Karnavalet e Korçës, në një optikë universalizuese

0

 

 

 

NGA JOSIF PAPAGJONI

Komedia “Karnavalet e Korçës” e Spiro Çomorës provoi një nga sukseset më të bujshme në historinë e Teatrit Komedia “Karnavalet e Korçës” e Spiro Çomorës provoi një nga sukseset më të bujshme në historinë e Teatrit Popullor me vënien në skenë nga Pandi Stillo, më 23 janar të vitit 1964. U dha 285 herë me 88.685 spektatorë, një nga frekuentimet më të mëdha të shënuara nëpër vite.

Për nga tipologjia është komedi karakteresh, por edhe me praninë e një situate të zhdërvjellët e tejet të besueshme: hallin që e ka zënë familjen e kamur Jorganxhi (Nikollaqi dhe Olimbia) për të martuar të bijën e mbetur lëneshë, Afrovitin. Fijet e komedisë lëvizin më tutje, shkojnë dhe pleksen me meset tipike sociale qytetëse, me mikroborgjezinë tradicionale e të prapambetur, të denja për provincën e viteve ’30 në Shqipëri, sikundër me dukurinë e mburrjes dhe budallallëkut të njerëzve të provincës.

Doemos, shpotia e komediografit prek e leqendis njëkohësisht edhe shtetin e korruptuar në periudhën e mbretërimit të Zogut I, po aq bënte një prerje “klasore” në kundërvënien mes të kamurve dhe të varfërve, e shtrirë kjo në të shumtën e herës në hullitë dhe rrafshin moral (si kontrast midis së mirës dhe së keqes, fisnikes dhe banales, së diturës dhe së paditurës).

Sidoqoftë, situata komike e përpjekjeve për t’i gjetur një burrë Afrovitit, në komedi shërben veçse si ngasje; kryesorja mbeten karakteret, tejet të besueshëm, në mënyrë të veçantë çifti Jorganxhi, që aty e ndez dhe aty e shuan sherrnajën mes njëri-tjetrit, të afërmve dhe më tutje, të bujturve.

“Karnavalet e Korçës” ka pasur një tjetër vënie në skenë, po në Teatrin Kombëtar, kësaj here nga regjisori Dhimitër Pecani, ku u dallua në rolin e Afrovitit aktorja e re, Olta Daku. Dhe ja, pas kaq kohësh, vepra rivjen në një optikë regjisoriale “ndryshe” nga Altin Basha në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Paçka se hiri komik i klasikes, që vetë komedia e ka brenda strukturës së saj, në stil dhe në “shpirt”, gjithsesi ajo vjen te ne me një tjetër kostum teatror, më të kohës dhe me një prerje stilistike disi “ndryshe” nga ashti i saj i njëhershëm, ku tashmë provohen ca më shumë elemente të groteskut, burleskës, sidomos komponentja tejet aktive dhe joshëse e muzikës “live”.

 

Muzika e shndërron shfaqjen pikërisht si në një ditë karnavalesh me maska, kostume, hare, këngë, mandolinata, kore, prova. Kjo ishte, sipas meje, e veçanta që solli Altini në konceptimin e veprës, sikundër dhe ai vesk i hirshëm dhe elegant, që i rrinte sipër tekstit dhe formës skenike të parapëlqyer.

Të vendosur në një shkallare të lëvizshme, ne shohim në krye të herës grupin e aktorëve-këngëtarë që këndojnë një serenatë korçare të asaj kohe. Por jo dosido. Një serenatë plot pikëllim të fshehtë e ëmbëlsi, ku këndon e lëngon një shpirt njerëzor, e trajtuar me shumë kujdes dhe profesionalizëm dhe një hop ti harron se ata atje janë aktorë, jo solistë të mirëfilltë.

Veçse kënga vjen aq e bukur, aq e ëmbël dhe aq e trishtë, sa menjëherë vendoset edhe “akordi” i komunikimit me publikun, çka e bën atë të heshtë dhe të kuptojë se përsosja që jep arti është prore imponuese. Pikërisht ky trajtim muzikal prej profesionistësh i këngëve të bukura korale korçare, i shtrirë si element i kudogjendshëm dhe organizues i spektaklit në disa skena, gjer tek epilogu, ashtu si majaja dhe vesku formal i saj, i ka dhënë shenjën e njëmendët origjinale idesë regjisoriale dhe vetë shfaqjes në tërësi.

