Ilirian Ali: “Teatri i Vlorës është në ballë të Teatrit Shqiptar”

0

 

 

PERSONAZH/ Flet aktori i Teatrit të Vlorës, Ilirian Ali

“Kanë kaluar shumë vite, pothuajse 41 vjet, por ngjarje të tilla si ai i konkurrimit për në shkollën e aktorëve dhe që kishte të bënte me jetën, me të ardhmen, nuk harrohen, janë të ngulitura thellë në mendjen time.

Unë, kisha kohë që më kishte hyrë krimbi për tu bërë aktor qysh në vitet e para të shkollës së mesme dhe të falënderoj për pyetjen. Dua ti kujtoj me respekt të gjithë ata që më mëkuan me dashurinë për artin e teatrit, qysh nga Piro Sava, Sheri Mita, Tef Pali, Verdi Take, etj”. Më këto fjalë e filluam bisedën me artistin vlonjat Ilirian Ali, i cili ka në skenë më shumë se 40 vjet.

 

Nga Albert Z. Zholi: Kur, si dhe me çfarë pjesësh konkurruat në Akademinë e Arteve?

Ka qenë java e parë e korrikut e vitit 1975, për të ardhur te përgjigja juaj. Isha lajmëruar për t’u paraqitur në konkurs ku morën pjesë gati 140 veta dhe fituan 14.

Ishte një gëzim i madh por edhe një përgjegjësi se ishte opinioni, nëse nuk fitoja do thuhej se kisha ngelur pra e quanin një bursë në atë kohë që mu dha dhe nuk e fitova.

Kjo më bënte me të vërtet që s’më zinte gjumi. Në juri ishin prof. Esat Oktrova, personalitet i kulturës dhe i regjisë së teatrit, Timo Flloko, pedagogu im i nderuar që do ta kisha pedagog kujdestar në të gjithë vitet e shkollës.

Ishte Vangjush Furxhi, Mjeshtër i skenës, Vera Zheji, pedagoge e fjalës artistike dhe të tjerë. Jam paraqitur me monologun e Pilo Shpiragut nga “Lumi i Vdekur” një monolog i mrekullueshëm për të paraqitur vlerat si konditat përpara komisionit.

Me një Poemë të Koçi Petritit “Firma e Popullit tim”, me një fabul të La Fontenit “Miu, Macja dhe Gjeli“ të përshtatur në shqip nga Çajupi dhe një tregim të Shefqet Musarait “Verë e vjetër, në vozë të re… Çfarë të them?!

Sa emocion kam tani që po flas me ju. Kur dola përpara jurisë desh më ra të fikët, por ata kishin eksperiencën e tyre dhe ndërhynë menjëherë për të krijuar atmosferën. Ishte e çuditshme, se sa filloja unë interpretimin, nuk kalonin as çereku i materialit dhe më thoshin mjafton, kalo te tjetri.

Pastaj më dhanë një detyrë. Fillo tregimin nga e para, por duhet të të hanë pleshtat dhe ne nuk duhet të kuptojmë, pra kruaju por ne nuk duhet të kuptojmë.

Ua… si t’ia bëja në të qindtën e sekondës?! Më erdhi ndërmend shkolla e mesme kur doja të kopjoja në provimin e matematikës, ngacmoja shoqen para me rezervë të stilolapsit që të s’postohej nga fleta e saj.

Qysh në marrëdhëniet e para me sa e kuptoja unë, juria me pëlqeu sepse siç duket isha i veçantë në karakterin tim dhe shumë konkret gjë që ma kanë vënë në dukje gjithmonë pedagoget e mi.

 

Cilët pedagogë do të veçoje në Universitetin e Arteve të Bukura?

Unë them se kam qenë me fat. Kam patur pedagogë personalitetet më të ndritura të artit dhe të kulturës shqiptare. Pedagogu im kujdestar Timo Flloko ka vend të veçantë tek unë.

Po veçoj dhe Esat Oktrova, Vangjush Furxhi, Birçe Hasko, Anton Qesari, Sandër Prosi, Lazer Filipi, pedagogia e mrekullueshme që e kishim të veçantë në marrëdhëniet njerëzore dhe profesionale Vera Zheji, ikona e Radio Televizionit shqiptar.

