Rrethi i Lushnjes, si një nga rrethet e rëndësishme bujqësore e blegtorale, përjetoi në dekadën e dytë të shekullit të XX-të dhe një zhvillim të ndjeshëm kulturorë e artistikë. Ashtu si në disa qytete kryesore të vendit, edhe në Lushnje në fillimet e viteve 60 u ngritë Estrada Profesioniste, e cila grumbulloi rreth vetes aktorët, këngëtarët e instrumentistët muzikorë më të shquar të lëvizjes artistike amatore të rrethit.
Midis tyre bëri emër aktori humorist, Hekuran Zhiti, i cili ishte nga themeluesit e trupës së Estradës Profesioniste së bashku me aktorët, Dh. Nushi, S. Aliçka, A. Gjermeni, Athina dhe P. Dhimitri, J. Olldashi, V. Bani, R. Kamani, H. Dervishi, M. Nepravishta e të tjerë. Hekurani vinte nga një përvojë e gjatë e lëvizjes artistike, i cili ishte shquar si aktor humorist dhe si krijues letrar që nga bangat e shkollës Normale të Elbasanit para viteve të çlirimit.
-Kam luajtur drama e komedi që në vitet 1930, kur isha student në Normale, – shkruan ai në kujtimet e tij. Disa nga këto pjesë ishin përkthyer e vënë në skenë nga pedagogët Karl Ljarja, Simon Shuteriqi e tjerë, që kishin studiuar jashtë shtetit. Disa mësues e studentë të Normales, i shkruan një letër Nalt Madhënis së Tij, Zogut të I-rë në atë kohë, ku i luteshin për një bursë për Hekuran Zhitin, që të mund të studionte jashtë shtetit për aktor.
– Por s’qe e thënë, – shkruan ai.
Më pas ai është aktivizuar në shumë aktivitete artistike të arsimtarëve në rrethe të ndryshme të vendit ku ka punuar si mësues i gjuhës shqipe. Mbas çlirimit, talenti i tij lulëzoi në skenën e qytetit të Beratit, ku jo vetëm u shqua si aktor në komedi e në drama që viheshin në skenë nga lëvizja amatore e qytetit, por dhe si autor i disa pjesëve humoristike dhe si organizator për vënien e tyre në skenë.
Në ato vite në qytetin e Beratit, organizohej ora gazmore e “Radio Shoshës” në shtëpinë e kulturës, që kishte për autor e interpretues Hekuran Zhitin me shokët e tij humorist, Novruz Haznedarin e të tjerë. Sukses të madh pati në atë kohë dhe komedia “Nusja në thes”, shkruar dhe interpretuar po nga Hekurani, e cila bëri jehonë për problematikën e zakonit të fejesave me mblesëri e në moshë të mitur, ku spikati dhe loja e shkëlqyer e aktorëve, me në krye Hekuran Zhitin që lozte rrolin kryesor.
Është për t’u theksuar se kjo komedi u rivu në skenë kohët e fundit pas rreth 60 vjetësh nga teatri i Metropolit të Tiranës me shumë sukses dhe që tingëlloi shumë aktuale. Në fillimet e viteve 60, Hekurani punonte si mësues në Lushnje dhe spikati si një nga aktorët kryesor të humorit pranë shtëpisë së kulturës të qytetit. Me krijimin e Estradës Profesioniste, Hekurani ishte nga të parët që u përzgjodh në konkursin që u organizua nga Ministria e Kulturës me kryetar komisioni ish-regjisorin e Teatrit Kombëtar, Pandi Stillu.
-Hekuranin e keni nga më të talentuarin në trupën e re të estradës, – u tha ai drejtuesve të kulturës të rrethit. Dhe me të vërtetë ai ashtu mbeti për dhjetë vitet që luajti me trupën e estradës dhe që bëri emër si në skenën e Lushnjes dhe në shumë skena të vendit ku Estrada e Lushnjes ka dhënë shfaqje në turnet e saj. Hekurani jo vetëm ishte autor në krijimin e shumë materiale humoristike të repertorit të estradës, por ai dhe i interpretonte ato vet me shumë vërtetësi, duke krijuar personazhe e situata komike gazmore, që njerëzit i rikujtonin shpesh dhe në jetën e përditshme.