Nuk më ka rënë rasti të shoh nga regjisorë të tjerë një kurim të tillë kaq të bukur dhe elegant të partit muzikor “live”, çka sipas meje do të thotë se komponentja muzikore mund të shndërrohet në spikamë reale artistike, kur asaj i shërbehet me përkushtim e profesionalizëm.

 

Leximi regjisorial i Bashës është sa befasues, aq dhe hapërim në udhët e një tradite të konsoliduar në teatrin shqiptar: projektimit, ngritjes dhe rindërtimit të një opusi karakteresh të mëvetësishme, çka përbëjnë thelbin e vetë komedisë dhe shenjën parake stilistike të Çomorës. Duke e njohur klishenë letrare të realizmit socialist, regjisori ka mundur ta bëjë të “padukshme” atë.

Pra, e ka anashkaluar faktin e një ngarkese politike të njëanshme e tendencioze të konfliktit, ku është theksuar enkas “kalbësia dhe anakronia e mentalitetit”, shtresa kinse e “bjerrur” e tregtarëve të pasur, administrata e “dhunshme dhe e korruptuar e shtetit”, injoranca, boshësia. Të gjitha këto këqyren jo nga frëngjitë ideologjike të kohës, duke i paragjykuar ata (familjen e Nikollaqit etj.) si “pjesa e keqe”, apo si “indi i molepsur” i shoqërisë dhe pengesë për progresin.

Një koncept i tillë, i cili shoqëronte natyrisht idetë kryesore të veprës, në versionin e Bashës tëharret dhe ndërron kah. Tanimë, Nikollaqi dhe sëra e tij nuk janë pushtetarët apo borgjezët, por njerëzit e asaj kohe, madje të të gjitha kohëve, edhe të kohës sonë.

Dhe ky është operacioni më i suksesshëm që ai ka bërë jo drejtpërdrejt në filologjinë e tekstit, por në mundësitë interpretuese të tij, në qasjen artistike teatrore. Frymëmarrja realiste dhe vërtetësia që ndihej në shfaqje, posaçërisht në njëmendësimin e personazheve dhe marrëdhënieve midis tyre është në një kuptim “lezeti”, hijeshia dhe bukuria e saj. Por edhe e vetë komedisë.

 

Nuk dua ta filloj nga rëndësia e roleve në komedi si personazhe letrarë, por nga njëmendësimi i tyre aktorial. Mendoj se nga rolet më të qëlluar, e një graviteti komik që anon nga sarkazma dhe ngjyrimet burleske, ishte ai i Afrovitit prej aktores Edona Reshitaj. Këtu nuk është vajza-lëneshë, thuajse e shëmtuar, që s’ia hedh syrin askush, as budallaqja e shtëpisë, por ndryshe.

Aktorja është, madje, e bukur, plot hijeshi në skenë dhe vegimi regjisorial, tok me atë aktorial, e kanë parë Afrovitin si vajzën e përkëdhelur, ziliqare, hakmarrëse, të egër, gjer dhe si “kambana e parë” e shtëpisë, që i ka kthyer prindërit e vet, si Nikollaqin, ashtu dhe sidomos Olimbinë, në dy marioneta a instrumente që plotësojnë tekat dhe kapriçiot e saj. Kjo qasje më është dukur interesante dhe e ka rritur gravitetin ideor të shfaqjes.

Por do të mendoja që, pa u tërhequr nga shijet e publikut dhe e qeshura e tij, aktorja ta ruante edhe më mirë, gjer në fund të shfaqjes, formatin e saj interpretativ, pasi diku përtej mesit të lojës së saj vërehen nota, gjeste e tepri komike, që mund të shmangeshin fare lehtë, për ta mbajtur Afrovitin në caqet e atij koncepti, i cili na jepet qysh në fillim. Olimbia e Ilire Vincës është e mbushur me energji, ritëm, si dhe një komicitet pa tepri, përkundrazi i vetëpërmbajtur, ani pse nga pikëpamja zanore aktorja nuk arrin ta mbushë gjer në fund temperamentin e saj.

Nga më interesantët ishte roli i Ernest Malazogut, një intelektual i kohës. Regjia gjen një kyç dekodues që aktori e ka shfrytëzuar me një natyrshmëri shembullore: gjendjen prej të dehuri dhe, për rrjedhojë, pohimin e disa të vërtetave të hidhura, të cilat, ashtu vetvetiu, të thëna si pa të keq, nuk na vijnë në formë retorike (si në tekstin e Çomorës), por të përligjura më së miri bash nga kjo gjendje. Rrjedhimisht, ato janë edhe më realiste e më të besueshme me efektin ideor që ligjërimi i tij bart e shpreh në shfaqje, si “artikuluesi” i akuzës së kalbjes së regjimit dhe frymës anakronike të familjes Jorganxhi.

