Nga Përparim Kabo
Ju nuk e meritoni heshtjen…14 prilli si datë mund të ketë goxha biografi, brenda dhe jashtë vendit…por unë dëshiroj ta lidh me një personalitet të shquar…Me regjizorin e madh të teatrit Pirro Mani që lindi në 14 prill 1932,…Nuk e di nëse nga atdheu të kanë telefonuar mik, nuk e di nëse nga njerëzit e kulturës këtu Ju kanë dërguar urime…unë dua të bëj timen…Fillimisht të them se takimin tonë të fundit para tre vjetësh e kam në zemër.
Ishte buzmuzgu…atje ulur në kopshtin e vogël të atij hoteli në Tiranë…zëri yt i ngrohtë i thellë dhe kumbues më paqtoi duke udhëtuar brenda meje. Ai kishte mbetur si dikur kur luajte Stavri Larën…Sali Protopapën apo Luan Kodrën te “Larg barbarëve të Liri Begesë…Një bisedë me Ju është sa një histori, jo se ju përcillni një akademizëm të tekskajshëm, por se ju dini të tejshkoni mrekullisht një dëshirë të thjeshtë për artin, njeriun, skenën dhe lojën dramatike.
Arti juaj skenik na tronditi në dekada për gjallërinë e skenës, për vizatimin karakterial të personazheve…eh atë që bëtë Ju te Arturo Ui…se bën më kush, së paku për disa dekada… për dialogjet që ndizeshin të zjarrta dhe për mizanskenat që gjallonin duke krijuar atmosferën…!
Ju jeni larg prej vitesh… matanë oqeanit…ne këtu jemi po ata, të braktisurit nga mjeshtrat, sepse dikush apo dikushët dashkërkan ta shëndrojnë këtë vend në “saharanë” e të pavlerëve ..mundësisht të paushqyer me teatër apo me art…Jemi disa i dashur Pirro, jo pak sigurisht jo, që nuk po zhbëhemi…e duam teatrin e ndjekim e përjetojmë dhe përpiqemi për të…së fundi edhe një botim i plotë i Stanislavskit që u botua me kujdesin e Teatrit Eksperimental-Kujtim Spahivogli.
Godinën e Teatrit Kombëtar e kem me hall…është vjetruar ashtu si koha që ikën dhe e bëhet e shkuar…por se duan ta shëmbin dhe mbi “gërmadhat e saja” të ngrenë një të re…Nuk kanë vullnet që ta riparojnë ta mbajnë si është dhe ta bashkëshoqërojnë me një të re në mes të oborrit që do të lidhte dy godinat ekzistuese…Ja që teatri e ka edhe ai historinë e vet dramatike
Mik i shtrenjtë vitin që shkoi na ikën dhe Mihal Luarasi dhe Drita Agolli…Kujtim Spahivogli disa vite më parë…na keni mbetur vetëm ju…Jetë të gjatë i shtrenjti filozofi dramaturgjisë skenike Pirro MANI.
Nëse këtej nga adheu ka zhgënjime për Ju, lutem mos na u mërzit…jemi vend me çudira…Ne të duam…të kemi brenda vetes pa lutje sepse Ju me artin tuaj na ndërtuat…E për ata që se dinë apo që duan të harrojnë po ua them unë se kush jeni…Pirro Mani “ Një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar.
Regjisor dhe pedagog i shkëlqyer, për 25 vjet punoi në Teatrin Kombëtar. Studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Pas kthimit në atdhe u emërua regjisor i Teatrit “A. Z. Çajupi”, Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për rreth tetë vjet. Që nga 1967 – 1992 ka qënë regjisor i Teatrit kombëtar, ku ka vënë me dhjetra pjesë teatrale.
Në karrierën e tij artistike numëron mbi 80 shfaqje. Është nderuar me shumë çmime. Është mjeshtër i regjisë e skenave masive, njohës i thellë i mizanskenës. Shfaqjet kulminante janë “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12 -të”, “Prometeu”, etj. Është angazhuar edhe në disa filma artistikë. Ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”. Prej disa vjetësh jeton në Nju Jork, SHBA, së bashku me të shoqen, aktoren e mirënjohur Pavlina Mani dhe familjen.
Pkabo 16 prill 2018