Këngëtarja e njohur shqiptare, Nexhmije Pagarusha do te festonte sot 87 vjetorin e lindjes.
Nexhmije Pagarusha ndër vite ka treguar se ishte një artiste e kompletuar, këngëtare e mrekullueshme, por edhe aktore e dalluar filmi.
Ajo u lind më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës. Ka ndjekur shkollën e muzikës në Beograd, për të filluar karrierën si këngëtare në “Radio Prishtina” në vitin 1948 e për të vazhduar për 40 vjet të pushtojë botën e muzikës.
Pavarësisht se këngëtarja nuk ishte e përcaktuar se cilin zhanër të muzikës e kultivonte, këngët e saj u dëgjuan me ëndje çdoherë dhe nga të gjitha moshat. “Baresha” është njëra ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj.
Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit etj. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Mendohet se gjatë karrierës ajo ka interpretuar mbi 150 këngë.
Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Izrael etj. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.
Pas 16 vjetësh larg skenës, ajo u paraqit në vitin 2000 me këngën “Për ty” në një emision të udhëhequr nga Ardit Gjebrea, i cili e bindi të bëjë këtë.
Në Kosovë Nexhmije Pagarusha është shpallur “Këngëtarja e Shekullit”, kurse në vitin 2012 presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, e ka dekoruar me titullin “Nderi i Kombit”.
Në tetor të vitit 2018 Qeveria e Kosovës ia dha Pagarushës statusin e qytetares me merita te veçanta për kontributin e saj në promovimin e muzikës së mirëfilltë shqipe, duke përfshirë edhe mbështetjen financiare të saj siç është përcaktuar në propozim-vendimin në vlerë prej 500 eurosh në muaj.
Është përmendur edhe një iniciativë për ndërtimin e kompleksit “Baresha” në fshatin e lindjes së këngëtares, në Pagarushë të Malishevës, si nderim për karrierën e saj muzikore. Ndahet nga jeta ne 7 shkurt 2020.