Po jo vetëm kaq, por edhe në lëndët e tjera shoqërore kam pasur figura të letërsisë dhe të kritikës shqiptare si Adriatik Kallulli, Kudret Velça, Beqir Dibra, Faslli Luarasi, etj.

Ruaj kujtimet më të bukura dhe respektin më të madh për ta, sepse në saj të përgatitjes dhe formimit që mora nga ata, e kam pasur më të lehtë jetën dhe punën në profesionin e aktorit. midis shumë kujtimeve të atyre viteve më kujtohet provimi i materializmit dialektik dhe historik që na e jepte prof. Faslliu.

Me thënë të drejtën e kishim edhe frikën se mundet të na vinte ndonjë 4 dhe na linte për në vjeshtë. Unë me atë natyrën time sa mora tezën nuk më kujtohet por e kisha përgatitur çfarë do thosha.

U ula dhe nuk po shkruaja se nuk i dija pyetjet dhe profesori më thotë: ”Ilirian pse nuk shkruan, hajde këtu edhe fol” dhe unë si i mërzitur i them profesor, para se të të përgjigjem po të them se kam parë një ëndërr të çuditshme.

Çfarë ëndrre më thotë? Unë i shpjegoj se më kishte zënë gjumi dhe librin e Materializmit e kisha vënë poshtë jastëkut. Më shfaqet një plak me flokë të gjatë e të bardhë, po ky na ishte Hegeli dhe më thotë: “Ore djalë kush është primare, materia apo ndërgjegjja?. Unë i them materia. Jo më thotë ai, është ndërgjegjja.

Jo i them unë, është materia, në këtë kohë shfaqet një burrë i madh pa flok, ky ishte Fojerbah por me një thikë në dorë dhe më thotë: “po tani kush është primare, materia apo ndërgjegjja? Por unë ngulja këmbë Materia.

Ata u bënë dy dhe po më bënin presion, i tregoja unë prof, Faslliut. Ku e di ti më thonë ata që është materia? Unë i thashë: Ma ka thënë prof. Faslliu. Ai qeshi me lot, dhe unë mora një notë shumë të mirë në provimin e Materializmit dialektik dhe historik.

 

A ke luajtur ndonjë rol gjatë studimeve?

Gjatë shkollës kam luajtur dy rrole shumë të bukura që janë si të thuash puna ime e parë profesionale në ndërtimin e një figurë artistike, si Halil Shkozën nga “Fytyra e Dytë” e Dritëro Agollit me regji Pedagogun Artistin Popullit Sandër Prosin dhe Mjeshtrin e Madh, Artistin Timo Flloko dhe një rrol te “Shtëpia në rrugicë” një komedi që e vuri në skenë Artisti i Popullit Lazer Filipi.

 

Si ishte mësimdhënia në atë sistem, po fenomeni i mitmarrjes a ishte i përhapur?

Mësimdhënia ahere ishte me te vërtet art në tërë kuptimin e fjalës, ora nuk i ngjante orës. Jo vetëm në lëndët profesionale por edhe në lëndët shoqërore. Ne shkonim në orën 7.30 min në shkollë për të bërë të folur skenik gjimnastikën e aparatit të të folurit por në atë orë dhe shumë më përpara në Akademi buçisnin studiot nga vokalicat nga pianot nga të gjithë instrumentet.

Atëherë me të vërtetë, ndoshta është edhe nostalgjia e tyre viteve… Të gjithë pedagogët kishin një barrë e eksperiencë në jetën e tyre profesionale, kishin se ç’tregonin për ta bërë konkrete mësimdhënien, kishin vënë në skenë, kishin luajtur krye rrole, kishin punuar me regjisorë të mëdhenj.

Orët individuale me pedagogun ishin me të vërtetë interesante. Paraqisje materiale, lexoje, diskutoje me pedagogun. Marrëdhëniet me të gjitha disiplinat që zhvilloheshin në shkollë ishin me të vërtetë interesante, për nga vlerat që merrje për nga rezultatet që jepnim. Fjala artistike si provim transmetohej në televizion, po ashtu edhe fragmentet.

