Nga Mevlan Shanaj
Eshtë e madhe përgjegjësia kur njerëz të famshëm publikisht vendos t’i sjellësh në ekran në dimensionin e tyre që të bëhen model. Kështu ndodhi edhe me mua para se të vendosja të sillja në ekran regjisoren Xhanfise Keko, një nga njerëzit që kanë krijuar panteonin jo vetëm të filmit, por dhe të dimensionit të madh të shoqërisë.
U mendova gjatë, gjatë… sepse, maja në të cilën ndodhet Xhanfise Keko, është shumë e lartë. Para së gjithash më duhej të gjeja çelësin. Dhe u lumturova shumë kur e gjeta. Në film është vetë Xhanfise Keko që tregon rrugën e krijimit. Ndërkohë, për mua, nuk ishte e lehtë të arrija të qëmtoja e të organizoja një mendësi të tillë dhe ta mbushja, me ata jo që duartrokasin por që analizojnë (këtu janë dhjetë studiues dhe kineastë të shquar nga vende të ndryshme të botës të cilët gjykojnë profesionalisht regjisoren dhe e çojnë atë në lartësinë që asnjë shqiptar nuk e ka çuar. Një madje, e krahason edhe me Fransua Trufo).
Jam i sigurt se, ashtu si deri më sot, kjo regjisore do të mbetet sygjestionuese në prezantimet e saj dhe subjekt i analizave e gjykimeve të studiuesve dhe kritikëve të filmit, brenda e jashtë Shqipërisë. Sa për mua, mund të them se, Xhanfise Keko nuk ka bërë filma për fëmijë. Ajo ka bërë një shikim vertikal të shoqërisë. Filmat e saj na adresohen ne që të njohim dhe të mësojmë se kush janë fëmijët, të cilët i duam po nuk jemi kurrë aq të vëmendshëm dhe aq të ditur sa të kuptojmë se çfarë perceptojnë dhe çfarë arsyetojnë ata. Dhe, Xhanfise Keko këtë e ka bërë shkëlqyeshëm. Ndërkohë, me mesazhet që na përcjell, emri i saj vazhdon t’a mbajë hapur perden e madhe në koshiencën tonë duke na porositur “Dëgjoini fëmijët se ata nuk janë ashtu si i shikoni ju”, dhe të na tregojë “çdo të thotë të krijosh familje, çdo të thotë të rritësh fëmijë”.
Tani që gjithshka ka përfundur dhe e rishoh filmin për kënaqësi (filmi është si puna e verës që sa më shumë të dekantojë më e shijshme bëhet), bindem gjithnjë e më shumë se, tre vjet që u mora bashkë me skenaristen Natasha Lako për realizimin e tij, “Madona e filmit shqiptar” siç më pëlqen ta quaj unë, e meritonte vëmendjen tonë.