Roli i Harpagonit nga komedia Kopraci e autorit të famshëm francez Molier, është ai që e ngriti në majat e artit skenik. Nuk është me origjinë nga Korça, por nga Senica e Delvinës ku ka lindur në vitin disi të largët 1927. Tani që ka kaluar të 90 vitet, ndonëse shtatvogël ka një kujtesë dhe energji të admirueshme. Ky personazh është Koço Qëndro, ai që mori duartrokitje ngado me interpretimin e rolit të Harpagonit.
Në një rrëfim të tij për portalin Korça Report, ai kujton fjalët e Ambasadores framceze pas interpretimit të Harpagonit. “Nuk e paska ditur Molieri që Harpagonin e tij e paska në Korçë”. Themelues i trupës së estradës së Korçës në vitet 1960-të, Koço Qëndro i përket brezit të parë të aktorëve. Më herët, në vitin 1952 interpretoi në pjesën e Shekspirit “Nata e 12″ me regji nga i njohuri Sokrat Mio. Por, do të ishte një regjisor ” i ashpër” dhe skrupuloz si Pirro Mani ai që do ti jepte krahë fluturimit artistik të Qëndros. “Roli i Harpagonit ka grafikë të llahtarisur nga ulërimat tek shakaja” tregon aktori. Kur intrpretoi sefte ju duk sikur ndodhej në fushën e Korçës dhe lart në Moravë ndodhej Molieri me Harpagonin që e gjykonin.
Kujton se provat i ndoqi edhe regjisori Sokrat Mio. “Të lumtë, paske djersitur shumë. Ky rol do djersë” i shprehu kështu vlerësimin Koço Qëndros. Madhështor në këtë rol me 350 shfaqje, nga të cilat një pjesë u ndoqën me autorizim, shëtiti me sukses Harpagonin në shumë qytete të Shqipërisë. Thyheshin dyert e teatrit kur intrpretohej kjo komedi e Molierit me protagonist Koço Qëndron si kopraci Harpagon. Në festivalin e Stambollit me 27 trupa nga e gjithë bota mori vlerësim të madh nga juria. ” Unë kam bëtë Akademinë e skenës korçare përkrah të shquarve që i kushtuan talentin dhe jetën e tyre skenës” thotë Koço Qëndro. Roli sipas tij nuk hidhet si pelerinë, por realizohet duke hyrë në lëkurën dhe shpirtin e personazhit.
Për të interpretuar me mjeshtëri të madhe rolin e kopracit Harpagon, ai studioi tipa kopracësh dhe detaje të sjelljes së tyre i solli në skenë. Koço Qëndro ka marë vlerësime të shumta për interpretimin e roleve të tij. Me kryerolin e Harpagonit, aktivitetit të tij si aktor i shtohen edhe rolet e Shefedinit në filmin “Përballimi” Tosuni në filmin “I teti më bronx” Aleks Xinxa në filmin “Vendimi” ai i Leks Lilit në filmin “Agimet e stinës së madhe” etj. Koço Qëndro ështē i apasionuar edhe pas krijimtarisë letrare, me një varg veprash që mbajnë firmën e tij. Së fundi ai ka botuar librin historik “Artistët e skenës korçare ” që flet për kontributin 100 vjeçar të grave korçare në skenë. “Për mua Korça ku kalova jetën aktive, krijova familje, rrita e martova fëmijë, mbetet qyteti i zemrës që nuk e ndëroj me asnjë në botë” pohon Koço Qëndro. Vazhdon të jetë aktiv duke hyrë në dhjetvjeçarin e një shekulli jetë, ky aktor shtatvogël që e bëri roli i Harpagonit të madh.