Dikur, shekuj më parë, vetëm tetë km në perëndim të qytetit tonë të Fierit ndodhej një nga qëndrat e qytetërimit antik: Apolonia. E përmendur për rëndësinë e saj, zhvillimin shumëplanësh, rolin dhe ndikimet, ajo përmendet veçanërisht edhe për arritjet kulturore.
Kështu qysh nga shekulli i III-të pk, në Apoloni ishte ngritur një nga teatrot më të mëdhenj të Ilirisë. Për të ndjekur veprat skenike në shkallaret e tij mund të uleshin 7000 spektatorë, që nga ajo faqe kodre përballë Adriatikut ndiqnin lojën e aktorëve dhe të korit. Tradita e krijuar vazhdoi deri në shekullin e V-të, e më pas për arësye që dihen ajo u ndërpre për të rinisur vetëm pas 22 shekujsh.
Në vitin 1971 krijohet në qytetin e Fieri, Teatri Profesionist, ndërkohë që për koiçidencë në rrënojat e Apolonisë vetëm një muaj më vonë arkeologët Aleksandra Mano dhe Burhan Dautaj zbuluan teatrin e dikurshëm. Duhet përmendur që për emërtim u zgjodh një emër po nga antikiteti, ai i qytetit Ilir të Bylisit. Kjo gjë u bë u bë për disa arsye.
Së pari emrin Apoloni e mbanin shumë subjekte social-kulturore në qytetin e Fierit. Së dyti, në rrënojat e qytetit antik të Bylisit që ndodhen në fshatin Hekal të Mallakastrës dhe qëatëherë bënte pjesë nga pikpamja administrative në rrethin e Fierit, kishte ekzistuar një traditë teatrore, e cila përfaqësohej nga ekzistenca e një teatri më të madh nga përmasat se ai i Apolonisë.
Teatri në Fier i ka fillimet e tij mbi baza amatore. Ai nisi me iniciativën e një grupi të rinjsh të apasionuar ndaj kësaj gjinie dhe në kushtet e indiferencës së mbështetjes nga shteti, mungesës së ambienteve dhe publikut të kulturuar. Pikënisja e tij do të jetë viti 1933, kur në lokalin e Zeko Kokës një grup zanatçinjsh dhe arsimtarësh shfaqen të parën vepër skenike në një ambient të improvizuar.
Ajo ishte komedia e autorit Kristo Floqi e titulluar “Do të vras veten”. Jo pa qëllim u zgjodh kjo vepër teatrore, pasi Kristo Floqi ishte autori më i dashur dhe i pëlqyer i kohës. Veprat e tij shquheshin për humor, përmbajtje kombëtare dhe fshikullim të dukurive negative.
Regjizori i parë i trupës teatrore ishte mësuesi Llaqi Kola, i diplomuar në shkollën normale të Elbasanit, i cili ishte marrë me teatër gjatë viteve të studimit. Ndërsa trupa përbëhej nga aktorët amatorë si: Sokrat Pogaçe, Jorgji Koshovari, Jorgji Panda, Sotir Argjendari, Jorgji Kovaçi, Nasi Bogo, etj.
Pas suksesit të parë kjo shoqëri teatrore shfaqi në vitin 1935 me mjaft sukses një nga dramat e autorit Foqion Postoli. Në vitin 1937 ajo u paraqit me dy vepra skenike si: komedinë “Fe dhe kombësi” të Kristo Floqit dhe atë të Molierit “Doktor pa dorashka”. Gjatë kësaj kohe grupi teatror do të zhvillonte edhe turneun e parë artistik në qytetin e Beratit ku shfaqi komedinë e sipërpërmendur “Fe dhe kombësi”.