Ku flitej atëherë për mitmarrje. Edhe pse shkolla vetë është me tendenca liberale kishte një disiplinë pune të madhe. Kishte mësimdhënie kërkesë llogarie etj. Atje më janë ngulitur në mendje fjalët e pedagogëve të mi: Disiplina artistike duhet të jetë më e madhe se disiplina ushtarake. Pa këtë disiplinë nuk munde të bësh art.

 

Kur e filluat punën me trupën e Vlorës?

Punën e kam filluar më 15 Gusht 1978 në Varietenë e qytetit tim. Një fat përsëri, pasi ajo trup kishte një shtrat të mirë, një fizionomi të formuar artistësh si Gaqi Vish, Leka Kruta, Myqerem dhe Meliha Fera, Qirjako Sava, Jorgaq dhe Afërdita Tushe. Më pritën si s’ka më mirë.

Gradualisht atje kishin filluar të vinin aktorë që kishin mbaruar Institutin e Lartë të Arteve dhe kështu po krijohej një bërthamë e mirë aktorësh, por e veçanta e asaj periudhe ishte alternimi i brezave, harmonizimi midis moshave në interpretim. Ndenja gjashtë muaj aty, në tre premiera dhe kalova në Teatër.

Këtu roli im i parë ishte ai i Moçops tek “Vozabërësi Dako dhe Nipi i Geringut” nga Loni Papa. Para se të futesha unë kisha një eksklamacion një klithmë jashtë skene që e bëja për herë të parë dhe kur unë u shfaqa në skenë publiku shpërtheu në duartrokitje.

 

Si ishte në atë kohë trupa e Vlorës?

Trupa e teatrit të Vlorës kur shkova unë ishte shumë e konsoliduar. Në atë kohë kishin filluar të vinin aktorë të shkolluar, regjisorë që ishin përgatitur në Rusi si Nazmi Bonjaku, po ashtu edhe Piro Sava, por kishte edhe aktorë të afirmuar që kishin krijuar një personalitet artistik si Albert Verria, Agim Shuka, Arqile Nasho, Vasillaq Godo, Resmie Ruci, Jorgaq Tushe, Besnik Aliaj, Afërdita Tushe, etj.

Natyrisht që harmonia midis brezave ka qenë evidente, sepse kishte edhe modesti edhe dëshirë për punë dhe kur ka vlera të tilla nuk ka si të mos jap rezultat. Unë kam një aktivitet gati 38 vjeçar dha pa dyshim që edhe kam shumë role në shumë drama apo komedi që janë luajtur në teatrin e Vlorës, “Pranvera që s’vonoi”, ”Na u rrit çupa” “Mirëmëngjesi Vera”, ”Kur vjen sezoni”, “Midis dy dashurive” “Demaskimi”, ”Familja e Peshkatarit”, ”I harruari”, ”Sos në Hotel”, ”Jubileu”, ”Këmbë cjapi i Athinës”, etj.

Kush nga udhëheqësit lokal të asaj kohe ishin më të interesuar për Teatrin dhe Estradën e Vlorës?

Ç’na kujton tani kohën e Nomenklaturës. Unë kam bindjen time se në atë kohë të gjithë krerët e Partisë si në qendër dhe në rreth ishin shumë të interesuar për teatrin. Vinin madje dhe në prova. Kujdeseshin për ne dhe na qanin hallet. Në atë kohë nuk mund të shfaqej premiera pa dhënë fjalën e fundit Sekretari Parë.

Atë kohë teatri ishte shumë delikat për gjithë levat e partisë, pasi ishte direkt për edukimin e masave. Mbaj mend në një dramë të Agim Shehut “Shpartallimi” u bënë 8 prova të përgjithshme sepse vinte sekretari i Partisë dhe bënte vërejtje të ndryshme përditë. Kishte të bënte me shpartallimin e fraksionit në Vlorë.

