Një bisedë me të birin, Kliti Roshin, në 95-vjetorin e lindjes së artistit të madh të skenës dhe ekranit.
Xhevdet Shehu
Prej tri ditësh në Gjirokastër po mbahet një festival i teatrove. Është padyshim një lajm i mirë në një kohë që për artin mendohet dhe investohet më pak se në çdo kohë tjetër. Kur mora vesh se po zhvillohet një festival i tillë, tepër i rrallë, ajo që më gëzoi më shumë ishte se këtij festivali i kishin vënë emrin e një artisti të madh, të pashoq, Kadri Roshit.
E kam njohur personalisht artistin dhe ruaj kujtimet më të bukura prej tij. Ai ishte një artist i madh jo vetëm në skenë, por edhe në marrëdhëniet shoqërore, në rrugë, në tavolinë në takimet pafundme me njerëz të njohur e të panjohur, dashamirës të artit të madh që ai krijoi dhe udhëton në përjetësi… E quaj veten fatlum që e kam njohur personalisht, që kam qenë bashkëkohës i tij, që e kam parë të luajë në skenë, por edhe të bisedoj me të…
Më gëzoi ky festival që mban emrin e tij në Gjirokastër. Kadriu e kishte për nder që e quanin edhe gjirokastrit, pasi ai krenohej se ishte libohovit. Dhe libohovitët me historinë e tyre dhe të figurave të mëdha kombëtare që kanë dalë nga Libohova, kanë kënaqësinë më të madhe t’i quash me emrin e tyre libohovitë, të cilin e konsiderojnë të mjaftueshëm për të qenë krenarë.
I tillë ishte dhe mbeti Kadri Roshi.
Nuk ka nevojë të bëj këtu biografinë e jetës apo atë artistike të artistit të madh e të papërsëritshëm të skenës shqiptare. Ajo biografi është e njohur nga të gjithë dhe nuk pranon komente të tepërta. Një batutë apo një gjest i Kadriut në skenë dhe filma, flet më shumë se mijëra fjalë që mund të themi ne që e kemi njohur apo adhuruesit e artit të tij.
Në biografinë e tij në Ëikipedia, ndër të tjera shkruhet:
Kadri Roshi lindi më 4 janar 1924 në Ballsh të Mallakastrës, i biri i Maksut dhe Sabrie Roshit, me prejardhje nga Libohova. E ëma i vdiq kur ishte 2 vjeç dhe më pas kur ishte 12 vjeç i vdiq edhe i ati. Përfundoi studimet e larta në Pragë në vitin 1951. Ai e filloi karrierën e tij si aktor në Teatrin Popullor në moshën 21-vjeçare duke qenë një ndër krijuesit e këtij teatri.
Që nga ajo kohë dhe deri sa u nda nga jeta ai numëron rreth 180 role në skenë dhe kinematografi, të cilat përbëjnë një jetë të madhe artistike, ku ndërthuren vështirësitë e një jete prej jetimi, çiraku, portieri kinemaje dhe deri tek aktori origjinal me portretin e njeriut të fisëm. Në krah ka pasur gjatë gjithë kohës aktorët e brezit të tij Drita Pelingu, Violeta Manushi, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Marika Kallamata, etj.
Është një karrierë thuajse e paarritshme nga ndonjë artist tjetër shqiptar.
Por, ajo që më detyroi të shkruaj për këtë artist të madh ishte tjetër gjë. Po të mburresha me emrin e Kadriut si mallakastriot, do të gaboja rëndë. Pavarësisht se ai krenohej që kishte lindur në Mallakastër dhe aty kishte marrë edukatën që e shoqëroi gjithë jetën, Kadri Roshi krijoi një figurë emblematike kombëtare. Gabojnë ata që duan ta përvetësojnë. Kadri Roshi i përket një kombi të tërë.
E pra, le të kthehemi te thelbi i këtij shkrimi.
Takova dje te Kafe-librari Agolli, Kliti Roshin, të birin e Kadriut, të cilin e njoh prej vitesh. Edhe ky artist i njohur. Ishte i trishtuar, madje i mërzitur.
– Pse?, e pyeta.
Përgjigjja që më erdhi përmes syve të përlotur të aktorit ishte befasuese dhe prekëse. Kliti është hazër xhevap dhe ka ngjyrime emocionale si i ati kur bashkëbisedon.
– O miku im, si të mos mërzitem. Bëhet një festival teatrosh në Gjirokastër me emrin e tim eti. Po Kadri Roshi mungon atje. Janë tetë trupa nga Shqipëria dhe trevat shqiptare që marrin pjesë në atë festival. Po Kadri Roshi mungon në atë festival. Nuk e ftuan Kadri Roshin të merrte pjesë dhe t’i falënderonte ata artistë që po mbajnë gjallë me mundim artin skenik…
– Si është e mundur?, i thashë.
– Mos u çudit, por është e vërtetë. Bashkia e Gjirokastrës dhe organizatorët e atij festivali po luajnë me emrin e tim eti. Kadri Roshi nuk ka nevojë për himne. Ai e ka skalitur me veprën e tij portretin e pazëvendësueshëm e të paarritshëm. Sa ishte gjallë ai i mori të gjithë titujt, deri te “Nderi i Kombit. Por ky është 95-vjetori i lindjes së Kadri Roshit dhe shpërfillja në këtë rast është fyerje.
Është dhe abuzim. Sepse ata pushtetarët aktualë vendorë e më tej po e keqpërdorin emrin e Kadri Roshit dhe unë nuk mund t’ua fal këtë. Ç’i kushtonte Bashkisë së Gjirokastrës t’i dërgonte një ftesë familjes së Kadri Roshit? A e dinë ata se Kadriu ka lënë pasardhës? Mund të shkonte ime motër, ose unë dhe të përuleshim para gjirokastriteve dhe artistëve pjesëmarrës.
T’u thoshim një faleminderit në emër të babait… Më doli në ëndërr babai mbrëmë e më tha: “Shko në Gjirokastër e falënderoi në emrin tim përunjësisht…” Por ata nuk më ftuan. Si t’ia bëj? Po deshe më ndihmo dhe ma plotëso këtë amanet të Kadri Roshit tek DITA. Përndryshe do të kërkoj që ati festivali t’i hiqet emri i Kadriut… Kur më fliste për këtë histori, Kliti Roshi ishte gjatë gjithë kohës me sy të përlotur dhe tejet i emocionuar.
– Do ta plotësoj këtë dëshirë, i thashë.
Dhe u ula të bëja këtë shkrim që po e botojmë sot.