Në vitin 1938 autoritetet e shpërndanë këtë grup meqënëse në radhët e tij kishte anëtarë që kishin marrë pjesë dikur në Kryengritjen e Fierit (1935) dhe ishin simpatizantë të ideve komuniste, të cilat konsideroheshin të rrezikshme për regjimin e kohës. Kështu me këtë prolog u mbyll etapa e parë e zhvillimit të teatrit në qytetin e Fierit. Pas luftës së dytë botërore, shteti Shqiptar për qëllimet e tij propogandistike dhe të politikës kulturore hartoi një strategji në këtë drejtim, ku rëndësi e veçantë i jepej edhe teatrit dramatik.
Në këtë nxitje dhe interesim nga shteti, me përvojën e krijuar në etapën e parë dhe aktorë të ardhur nga teatri partisan, në Fier rinisi veprimtarinë teatri dramatic, fillimisht në shtëpinë ekulturës. Do të ishin 21 aktorë amatorë, të cilët nën drejtimin e regjizorit Llazar Verria hodhën bazat e artit dramatik në Fierin e pasluftës.
Të tillë ishin Nestor Pogaçe, Ndrek Beltoja, Muhedin Pleshti, Marika Kallamata, Hamza Pleshti, Sila Kordhishti, Lake Panajoti, Harilla Roshi, Omer Haxhia, Stavri, Pirro e Terezina Gjerazi , Sila Kaleshi, Veniamine Muço, Tashko Lako, Leonidha Prifti, Syrja Minarolli, Violeta Bakalli, Fuat Boçi, Sotiraq Xoxa, Liri Mitri, etj.
Nga kjo veprimtari u kultivuan disa talente që më vonë do të bëheshin aktorë të njohur ne rrafshin kombëtar si Marika Kallamata, Albert Verria, Ahmet Pasha, Aleksander Pogaçe, etj.Nje kontribut te shquar ne shtëpinë e kultures dhanë edhe regjizori Piro Mani, drejtuesi i muzikes Ismail Balla dhe koreografi Hamza Minarolli
Në vitin 1957 në Fier u ngrit teatri i Estradës, i cili ishte trupa e dytë e varietesë e krijuar në Shqipëri pas asaj të Tiranës. Estrada ishte një lloj i artit dramatik i cili përmbante të ndërthurura pjesët e shkurtra komike si skeçin, kupletin, parodinë, këngën, etj.
Veprimtarinë e tij ky teatër e nisi me një staf aktorësh dhe këngëtarësh si: Nestor Pogaçe, Terezina Gjerazi, Natalia Mëhilli, Vasilika Kaleshi, Tashko Lako, Fuat Boçi, Leonidha Prifti, Kujtim Jorgaqi, Pjerina Shoshi, Zoi Papa, Skënder Lloshi, Mehmet Muka, Isuf Maloku, Llazar Doko, Kozma Shallapi, Sokrat Robo, Sofika Dimo, Shpresa Memo, Timo Lule, Stavri Gjerazi, Luçi Bele. Regjizor do të ishte Llazar Verria.
Më pas kësaj trupe ju shtuan me vonë edhe një sërë talentesh të cilët erdhën nga lëvizja amatore si: Luftar Paja, Hasan Bregu, Todi Llupi, Arqile Lici, Vasil Vaso, Fatmir Xhelili, Sotir Stefa, ndërsa një pjesa tjetër ishin aktorë të diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve si Xhuljeta Kulla e Natasha Sela.
Regjizorë të kësaj trupe në vite ishin Llazar Verria, Gulielm Radoja, Roland Roshi, Pëllumb Kulla, Leka Bungo, Koço Papadhopulli, Roland Çarka, Klajdi Marku, etj. Ndërkohë që midis këtyre të fundit mund të veçojmë për gjurmët që lane, regjizorët Llazar Verria dhe Pëllumb Kulla.
Sipas Fuat Boçit, njërit prej aktorëve më të vjetër, do të ishte Llazar Verria regjizori që krijoi fizionominë dhe i dha emër estradës së Fierit. Ai punoi për 20 vjet me radhe duke futur në të talentet e reja. Ndërsa regjizori dhe shkrimtari Pëllumb Kulla e ngriti këtë teatër estrade në majat më të larta.