Një personazh hero gjatë luftës, kishte ngelur jashtë, nuk e kishin futur në shtëpi në fshat. Sekretari i tha Agimit: ”Po ti ndryshoje skenën se nuk je Gorki. Dhe i madhi Agim menjëherë i tha: “Unë vërtet nuk jam Gorki, por edhe ti nuk je Lenini”!

Gjithsesi, Partia dhe pushteti ishin të përqendruar në teatër, por kishte edhe një gjë: Unë këtë bindje kam, neve na respektonin, na vlerësonin, na prisnin dhe na ndihmonin, për problemet dhe hallet tona, gjë që se gjen gjëkundi tani.

 

Mund të tregoni se cilat kanë qenë ditët më të bukura dhe më të vështira në teatër?

Në teatër ka edhe ditë të bukura, por ka edhe ditë të vështira. Jo të gjitha ëndrrat realizohen. Merr një rrol që nuk e do. Kërkon një rol dhe regjisori nuk sheh, e … kështu ka raste shumë edhe të lumtura, edhe të trishtuara. Arti prandaj është i bukur. Por ka një gjë.

Ato që nuk i kam realizuar dikur, tani me eksperiencën time, me bashkëpunëtorët e mi kam realizuar shumë role dhe shumë pune serioze, për të cilat jam shumë krenar. Kam themeluar një Shoqëri Teatrore “Aulona Teatër”. Kam realizuar tre monodrama “Ditari i një të çmenduri“ nga N.V.Gogol “Kënga e Mjellmës” nga A.P. Chehov dhe kjo ka qenë dita më e lumtur e imja.

”Simfonia e Fatit” nga Fadil Kraja dhe tani së fundmi vura në skenë Monodramën “Amaneti” të Odise Plakut ku ka në qendër një personazh çam. Nëpërmjet tij evokohet gjithë kalvari i vuajtjeve të komunitetit çam që i përzunë nga trojet e tyre.

 

Po në filma a keni qenë i angazhuar?

Unë pak filma kam luajtur dhe me kaq jam i kënaqur, sepse i kam me një nga regjisorët më të mëdhenj të kinematografisë shqiptare Dh. Anagnosti. “Vëllezër dhe shokë”, “Gurët e shtëpisë sime”. “Gjoleka djali i Abazit”. një film televiziv “Zambak të bardhë”, dhe disa me metrazhe të shkurtër. Jam i plotësuar në këtë drejtim. Natyrisht dëshirat janë të mëdha por nuk është në dorën tonë, ka dhe rrethana të ndryshme. Ne jemi larg Metropolit.

 

Vlora ka pasur personalitete të skenës dhe ekranit të cilët janë larguar nga jeta. Cilat kanë qenë njohjet tuaj me ta?

Nga teatri i Vlorës janë larguar nga kjo jetë aktore të mëdhenj të skenës dhe të filmit siç janë Piro Sava, Nazmi Bonjaku, Liza Laska, Adem Gjyzeli, Hatiqet Bendo, për të cilët ruaj konsideratën time me të lartë.

Ata i kanë dhënë jo vetëm artit skenik të Vlorës fizionominë e tyre, kanë qenë pjesë e fytyrës së këtij teatri, kanë ngelur në memorien e qytetit tim me rolet dhe karakteret e skalitura me punën me djersën e tyre. Por kanë dhënë një kontribut të shquar edhe në Kinematografinë Shqiptare.

Unë personalisht i kam njohur, kam punuar dhe kam mësuar prej tyre. Nëse Teatri i Vlorës ka një emër të mirë, është në themel, vepra, puna, jeta krijuese, e miqve të mi të pa harruar. Kujtimi i tyre është çdo ditë me ne në studio, në skenë. Teatri i Vlorës është në ballë të Teatrit Shqiptar.

Kjo jo për egoizëm, se jam pjesë e këtij Teatri, por me fakte, i ballafaquar në të gjitha aktivitetet Kombëtare dhe ndërkombëtare, bashkëpunimet me Teatrot e Italisë si, Bari dhe Ankona. Bashkëpunim me regjisor italian, pjesëmarrja, në festivale të ndryshme Work shope dhe vlerësimet që kemi marrë, janë fakte domethënëse për vlerën e këtij teatri.

 

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here