike:
Rondo për violinë dhe orkestër,1973; Poemë simfonike,1974; Skicë simfonike, 1978; Poemë për violinë dhe orkestër,1984; Uverturë – fantazi,1987; Paysage – për orkestër 1988; Prelud – për orkestër nga “Legjenda e lules Honinë”, 1995 nga baleti me një akt.
Muzikë skenike teatrale:
Legjenda e lules Honinë; Qëndresa; Fjalët e qiririt; Hamlet machine; Gruaja në dritare; Revizori; Tre ditë Mbret.

Muzika e filmave:
1976 – Ilegalët; 1978 – Dollia e dasmës sime; 1978 – E fshehta e një nate; 1978 – Yjet mbi Drin; 1979 – Dorina; 1979 – Përtej mureve të gurta; 1980 – Nje ndodhi ne port; 1981 – Një natë pa dritë; 1982 – Shokët; 1982 – Vëllezër dhe shokë; 1982 – Njeriu i mirë; 1983 – Dora e ngrohtë; 1983 – Kohë e largët; 1984 – I paharruari; 1984 – Taulanti kërkon një motër; 1985 – Pranverë e hidhur; 1985 – Të mos heshtësh; 1986 – Tre ditë nga një jetë; 1987 – Familja ime; 1987 – Në emër të lirisë; 1987 – Vrasje në gjueti; 1989 – Djali Elastik; 1988 – Flutura në kabinën time; 1990 – Kronikë e një nate; 1990 – Vetmi; 1993 – Këtu bën ftohtë; 1996 – Nata; 2010 – Maya.