Si një njohës i mirë i artit dramatik ai futi një frymë të re në formë dhe përmbajtje, duke krijuar personazhe që janë skalitur në memorjen e artëdashësve në mbarë Shqipërinë. Ishte Pëllumb Kulla që midis lojës në grup krijoi edhe individualitete, midis të cilëve edhe Luftar Paja, Artist i Popullit; Fuat Boçi, Artist i Merituar; Todi Llupi, Artist i Merituar; Arqile Lipe, Artist i Merituar. Të paharruar kanë mbetur personazhe si Lipe Shtogu, Belul Gjeraqina e Çobo Rrapushi.
Ndërkohë që krijimet e arrira artistike ishin “ushqimi” me materiale humoristike për këtë estradë. Ndër krijuesit mund të përmëndim emrat e Pëllumb Kullës, Tashko Lakos, Ndini Bardhit, Llazo Polos, Maku Pones, Dritero Agollit, Dionis Dubanit, Shefqet Musaraj, Ferit Lamajt, Qamil Buxhelit, Filip Çakulit, Tasim Aliajt, Koço Devoles, Andrea Priftit, etj. Por Teatri i Estradës pëmbante si pjesë përbërëse dhe organike të tij edhe grupin e këngëtarëve, të cilët pasonin në intervale të rregullta pjesët e humorit.
Në estradë gjatë 50 vjetëve të aktivitetit të saj përmenden kontributet e këngëtarëve si:Engjëllushe Daja, Natali Mëhilli, Lefteri Sillo, Vasilika Kaleshi, Pjerina Shoshi, Sofika Dimo, Timo Lule, Sofika Hodo, Luljeta Gjerazi, Violeta Mashani, Miti Nushi, Petraq Shyti, Brunilda Hoxha, Vasilika Stamo, Petraq Noti, Llazar Pove, Vilson Shaho, Ylli Cakrani, Fatos Manaj, Adriatik Agalliu, Anesti Toska, Edmond Fishta, Maks Dertliu, Vladimir Muzha, Anesti Çuko, Ilir Suku, Mira Bregu etj.
Një meritë të madhe në fushën e muzikës kanë patur edhe drejtuesit e orkestrës Nikollaq Bulo e Gaqo Terpini, instrumentisi dhe dirigjenti Isuf Maloku, kompozitori i talentuar dhe novator Ferit Hoxha, instrumentistët Miço Sopiqoti, Llazar Doko, Vasillaq Zahariu, Miti Nushi, Jani Tase, Ilir Bele, Vaska Nika, Agron Bego, Vaska Sopiqoti, Aleksandër Prenushi, Arjan Papa, Ismail Janina, Robert Hoxha, etj.
Pikërisht këtu mund të veçojmë drejtuesin e orkestrës Ferit Hoxha, njeriun që e drejtoi atë në vitet 1974-1992. Me muzikën e kompozuar prej tij dhe tekst të Pëllumb Kullës u vu në skenë dhe në ekranin e RTSH-së, në koncertin e vitit të ri 1982, kupleti i paharruar ‘’Do martojmë Malon’’, kënduar nga Todi LLupi dhe Arqile Lipe’’.
Gjithashtu në estradë përveç dyshes së mësipërme do të veçonim edhe disa individualitete spikatura dhe pikante si Fuat Boçi dhe Luftar Paja. Edhe sot kanë mbetur të paharruara në kujtesën e spektatorit pjesët humoristike si ‘’Çobo Rrapushi me shokë’’, ‘’ A doni më për Belulin’’, ‘’Telefoni i ri’’, ‘’ Luftë e ngatërruar’’, etj.
Por një kontribut të veçantë në sukseset e artit skenik ka patur edhe ‘’prapavija” e ketij teatri, ku kane dhënë kontributin e tyre skenografët Dilaver Muka, Anesti Cini, Shemedin Ruçi, Pano Kondo e Gëzim Hajdini, mjeshtrat e ndriçimit Engjell Boriçi e Thanas Tito, mjeshtrat e kostumografise si Nuzet Golemi e Edmond Dashi, rekuizeria Hateme Ruzhdia, inspektori i skenes Zoi Papa, mjeshtrat e fonisë Xhemal Kelmendi e Alfred Tase, mjeshtrat e dekorit Naun Papuçiu, Kristaq Dumi, Filip Nano, etj.
