Nga Skifter Këlliçi
Alfons Gurashi, Agron Çobani… U larguan nga jeta pak vite më parë. Dy nga figurat më të njohura të mikrofonit të Radio Tiranës. Të dy të një moshe, të dy vazhdimisht shokë, në një shkollë, në një klasë. Të dy gjithnjë bashkë. Së bashku më ta edhe Kiço Fotiadhi, që u nda para disa ditësh nga jeta. Miq të mi nga Tirana më dhanë me hidhërim këtë lajm.
Siç njoftonin mediat elektronike pas një sëmundje të gjatë. Për herë të fundit e pata takuar Kiçon në Tiranë më 2004. Nuk ishim parë nga viti 1993. Atëherë më patën thanë se ishte larguar emigrant për në Greqi. U habita. Kiçoja emigrant? Po përse, ai, një nga folësit më në zë të mikrofonit, pas Haki Belerit, dhe, pa dyshim, deri atëherë ndër më mirët edhe para kamerave televizive?
Më thanë se e kishin larguar nga emisionet e lajmeve televizive, sepse kishte përcjellë në to fjalimet e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë… Po për këtë arsye një vit më parë ishte larguar nga këto emisione edhe Afons Gurashi…E çuditshme!… Folësi i madh sovjetik Levitan, që lexonte fjalimet e Stalinit, padyshim edhe sot më i miri në historinë e folësve të Radio Moskës, edhe pas vdekjes së Stalinit, vazhdoi të lexonte rregullisht fjalime të Hrushovit, Brezhnjevit dhe udhëheqësve të tjerë sovjetikë.
Ai bëri detyrën e tij. Ishte folës. Lexoi ato materiale që i dhanë drejtuesit e Radio Moskës. Nuk mund të bënte ndryshe…Ja, kështu për herë të dytë dhe të fundit Kicco Fotiadhi u largua nga mikrofoni dhe kamera… Them për herë të dytë, sepse për herë të parë e larguan më 1975. Nuk u mor vesh mirë se përse, por, siç dukej për ca… njolla në biografi. Kaloi kështu Kiçoja nja dy vite të mira punëtor bujqësie në një fshat të Tiranës, pastaj diku në një ndërmarrje në kryeqytet, deri sa ata nga…lart e kthyen përsëri folës në RTVSH.
Ashtu qenë kohët atëherë. Por ç’mund të bënte Kiçoja në Greqi? Ca përpjekje për të krijuar një emision të shqipes pranë Radio Athinës?…“U bënë përçapje atëherë.- me tha ai gjatë bisedës në një kafene te rruga e Elbasanit, – por më kot”. Ndaj, pas vitesh mërgimi, u detyrua të kthehej në atdhe. Akoma i gatshëm për të vazhduar dashurinë me mikrofonin dhe kameran televizive.
“Trokita në dyert e disa televizioneve dhe radiove,-vazhdoi si,- por nuk më pritën mirë”. Më habitën fjalët e tij. Dhe m’u kujtua se po kështu kishte ndodhur edhe me Alfons Gurashin, kur kishte dalë në pension nga mikrofoni i Radio Tiranës dhe nuk ishte… pëlqyer në një kanal televiziv me rendësi. “Edhe ti po të afrohesh tani në një televizion të tillë, mund të pësosh të njëjtin fat,- vazhdoi Kiçoja, – edhe pse je një nga nismëtarët e parë të emisioneve sportive në historinë e Radios dhe pastaj të TVSH-së…”
Buzëqesha pas fjalëve të tij, sepse këtë përvojë pata, kur pasi disa vjetësh u riktheva në TVSH. Që atëherë dhe deri sa u largova për në SHBA, m’u gjet një gazetar, i cili në moshën 23 vjeç, pa shkelur asnjëherë në stadium, çuditërisht u bë… telekomentator!? Bash ky gazetar sportiv, që mbeti i ftohtë dhe pa pasion për këtë profesionin të vështirë që ushtroi për vite e vite, kështu më priti, kur u riktheva pra në mikrofonin dhe kamerën sportive duke vuajtur gjithnjë nga disa komplekse inferioriteti. Biseduam gjatë me Kiccon.