Ai, në figurat e shumta humoristike që krijonte në skenë, qëndronte larg moralizimeve propagandistike, vinte në lojë me batuta e qëndrime humoristike personazhe të ndryshme me vese negative, dhe figurat e humori i tij krijonin të qeshura e duartrokitje të zjarrta në sallë. Ja një episod nga një material humoristik i shkruar dhe interpretuar në ato vite nga vet autori H. Zhiti:
Në lulishten e qytetit, qëndronte i ulur në stol një djalë i ri, që megjithëse kishte mbaruar shkollën për agranom, nuk pranonte të shkonte për të punuar në fshat. Hekurani, që lozte rolin e një fshatari nga zona kodrinore e Lushnjes me emrin, Xha Zeqo, së bashku me gruan e tij kishin ardhur për pazar në qytet. Iu afruan stolit ku ishte i ulur djaloshi.
-A mund të ulemi dhe ne këtu? – i tha Xha Zequa.
-Uluni, – u tha djaloshi dhe u ç’vendos në fund të stolit. Xha Zequa u ul këmbë kryq në stol dhe i kënaqur hodhi qylafin mbi sy.
-Hajde, hajde si qenka bërë Lushnja! – i tha ai plakës. –Plot me pallate të reja !
-Mos i shtri shumë këmbët xhaxha, – i tha djaloshi, – se na bën pis. -Nuk të hanë shallvaret e mija, – i tha plaku dhe nga nervozizmi nisi të dredh këmbën.
-Mos e dridh këmbën se na shqetëson, – i tha djali.
-Kështu e kam zakon unë, – i tha Xha Zequa, – po nuk tunda këmbën, më pushon zemra.
-Nga iu kemi xhaxha? – i tha djaloshi me habi.
-Nga Kurtina. E di ti ku bie Kurtina ?
-Jo, nuk e di, – i tha djaloshi dhe pasi u mendua pak, i thotë : – Edhe mua në Kurtinë më kanë emëruar xhaxha, agronom.
-Shumë mirë, – i thot Xha Zequa, – mirë se t’na vish.
-Po është larg Kurtina ? – pyeti djaloshi. Xha Zequa buzëqeshi dhe e shikoi me ironi.
-Pa ec njiherë të shikoj si i hedh këmbët? Djali ngrihet dhe ecën disa hapa, por e pengojnë pantallonat që i ka shumë të ngushta. – Stop – i thot Xha Zequa. – Ti do 5 sahat e gjysëm të vesh në Kurtinë.
-Shumë larg xhaxha, pse kështu?!
-Me këto pantallona të ngushta si lëkurë keci që ke veshur ti, nuk hedh dot asnji hap, e jo më të vesh në këmbë deri në Kurtinë.
-Po ju për sa kohë e bëni xhaxha ? – i tha djali.
-Unë me plakën e bëjmë për një sahat e gjysëm, – i tha plaku.
-Po pse kaq pak ju ?!
-Mos u çudit, unë dhe plaka sa dalim në qafën e Kasharajt, shallvaret e mija dhe dumanet e plakës fryhen si parashutë dhe ne shkojmë drejtë e në Kurtinë.
-Po a bën të vij dhe unë me ju xhaxha, të mësoj rrugën e Kurtinës, – u tha djaloshi ?
-Të vish ore, veç shko e ndërro pantallonat që i ke zvëng !
-Dakord, veç më prisni për pak kohë sa të shkoj në shtëpi dhe erdha shpejt, – u tha djaloshi. Dhe pasi hodhi disa hapa, i përshëndeti:- Çao xhaxha!