Këtu mund të ndalemi për të veçuar skenografin Pano Kondo autor i mëse 100 dramave, komedive, varieteve, festivaleve dhe koncerteve, të realizuara në këtë teatër. Nga këto vepra mund të veçojmë komeditë ‘’Shoku Niqifor’’, ‘’E bukur shtëpi e vjetër’’,’’Shi në Plazh’’, ‘’Një Budalla e Gjysëm’’, ‘’Milionieri’’, si dhe dramat ‘’Dy Krisma në Paris’’, ‘’Kush e vrau Kastijin’’, ‘’Baladë për një Grua’’, ‘’Shtrigat e Salemit’’, ‘’Kërcuri’’, etj.
Pas dy dekadash pune intensive kur mendohej se kishte krijuar një srukturë të fortë u shfaqën problemet e para, të cilat rezultuan serioze për teatrin e estradës. Do të ishte fillimi i viteve 1990 ku nisën largimet e shume aktorëve kryesisht drejt emigracionit fillimisht dhe më pas drejt Tiranës. Kujtojme largimin e Pëllumb e Xhulieta Kullës, regjizorëve dhe aktorëve Roland Roshi e Roland Çarka, aktorëve Natasha Sela, Luftar Paja, Arqile Lipe, Brunilda dhe Ferit Hoxha, etj.
Megjithatë Estrada vazhdoi me intensitet përsëri punën e saj. Dy nga arritjet e saj të reja do të ishin spektakli i madh kushtuar 60 vjetorit të lindjes së Pellumb Kulles, i organizuar me pjesët më të mira ndër vite, i cili u shfaq në Pallatin e Kongreseve në Tiranë në vitin 2000. Gjithashtu në vitin 2006 kjo trupë fitoi çmimin e parë në Festivalin e Varietesë në Vlore me komedinë “ Porta e Përallave”, të regjizorit Ilir Bezhani, ish aktor i këtij teatri.
Teatri Bylis u krijua në vitin 1971 nga bashkimi i trupës amatore të teatrit dramatik me një grup aktorësh të rinj të sapo diplomuar. Teatri Bylis përfshinte në vetvete dy trupa teatrore: Teatrin Dramatik dhe Teatrin e Estradës. Veprimtaria nisi në godinën e re të ndërtuar enkas për këtë qëllim (teatri i sotëm) me kapacitet prej 480 spektatorësh.
‘’Siparin’’ e tij ky teatër e hapi me dremën përuruese ‘’Hijet e Natës’’, vënë në skenë nga regjizori Leka Bungo.Në vitet 1970-1980 në këtë teatër u shfaqën me sukses vepra të ndryshme të artit skenik vendas dhe të huaj. Gjatë kësaj kohe ai krijoi edhe identitetin dhe profilin e tij ku me punën, përkushtimin, talentin dhe ambicjen e stafit të tij, ai iu rendit ndër teatrot më të mirë të Shqipërisë.
Ndër kulmet artistike të arritura përmenden një sërë veprash si “Gjëmimi i atij dimri”, shkruar nga Teodor Laço dhe vënë në skenë në vitin 1976; si dhe dramat e Pëllumb Kullës “Shoku Niqifor”, viti 1979 dhe “Dy krisma në Paris” 1981( në bashkëautorsi me L. Bungon)..
Nga gjiri i këtij teatri dolën një plejadë aktorësh që krijuan identitetin e tyre artistik në përmasa kombëtare si Hajrie Rondo, Fatos Sela, Muhamet Sherri, Ilir Bezhani, Gjergj Lala, Vladimir Muzha, Dervish Biba, Dritan Boriçi, etj. Ne teatrin dramatik dhane kontributin e tyre nje grup i madh aktorësh , të cilët u dalluan për lojën kompakte vlerat artistike, disiplinen skenike, etj.
