Drama e “Frankenshtain” nga Tim Kelly bazuar në veprën e Mary Shelley, vjen premierë në skenën e Teatrit Kombëtar me regji nga Ilir Bokshi. Interpretojnë aktorët Helidon Fino, Besmir Bitraku, Lulzim Zeqja, Yllka Mujo, Klea Huta, Gent Hazizi, Erjona Kakeli dhe Niada Saliasi. Viktor Frankenshtain në vepër luhet nga aktori Helidon Fino, Krijesa nga Besmir Bitraku. Në qendër Viktor Frakenshtain, por sipas regjisorit Bokshi dëshira e tij për të sjellë në jetë krijesën mbi trupat e vdekur i kthehet në bumerang. “Nuk ka faj krijesa pse duket kështu, dhe pse është i bërë nga copat e trupave të vdekur, nuk ka faj ky që është një njeri i gjallë dhe është i vdekur, ka faj doktori që tenton dhe tundon zotin dhe natyrën”, pohon regjisori Bokshi.
Aktori Helidon Fino shprehet se vepra përçon dhe të tjerë elementë socialë dhe psikologjikë. “Viktor Frankenshtain përfaqëson prindin, përfaqëson drejtuesit e shoqërisë, përfaqëson kujdestarin do ta quaja, dhe krijesa përfaqëson njeriun që është në nevojë dhe gjithmonë duhet të përpiqemi të mundohemi mos ti vëmë në pah difektet dhe ta mbajmë larg. Por ta mbajmë afër, ka plot njerëz në shoqëri që nuk kanë mundësi dhe kanë plot probleme”, tregon Helidon Fino. Krijesa e Viktor Frankenshtian është një mostër që nuk pranohet nga shoqëria, dhe aktori Besmir Bitraku i cili në skenë luan me maskë tregon se nuk ka qenë e lehtë puna me rolin. “Maskën e kam marrë vonë dhe karakterin e kam ndërtuar pa maskë, është një torturë e vogël ta mbash rreth 2 orë dhe ta heqësh rreth 1 orë e 30 minuta, më bën të zhytem më shumë në vetminë e këtij karakteri, duket sikur je brenda një errësire dhe kjo më ndihmon”, u shpreh gjatë konferencës për premierën aktori.
Këtë herë, regjisori Ilir Bokshi rikthen në skenë dhe aktoren e njohur Yllka Mujo, që e vlerëson bashkëpunimin për veprën, ku interpreton nënën e Frankenshtainit. “E ndjej që ka për të bërë gjëra shumë madhështore në të ardhmen, një njeri me frymëzim dhe imagjinatë, ka qenë një punë e ndjerë thellësisht duke e spërkatur me humor brenda. Një rol që më pëlqen edhe pse është mbështetës e luaj me kënaqësi, sepse personazhi im është ajo që qetëson ujërat dhe goditjen e merr në fund fare”, u shpreh aktorja Mujo. Vepra është përkthyer nga Shkëlzen Berisha, skenograf Petrit Bakalli, kostumografia nga Vese Kraja, muzika Art Lokaj, as. regjisore Algi Aga dhe maska Jacopo Tomassini.
Ngjarjet në dramë
Viktor Frankenshtain është një njeri i konsumuar nga pasioni i tij për shkencën. Projekti i tij jetësor bëhet zbulimi i sekretit të krijimit: si lind jeta brenda një trupi? Pas përpjekjeve dhe eksperimenteve të vazhdueshme, ai më në fund zbulon një mënyrë për të kthyer në jetë indet e njeriut të vdekur. Duke qepur së bashku një koleksion makabër pjesësh trupore të njeriut dhe duke përdorur procesin e tij eksperimental, ai sjell në jetë një krijesë të njohur për shumë prej nesh si monstra e Frankenshtainit. Pjesa gërsheton elementë melodramatikë me ngjyrime gotike, ku tragjedia e një njeriu bëhet vet kryelartësia e tij.
Natyrisht pjesa përmban edhe elementë fantastiko-shkencorë dhe thriller. Me skena të shkëlqyera dhe situata komike, ky version i dramatizimit i përrallës klasike nga Tim Kelly, është provokues dhe shumë zbavitës. Filmi me titull “Frankenshtain nga Mary Shelley” produksion i vitit 1994, me regjisor dhe aktor Kenneth Branagh i cili luan rolin e Viktor Frankeshtain, së bashku me aktorin Robert De Niro i cili luan rolin e Krijesës, është pa diskutim versioni më i afërt i historisë origjinale shkruar nga Mary Shelley në vitin 1816.
Nga Julia Vrapi
/Agjensia e Lajmeve Sot News/