-Të çaft ujku bir! – ia ktheu Xha Zequa dhe e qeshura shpërtheu me duartrokitje. Kjo ishte një nga skenat humoristike që interpretonte aktori Hekuran Zhiti me një humor popullorë larg moralizimeve bajate.
Biografia i ka qëndruar si hije mbi kokë gjithë jetën e tij.
Hekuran Zhiti ishte një intelektual i formuar në shkollën Normale të Elbasanit ku kish mbaruar me rezultate të shkëlqyera. Mësuesinë e ushtronte me pasion dhe gjuhën shqipe ua mësonte nxënësve me shumë dashuri. Kudo ku punoi, la emër të mirë. E ruante miqësinë me shokët e miqtë e vjetër të shkollës, me Hamdi Ganin, Panajot Papingjin, Naim Babameton, Haki Ballshin, juristin Manol Konomi, gjeneralin Todi Naço e të tjerë.
Veç mësuesisë, aktrimi dhe krijimtaria letrare e artistike ishin pasioni i dytë i tij, që e ndoqën pas deri në vitet e pensionit. Hekurani kish lindur në malësit e thella të Skraparit, në fshatin Milovë në vitin 1911, në një familje arsimdashëse, patriote dhe me ndjenja nacionaliste. Gjatë luftës Antifashiste Nac.Çl., familja e tij me bindje nacionaliste u bashkua me organizatën e Ballit Kombëtar. Kjo pas çlirimit i mbeti si një qyrk, që i peshoi rëndë në gjithë jetën e tij. Krijimtaria letrare e tij në ato vite të para të pas luftës, u bë shkak që qëndrimi ndaj tij të shihej me dyshim dhe kjo e çoi deri në qelitë e ftohta të burgut.
Jeta e tij, megjithse në moshë të re, u duk sikur u pre për gjysmë dhe ai intelektuali idealist dhe me shpirt artisti, pas një burgimi të shkurtër, doli në liri dhe përfundoi puntor i thjesht në komunalen e qytetit të Durrësit. Një ditë, duke shtruar trotuaret në rrugët e qytetit, rastësia bëri që të takonte një bashkqytetarin e tij nga Skrapari, që ishte atë kohë me pushtet, ministër i Arsimit, Kareman Ylli.
-Po ti Hekuran, çdo këtu ?! – i tha ai.
-Ja këtu, siç e do Partia, – ia ktheu Hekurani me një nënqeshje miqësore. -Ne kemi nevojë për arsimtarë, – i tha ai, dhe vështroi pushtetarët e Durrësit që e shoqëronin.
-E kemi të plotësuar kuadrin, – i tha shefi i arsimit, – kemi shumë nga Tirana.
-A ke dëshirë të shkosh në Lushnje ? – i tha Karemani.
-Dakord, – ia ktheu Hekurani dhe nuk kaloi shumë kohë, ai u paraqit në Lushnje, ku filloi punë në shkollën 7 vjeçare të fshatit Karbunarë. Më pas Hekurani filloi punë si aktor në Estradën Profesioniste të qytetit. Në Lushnje jeta e tij mori një rrjedhë tjetër. Dhjetë vitet në Estradën Profesioniste si aktor, ishin për të vite të një pune me shumë përkushtim e pasion dhe për ato kohë ai u vlerësua e bëri emër si një artist shumë i suksesshëm, që brezi i viteve 1960-70 në Lushnje e kujtojnë aktorin Hekuran Zhiti me shumë respekt e konsideratë të lartë. Për punën e tij me nivel të lartë artistik, ai është dekoruar në ato vite me Urdhërin e Punës “Naim Frashëri të klasit të II-të” nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.