Mund të përmendim për të gjithë nostalgjikët e teatrit emrat e:Hajrie Rondos,Muhamet Sherrit, Vladimir Muzhës, Leonard Poros, Dhimiter Janos, Aleksandër Pogaçes, Hatiqet Siqecës, Kujtim Jorgaqit, Andrea Pepit, Bajram Dostit, Agim Agollit, Diana Aliajt, Niko Vrushit, Merita Gjyriqit, Ilir Bezhanit, Xhelal Hoxhës, Gjergji Lalës, Pano Panajotit, Mina Koxhakut, Fatos Selës, Astrit Hasanit, Dervish Bibës, Shpëtim Shehut, Zana Priftit, Aurela Hysenit, Roland Çarkës, Anita Sheplos, Antigoni Golemit, Bruna Borovës, Diana Aliaj, Donika Cenollit, Eli Priftit, Fatmir Kapllanit, Fitnete Tiços, Jetmira Dushit, Kiço Gjinit, Luçi Beles, Mimoza Zotaj, Niko Dhramit, Petrit Tunës, Vasilika e Kiço Londos, Klajdi Markut, Dritan Boriçit, Krenar Trokës, Hateme Ruzhdisë, Miola Sitajt, Dorina Caushit, Myzafer Ziflajt, si dhe të nje plejade të madhe aktorësh amatorë.
Kështu, Fieri u shndërrua në qënder të artit skenik teatror, humorit të estradës dhe spektaklit muzikor, shprehej gazetari dhe kritiku Fran Ukcama në një nga monografitë e tij kushtuar artisit Fuat Boçi.
Në këtë teatër u vunë në skenë shumë drama të shkruajtura nga libretistët e tij Teodor Laço e Maku Pone, kurse drama të veçanta shkruan për të edhe autorët Tashko Lako, Kleanthi Dusha, Dervish Biba e Odise Plaku. Gjithashtu zhvillim pati edhe kritika e zhvilluar në faqet e gazetës zyrtare “Drapër dhe Çekan”, ku u shquan penat e Eduard Gjergos dhe Kristaq Shtëmbarit.
Gjatë veprimtarisë shumëvjeçare më Teatri Bylis bashkëpunuan edhe regjizorët e njohur Pjetër Gjoka, Gëzim Kame, Serafin Fanko, Dhimitër Orgocka, Koço Devole, Enver Petrovci, etj. Po kështu edhe një kastë aktorësh të shquar kanë luajtur me trupën e Fierit. Si të tillë mund të përmendim Kadri Roshin, Violeta Manushin, Marika Kallamatën, Birçe Haskon, Bujar Asqeriun, Mirush Kabashin, etj.
Vitet 1990-2000 ishin më të vështirat në historinë e teatrit Bylis, sepse nga trupat e tij nisi një largim masiv i aktorëve . Ndosht ai ishte teatri i vetëm në Shqipëri që u godit nga dukuria e “eksodit” të aktorëve, të cilët si shumë të tjerë nisën të largohen jashtë vendit për një jetesë më të mirë.
Kështu u larguan fillimisht Gjergji Lala, Vladimir Muzha, Roland Zaloshnja, Kiço e Vasilika Londo, për tu pasuar më vonë nga një valë e dytë largimesh si Arqile Lipe, Arqile Lici, Roland Çarka, Aurela Hyseni, Niko Vrushi, Agim Agolli, Krenar Troka, etj.
Ndërkohe që me dukurinë e re të emigracionit kulturor drejt Tiranës u larguan të tjerë artistë si Fatos e Natasha Sela, Merita Gjyriqi, Mina Koxhaku, Bajram Dosti, Dervish Biba, Dritan Boriçi, etj. Një pjesë aktorësh me kalimin e kohës dolën në pension dhe në teatër nuk pati prurje të reja për të zhvilluar proçesin jetësor të ripërtëritjes.