I kujtova njohjen tonë të parë, në fillim të vitit 1960. Atëherë ai kryente shërbimin ushtarak pranë Estradës së Ushtarit. Dhe me rroba të tilla zuri të fliste në emisione radiofonike dhe emisione eksperimentore televizive. Pastaj kujtuam vitet tij të studimeve në Institutin e Lartë të Artit Dramatik. Pastaj pas mbarimit të tij dilemën të jetë aktor apo folës dhe pas një dileme zgjedhjen përfundimisht prej tij të mikrofonit dhe pastaj kamerës televizive.
Po, mund të ishte bërë Kiçoja aktor? Për mendimin tim, po. Madje shumë i mirë. U binda për këtë, kur më 1972 grupi teatror i RTVSH-së nën regjinë e Mevlan Shanajt vuri në skenë dramën “Hijet e natws” të Vedat Kokonës, që u shfaq në Teatrin Popullor dhe me të cilën ky grup fitoi çmimin e parë në Festivali e grupeve amatore të Tiranës.
Një shfaqje dinjitoze ku luajtën bukur Reshat Arbana, Vera Zheji, Albert Minga, Stoli Beli… Edhe Kiçoja… Nuk u linin gjë mangët aktorëve profesionistë. Reshati kaloi pastaj aktor në Teatrin Popullor dhe u bë aktor i madh. Alberti regjisor televiziv me emër. Edhe Mevlani ishte aktor dhe më pas u bë regjisor i njohur.
Kiçoja ndoqi kështu rrugën e Vera Zhejit që edhe ajo, duke luajtur në disa filma dhe pjesë teatrore, dëshmoi se do të behej aktore e tillë. Por dhe ajo i qëndroi besnike mikrofonit të Radios, për të kaluar më pas pedagoge e të folurit skenik në Akademinë e Arteve.
Sidoqoftë, dhuntitë e tij aktoreske, Kiço Fotiadhi i tregoi në ciklin e reportazheve “Udhëtim nëpër Shqipëri”, ku pati rolin e drejtuesit me mikrofon.
Aty u zbulua se ai do të kishte qenë edhe telekronist në ato nivele qe patën arritur Alfons Gurashi dhe Timo Luto,i cili në vitet 80-të kaloi nga Radioja në TVSH. Megjithatë, pas kësaj përvoje si telereportazhist Kiçoja u kthye përsëri në studio, përsëri me emisionet e lajmeve dhe me leximet e dokumentarëve televizivë. Me një zë të ngrohtë, por edhe të mbushur, me nuanca të veçanta, ku shquheshin prirjet për t’i kumtuar radiodëgjuesit dhe teleshikuesit një tekst vërtet që e lexonte,por me tingëllim të veçantë.
Gjatë bisedës Kiccoja u interesua të dinte për librin tim “Historia e Radiotelevizionit (1938-1990), që kishte dëgjuar se ishte botuar vite më parë. I shpjegova se ishte e natyrshme që edhe atij i kisha kushtuar në libër ato që meritonte. Sepse edhe në relacionet e Drejtorisë së Përgjithshme të RTVSH-së, para vitit 1990 emri tij jo rrallë përmendej me respekt. Dhe krahas dhe pas tij edhe emra të tjerë folësish të njohur-Feride Konomi, Meropi Xhai, Elsa Xhai, Viron Noti, Tefta Radi. Në pamundësi ta takoja përsëri, i lashë një kopje në Bibliotekën Kombëtare.
Një ditë para se të nisesha për në Boston, më telefonoi dhe më falënderoi për vlerësimet që kisha bërë në libër për të. Dhe ato vlerësime do të mbeten përjetësisht, ndonëse, siç thashë më lart, më 1992 politika e atëhershme, që vazhdonte traditat e trashëguara nga periudha komuniste, e largoi nga kamera televizive. Ndaj nuk e dëgjuam më prej vitesh zërin e Kiços, tërheqës edhe në paraqitje,edhe kur zuri të përdorte syze gjatë leximit në mikrofon. Sidoqoftë, nuk na shlyhet nga mendja zëri dhe fytyra e tij …Edhe tani që nuk mbetet midis nesh.