FILM DHE NDËSHKIM

0

 

 

Nga: Arjan Shahini

Filmi “Dora e Ngrohtë” me skenar të Neshat Tozaj dhe regji të Kujtim Çashkut është prodhimi më i suksesshëm i Kinostudios “Shqipëria e Re” sa i përket numrit të madh të shikuesve dhe suksesit financiar.  Sipas I. Elezit, filmi qëndroi shtatë javë në 60 kinematë e vendit dhe ishte i pari dhe i vetmi film që arriti të mbulojë kostot e prodhimit.

Në terma hollivudianë, filmi ishte një “blockbuster” dhe suksesi i tij qëndronte në trajtimin melodramatik të tematikës së krimit në shoqërinë socialiste. Por më shumë se për misionin e tij propagandistik, që synonte të shfaqte përpjekjet e shoqërisë socialiste për të ri-integruar të rinjtë që hasnin probleme me pranimin e normave shoqërore dhe etikës së punës socialiste, filmi u bë i njohur për karakteret rebele dhe sub-kulturën e grupeve të kriminalitetit të padeklaruara deri atëhere.

Një nga aktorët protagonistë, Mirush Kabashi, rrëfen se karakteri i tij i kriminelit ordiner ishte aq i dashur  për këtë grup deviantësh, sa edhe në rrugë përshëndetej me batutat e tij në film. Edhe në film, sikur në doktrinën penale të regjimit, sjelljet deviante u trajtuan si produkt i luftës së klasave, ku kriminelët ordinerë veçse parazitë të dehur me pije të forta, ishin të deklasuar dhe të pandreqshëm, ndryshe nga njeriu i ri i socializmit. Filmi ishte një prej instrumenteve propagandues që qeveria adoptoi në kuadër të luftës kundër kriminalitetit, luftë që deri atëherë ishte zhvilluar nga organet e rendit dhe në heshtje në mbledhjet e Komiteteve Qendrore apo organet e Partisë së Punës.

Filmat “blockbuster” të zhanrit (melodrama, komedi etj.) në paraqitje konfirmojnë konvencione dhe krijojnë iluzionin e stabilitetit politik e ideologjik, por fenomeni i “blockbuster” shfaqet shpesh në kohë krize për sistemin, pasi audiencat kur përballen me kriza politike duan t’i kthehen formës konvencionale dhe të besueshme të narrativave. Ky fenomen është vërejtur dhe studiuar në Bashkimin Sovjetik, por mund në analogji të shpjegojmë se ka ndodhur edhe në Shqipëri me suksesin e filmit “Dora e Ngrohtë” dhe disa komedive në fund të viteve 80.

Një film tipik zhanri, “Dora e ngrohtë” përmbante të gjitha elementet e një melodrame që në njërën anë konfirmonte stabilitetin e sistemit socialist duke e qetësuar audiencën në formën konvencionale të rrëfimit (me tema konvencionale si roli i Partisë, normat kulturore tradicionale, dallimin e qartë të armiqve të klasës, mobilimin e thjeshtë të shtëpive, menyja një-gjellëshe, mbrëmjet e mërzitshme rinore etj.). Por në tjetrën suksesi i filmit dëshmonte pikërisht krizën që po kalonte shoqëria dhe nevojën për rikonfirmim të normave socialiste.

Vetëm gjatë periudhës 1980-1989 u realizuan rreth 11 filma që kishin si tematikë kriminalitetin, rreth 7 për qind të 162 filmave të prodhuara gjatë kësaj periudhe nga Kinostudioja Shqipëria e Re. Për regjimin socialist ishte e vështirë ta përpunonte teorikisht dhe përballonte praktikisht rritjen e kriminalitetit. Teorikisht doktrina penale propagandonte se me heqjen e pronës, bazën e konflikteve shoqërore, dhe sigurimin e jetesës sipas meritës dhe punës në rendin socialist, nuk kishte motive të tjera veçse të vogla për t’u angazhuar në vjedhje.

P.sh. sipas komentimit që i bëhet udhëzimit të Gjykatës së Lartë për përvetësimin e pronës socialiste sqarohet se: “Qëndrimi që ka mbajtur dhe mban praktika e jonë duke pranuar qëllimin e nxjerrjes së përfitimit material, nga pikëpamja subjektive motivohet dhe me faktin që motivi shtyrës në krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste në çdo rast, në esencën e tij, është një motiv i dobët, sepse vjen në kundërshtim me ideologjinë dhe moralin komunist”.

Gjatë periudhës 1975-1985 në Shqipëri vihet re një rritje e kriminalitetit që pasqyrohej në numrin e të dënuarve dhe të veprave penale kryesisht për vjedhje të pronës socialiste dhe “shfaqjeve të huaja” që nuk ndëshkoheshin penalisht por trajtoheshin në organizatat shoqërore ose nëpërmjet këshillimit nga organet e hetuesisë.

P.sh. prej periudhës 1975-88 kemi ngritje të shifrave të kriminalitetit, që dëshmohet nga numri i dënimeve, sidomos për vjedhje, nga 18 deri në 20 për qind gjatë viteve 1960-1970, vjedhjet e pronës socialiste shkuan në 28 për qind të krimeve të kryera, po ashtu u rrit edhe numri i ndëshkimeve për vjedhje të qytetarëve dhe u rrit numri i krimeve në bashkëpunim ose numri i grupeve kriminale .

Aspekte të tjera të trajtimit të kriminalitetit në shoqëri që prekeshin nga filmat me tematikë kriminalitetin, ishte edhe ligjshmëria socialiste. Ligjshmëria zakonisht trajtohej në mënyrë subtile në dialogët ndërmjet organeve të zbatimit të ligjit, duke përcjellë besimin që kishte populli në dënimin e fajtorëve vetëm nëpërmjet provave dhe zbatimit të procedurave penale.