Keshtu ne vitin 2000 nje kritik i njohur arti shprehu shqetesimin duke dhënë ‘’ alarmin’’se teatri i Fierit po mbetej pa trupe, saqe ky shqetësim u trasmetua dhe tek publiku artdashes.
Ndersa koha solli zhvillime te reja,sepse u krijuan kushte të tjera për zhvillimet kulturore dhe artistike. Në këtë kontekst ndryshimesh u ndodh edhe arti dramatik i cili u përball me një sërë risish të panjohura për karakterin dhe profilin që ai krijoi gjatë jetës së tij 45 vjeçare.
Së pari ndodhi bashkimi i aktorëve të mbetur nga Teatri Dramatik dhe Teatri i Estradës në një trupë të vetme. Më pas një nga elementët që i dha impuls këtij proçesi ishte angazhimi i kësaj trupe në festivalet teatrore, të cilat nisën të ndikonin duke i dhënë një impuls të ri atij. Duke nisur nga viti 2001 do të ishte Bashkia Fier, si institucion i qeverisjes vendore e cila do ta mbështeste fuqishëm Teatrin Bylis, në zhvillimet e tij.
Në vitin 2001 me iniciativën e regjizorëve Klajdi Marku dhe Adonis Filipi dhe mbështetjen e Bashkisë nisi aktivitetin e tij në Fier, Festivali Kombëtar i Aktrimit Apollon. Ishin arritjet e suksesshme të teatrit Bylis në vite dhe tradita e krijuar, të cilat bënë që ky festival të niste aktivitetin në qytetin e Fierit.
Pjesëmarrja e përvitshme dhe risitë e sjella nga trupat më të mira teatrore të ardhura nga të gjitha trevat shqiptare sollën normalitetin e munguar në këtë gjini të artit për mëse një dekadë.
Ndërkohë që do të ishin humbje të pazëvendësueshme largimi nga jeta në mënyrë të paraohshme i dy prej aktorëve më të rëndësishëm të kësaj trupe. Kështu në vitin 2005 humbi jetën në një aksident automobilistik aktori Dhimitër Jano, ndërsa në vitin 2010 vdiq nga një sëmundje e pashërueshme aktori Muhamet Sherri.
Në vijim të këtij aktiviteti mund të përmendim një sërë dramash të sukseshme. Në maj 2008 u shfaq premiera titulluar me emrin “Fqinjët.” Do te ishin dy personalitete të artit skenik shqiptar që do ta vinin në skenë këtë dramë, siç ishin regjizori Dhimiter Orgocka dhe dramaturgu Ruzhdi Pulaha.
Ndërsa një vit më vonë do të ishte regjizori i mirënjohur Enver Petrovcit, i cili vuri në skenë me trupën e Teatrit Bylis dramën e tij “Kush m’ka faj që jam shqiptar”, e cila u mireprit nga publiku dhe kritika. Këto suksese dhe organizimi çdo vit i Festivalit Apollon e shndërroi këtë teatër në ‘’strehën’’ e artistëve të kësaj gjinie.
Rikthimi i ishëve dhe prurjet e reja e konsoliduan përsëri këtë trupë. Rikthimi në vitin 2010 i Pëllumb Kullës bëri që me pjesët e shkruara prej tij, me regjinë të dilnin përsëri në pah vlerat e trupës dhe të artistëve. Po këtë vi tai vuri në skenë komedinë ‘’Milionieri’’. Me këtë dramë-satirë, teatri Bylis fitoi konkurimin në fushën e dramës shqipe në festivalin Flaka e Janarit, të zhvilluar në Gjilan të Kosovës.
Në vitin 2011 regjizori Kulla vuri në skenë një tjetër komedi të tijën ‘’Dikush duhet të vdesë’’, me të cilën solli në Fier edhe aktorin e njohur të humorit, Koço Devole. Me të u hap sipari i edicionit të këtij viti të Festivalit Ndërkombëtar të Aktrimit Apollon, duke shënuar aktin e fundit të historisë së këtij arti në Fier.
Fieri.com / Ilirjan Gjika – Historian