Korçarët e vjetër mbajnë mend mirë ditën e themelimit të Korit “Lira” njësoj si ditën e ngritjes së flamurit. Kori Lira, ky emër kaq i vjetër, përmban në vetvete thesarin e këngëve të qytetit duke u bërë simboli i vetëm i këngës qytetare korçare.
Kori “Lira” është formuar rreth viteve 1917 – 1922 si vazhdimësi e formacioneve instrumentale – korale dhe e grupeve të asaj kohe “Djelmëria Korçare”, “Kori i ushtrisë”. Në shtypin e kohës thuhet se koncertin e parë ky grup koral e dha bashkë me bandën “Vatra” në palestrën e qytetit më 22 tetor 1922, datë e cila u quajt nga populli korçar si dita e themelimit të këtij grupi. Pas vitit 1928, drejtimin e këtij grupi e mori profesori i ri i muzikës, i cili kishte mbaruar studimet e larta ne Konservatorin e Bukureshtit, zoti Sotir Kozmo.
Ai si profesionist punoi për rritjen e cilësisë së grupit, por ka edhe meritën, sepse ngriti të parin grup koral me vajza në qytetin e Korçës. Meritën kryesore në këtë zhvillim e kishte rinia korçare, si edhe ata që shkruan tekstet e këngëve dhe kompozuan muzikën për to, siç janë: Mihal Grameno, Thoma Nasi, Spiridon Ilo, Koli Rodhe, Mihal Ballkameni dhe shume të tjerë, të cilët kanë mbetur anonimë. Gjatë këtyre 83 viteve të ekzistencës se tij, grupi ka krijuar më shumë se 200 këngë patriotike, lirike dhe satirike të trevës së Korçës.
Vlen të theksojmë se në ngritje të emrit të Korit “Lyra” kanë influencuar edhe koncertet e përbashkëta me artistët e mirënjohur si Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Jorgjica Filce, Gaqo Çako si dhe me pianistet e njohura, Lola Gjoka dhe Karmen Nako. Gjate viteve të ekzistencës se tij ky grup ka ndryshuar vazhdimisht përbërjen si të drejtuesve ashtu edhe të pjesëtarëve të cilët largohen kryesisht për arsye moshe. Pas vitit 1944 “timonin” e grupit e mori zoti Kristaq Osmanilli, i cili u largua në vitin 1979. Që nga ky vit drejtimin e grupit e mori dirigjenti Jorgo Nano me titullin e lartë “Artisti i Merituar”, i cili po e drejton atë me aftësi dhe kompetencë profesionale edhe sot. (2009).
Formacioni
Tenorët: Sotiraq Vangjeli, Ritvan Shëllira, Kristaq Pula, Thanas Konini, Llazi Balashi.
Tenor i II-të: Serafim Xhanë, Nesti Luarasi, Piro Suljoti, Nesti Ceci, Koço Lalazi, Vaso Qirinxhi.
Bas/baritonë: Vani Trako. Pjerin Pojanaku, Ylli Naço, Niko Raci, Vangjush Sara, Gjergji Terezi, Zhani Nase.
Soprano: Joli Nano, Agi Nano, Ervis Minaj, Dona Tytymçe.
Alto: Tereza Cingo, Liza Tare.
Intrumentistë: Ilia Lulo (Flaut), Nesti Tasellari (Mandolinë e parë), Mihallaq Mano (Mandoline e dytë), Niko Stratobërdha (Mandoline e dytë), Pandi Tasellari (Kitarra),Ylli Cekrezi (Kitarra), Zhani Llogori (Fizarmonikë).