Figura e prefektit Vehip erdhi prej Adem Karagës. Ndonëse imazhi që kam ende në tru nga loja e mrekullueshme e Gjon Karmës është shumë i fortë, thuajse i pashlyeshëm, ky aktor (Karaga) konkurroi denjësisht me këtë imazh, sepse ndërtoi diçka “tjetër”, edhe pse në po të njëjtat hulli letrare të komedisë. Jo thjesht kostumi i kuq, që të kujtonte zyrtarët turkoshakë, por ajo sjellje e natyrshme e njeriut vetëbesues në autoritetin që ka, sikundër qasja dinake prej hajduti të regjur e të korruptuar të shtetit, gjer edhe lakmia ndaj femrave të shpenguara, e bëjnë Vehipin të pëlqyeshëm gjer në fund.

E një tjetër spikame stilistike në interpretim është zonja Luçia e May Linda Kosumoviç. Tanimë na shfaqet një grua gjithë ritëm e temperament, mburrja, snobizmi dhe budallallëku i së cilës, si kinse emisare e qytetërimit, përtallet përmes formave të hapura e groteske, por ama pa ekzagjerime. Sepse loja, në vetvete, është e tretur bukur mirë brenda psikofizikës së aktores, nuk “bërtiste”, as “shtirej”, por “flinte” paqësisht aty si qenësi e saj. Figurë e këndshme ishte edhe ajo e Lonit nga aktori Besart Sllamniku. Më ka mbetur në mendje ai gjestikulim prej dirigjenti i korit, ajo 1,2,3,4, estata, me duart dhe gishtat pas, si dhe kërcimi i bukur, qesharak, pas çdo intervali muzikor.

 

Dhe duke qenë se jemi në ditë karnavalesh, teksa edhe vetë personazhet kthehen në karnavale, Altin Basha ia ka mëshuar kësaj ane për të rritur gradacionin e humorit, përmes trajtimit të lojës së disa karaktereve komike, sidomos Aspasinë. Kjo e fundit interpretohet nga një aktor mashkull, Ylber Bardhi.

Gjasa të tilla janë të njohura në teatër për të manipuluar në voli të humorit ndërrimin e gjinive të personazheve, çka në vetvete nënkupton dhe e bart të papriturën komike nga vetë kundërshtia e gjinisë (mashkulli që bëhet femër), gjë e cila reflektohet te pangjashmëria zanore, ajo fizike, e gjestit, te pamja, të sjellurit etj.

Ky aktor, i njohur për talentin e tij në prerjet groteske, krijoi boll situata komike. Njeriu qesh pa të keq me të, por teksa mendon pak më tutje, unë jam i mendjes se regjia mund ta zgjidhte rolin e Aspasisë me një aktore femër, të pajisur po aq me dhunti komike, pa provuar “eksperimentin”, që tashmë është diçka e njohur dhe e stërnjohur në teatër.

E them këtë se “më vjen keq” për komedinë si dhe vetë personazhin, bukuria e të cilit është aty, e gjallë, e freskët, vetanake, e patjetërsueshme dhe nuk ka nevojë për “ndihmë” që të rritet temperatura e të qeshurave.

 

Doemos, ata që e kanë parë shfaqjen, do të më pyesin: Po Nikollaqi i Luan Jahës? Ky aktor i sprovuar i skenës dhe i ekranit shqiptar e kishte mbajtur rolin në pjesën serioze e me pak gjetje komike. Por mendoj se nuk është nga rolet e tij më të arrira, ca më shumë, ndoshta gaboj, është edhe zgjedhja e pavend e vetë regjisorit.

Hamendësoj se Basha e ka bërë këtë për t’ia ruajtur drejtpeshimin klasik dhe realist komedisë, stilin e saj, pasi sakaq, të tjerët rreth Nikollaqit, pak a shumë, janë më “haharitës”, më gazmorë dhe me elementë të lehtë të humorit, gjer dhe groteskut. Gjithsesi, jemi në komedi.

Dhe komedia kërkon humor, shkrepje gazi të vetvetishëm, çka nuk vjen dot aq sa ne e njohim këtë tekst, ca më shumë nëse sjell në kujtesë Viktor Gjokën si Nikollaq apo Nikolin Xhojën…

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here