Hekurani ishte një krijues shumë i suksesshëm. Libretet, skeçet, monologjet dhe vargjet satirike të tij, mbanin gjallë repertorin e estradës. Ai mbante peshën si aktor dhe si krijues, duke i dhënë Estradës së Lushnjes një fizionomi të vaçant të humorit myzeqarë. Ai ishte dhe një intelektual shumë i kompletuar, kishte njohuri për shumë fusha, lexonte shumë dhe e njihte me imtësi jetën, ndaj krijimet e tij ishin shumë realiste, shumë aktuale dhe priteshin me sukses nga publiku. Shumë njerëz i thoshin dhe profesor, sepse Hekurani ka qenë një mësues me vlera të larta për gjuhën dhe letërsinë shqipe.
Në kujtimet e tij ai sjell dhe një ndodhi nga jeta në vite. Një ditë shkrimtari i njohur Nonda Bulka, që e njihte mirë talentin krijues të Hekuranit, i propozon të punonte në Tiranë në të vetmen revistë sateriko-humoristike që ishte atëherë, revista Hosteni. Kryeredaktori i saj e mori në provë, i dha nja 10 tema, të zgjidhte njerën dhe ta trajtonte për revistën.
-Ke dy orë kohë, – i tha, – zgjidh një temë dhe ta trajtosh për revistën, sigurisht me humor. E uli në një zyrë dhe Hekurani nisi të shkruaj. I mori me radhë jo një, por të gjitha temat që kërkoheshin dhe i trajtoi një e nga një. Pas dy orësh, kryeredaktori erdhi për të parë rezultatin e punës.
-Hë mo, – i tha, – a ke qullosur gjë? Hekurani i dorëzoi shkrimet dhe po e shikonte me vëmendje kryeredaktorin. I kishte shkruar të gjitha temat. Kryeredaktori kur pa letrat e shkruara, u ngrys pak në fytyrë se iu duk sikur shkrimi ishte i gjatë. Pastaj filloi të lexojë të parën, më pas në shkrimin e dytë sikur buzëqeshi disi, e me radhë buzëqeshi prapë, pastaj me zë, më tej e qeshura shpërtheu me të madhe.
-Po ti na duhesh këtu, – i tha ai me entuziazëm. Por, biografia ishte një stacion i pakalueshëm për në Tiranë.
-Unë jam artist e shkrimtar province, – thoshte ai me humor, – bile thoshte jam shkrimtar lagjeje. Kolegët që ia dinin aftësitë e vlerat, qeshnin me shakatë e tij.
Ai mbetet për jetën artistike të Lushnjes një personalitet i fushës së humorit, krahas shumë artistëve të tjerë që ka nxjerrë Myzeqeja, por që jeta e tij në vitet e pensionit pati një fund tragjik.
Qyrku i biografisë e ndoqi atë pas, kur djali i tij Visar Zhiti u burgos për agjitacion e propagandë. U burgos se kishte shkruar disa poezi që binin ndesh me ideologjinë e kohës komuniste. Kjo qe një tjetër goditje fatale për artistin Hekuran Zhiti, për intelektualin që nuk e shijoi deri në fund kontributin e jetës së tij me plot zig-zake, kontributin edhe të fëmijëve të tij, që i rriti me shumë dashuri e përkushtim prindërorë. Të gjitha këto patën një ndikim trishtues në shëndetin e tij dhe kjo çoi në ndarjen tragjike nga jeta, pasi iku në verbëri të plotë !
Dikur, në moshën 19 vjeçare ai shkroi poezinë e tij të parë për një të verbër, që e botoi në gazetën “Normalisti” në vitin 1931, ku ndër të tjera shkruante :
Si të gjithë të shëkonja,
pa çdo gjë do ta duronja.
Ah.., ku pra qenka e thënë,
të mos shoh as djell’ as hënë!…
Dhe si për çudinë e kohës, në moshën 78 vjeçare, ai artisti i suksesshëm i skenës së humorit, autori i shumë materialeve humoristike dhe mësuesi i përkushtuar i gjuhës shqipe, përjetoi verbërinë e tij sipas vargjeve të shkruara dikur nga vet ai!