Në një tjetër bashkëpunim kinematografik me skenar të Neshat Tozajt dhe regji të Kujtim Çashkut, “Vrasje në gjueti” problematizohen edhe aspekte të tjera të ligjshmërisë socialiste që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit nga populli. Filmi, mbi vrasjen e një inxhinieri të sektorit të naftës, gjithashtu përbën një risi dhe kulmim të artit kinematografik shqiptar në aspektin e rrëfimit estetik të traumës që përjeton shoqëria kur përballet me një krim, vrasjen aksidentale dhe moskallëzimin e krimit.

Deri në momentin kur vrasësi rrëfen krimin e tij, shoqëria është viktimë e këtij krimi duke përjetuar një traumë të rëndë që rrëfehet nëpërmjet retrospektivave (flashbacks) të shkaktuara nga sjellje në dukje banale të protagonistëve të traumatizuar nga ngjarja, në qiellin e ngrysur e të rënduar nga retë e dyshimit dhe kolonën zanore thuajse mortore të filmit.

Skenari qartëson që në fillim të filmit se shkak është kundërvajtja në dukje e vogël e mbajtjes së armëve të gjahut. Ndërsa veç traumës personale kemi edhe atë të sistemit, sepse dyshimi i organeve të hetuesisë është një rrjet i hedhur mbi një numër të madh njerëzish dhe pistash hetimi, që përfshijnë edhe veprime të rënda si sabotimi. Kjo shqetëson e ndërpret normalitetin e shtetit dhe të shtetasve. Konvencionet vetëm konfirmohen pasi në aftësinë dhe kapacitetet e organeve të rendit dhe të drejtësisë nuk hidhen asnjëherë: vetë protagonistet në film kanë besim dhe shprehen se “Partia do ta zgjidhë”.

Të dy filmat me skenar të N. Tozajt dhe regji të K. Çashkut e pasqyrojnë ligjshmërinë socialiste, zbatimin e ligjit nga organet e drejtësisë, si një proces të drejtë që udhëhiqej nga parimet e shoqërisë se re socialiste dhe besimin e popullit në rolin e Partisë së Punës. Kjo ishte pjesa e propagandës dhe do të ishte interesante të vërehej se sa liri artistike kishin artistët në realizimin e filmave me tematikë krimin, në krahasim p.sh. me ato që trajtonin tematika të luftës për liri apo tematika të tjera propagandistike. Kriza e ligjshmërisë socialiste në film shfaqej pikërisht nëpërmjet nevojës për të lëshuar konvencione, pasi regjimi kërkonte të konfirmonte në zhanrin e krimit se ligjshmëria socialiste ishte prezente dhe besimi i njerëzve tek regjimi i patundur.

Ligjshmëria socialiste është një tematike shumë e rëndësishme me një ngarkesë të madhe propagandistike për regjimin sepse, së pari, përcillte në popull mesazhin se askush nuk i shpëtonte ndëshkimit apo syrit e dorës së organeve të ligjit, çfarë dëshmonte për kapacitetet e pushtetit për të siguruar rendin; dhe së dyti, përcillte në popull besimin se veprimtaria e organeve të drejtësisë bazohej në ligje që ishin subjekt i vullnetit të popullit në udhëheqjen politike të Partisë së Punës.

Në këtë periudhë regjimi përballet me rritjen e kriminalitetit, sidomos në radhët e klasës punëtore, sikur edhe e dëshmon përkatësia klasore e protagonistit të filmit “Dora e ngrohtë”. Për këtë diktaturës së proletariatit nuk i ngelej tjetër veçse të ulte intensitetin e represionit e të vinte në pah aspektin edukativ të Kodit penal. Ndërsa rritja e kriminalitetit ndër ata me origjinë klasore punëtore e detyronte regjimin të tërhiqej edhe nga zbatimi rigoroz i Kodit penal për ndëshkimin e veprimtarive kriminale.

Sipas I. Elezit edhe emrat e protagonistëve pozitivë (Besim për protagonistin kryesor që shoqëria kërkon ta ri-integrojë, apo Mirash për profesorin komunist e të urtë) dhe atyre negativë (Spahi për kriminelin ordiner e të deklasuar, me emra myslimanë) ishin caktuar për të përcjellë më mirë antagonizmin ndërmjet shoqërisë së re dhe të vjetër.

Elemente tipikë të melodramës janë emocionet e forta dhe konfliktet sociale. P.sh.  në “Dorën e Ngrohtë” paraqiten konflikte në familje, problemi me ri-integrimin, stigmatizimi etj. Një nga filmat shembullor për këtë zhanr është “Imitation of Life” nga Douglas Sirk (1959), i cili nxjerr në pah konflikte në rrafshin individual dhe social njëkohësisht. Në Rusi zhanri në literaturë është zhvilluar prej Revolucionit Francez dhe ka qenë përherë i pranishëm në kinematografinë ruse. McReynolds, L., & Neuberger, J. (2002). Imitations of Life: Two Centuries of Melodrama in Russia: Duke University Press.

Ndërsa shembujt e tjerë të filmave “blockbuster” janë gjithashtu filma të zhanrit, si komeditë “Dy herë mat” (1986) dhe “Pallati 176” (1986), të prodhuara pas vdekjes së Enver Hoxhës. Fiksimi i audiencës shqiptare me zhanrin melodramatik diagnostikohet edhe në suksesin e madh që kanë pasur telenovelat turke apo indiane. Do të ishte me vend të hulumtohej nëse periudhat e krizës politike në vend kanë lidhje me suksesin e këtyre telenovelave.

 

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here