Ferit Gjevori, humoristi popullor, aktori me mimikë të papërsëritshme

0

 

 

Të shkruash për Ferit Gjevorin, ikonë e humorit  elbasanas nuk mjafton një faqe gazete, ku veprimtaria e tij artistike profesioniste është mjaft e madhe. Ajo shtrihet nga viti 1955 deri në vitin 1990, pra plot 35 vjet si aktor profesionist, ka luajtur në 80 premiera e ka 300 role në estradë, teatër kukullash, teatër dhe filma.

Feriti është një nga themeluesit e estradës, ku bashkë me Hysen Bizën krijuan atë dyshen e famshme aktoreske, edhe sot e papërsëritshme.

Në këtë shkrim nuk do të merrem me statistika, por me mbresat që më ka lënë Feriti si njeri dhe si aktor, ku do të mundohem të bëj një potret të tij. Feriti e ka dashur shumë estradën, e donte shumë elementin e ri, e ndihmonte mjaft në skenë.

 

U prezantova për herë të parë në Nentor 1972, ku pas një shfaqje të Ndërmarjes së Ndërtimit, ku unë luaja si aktor, ai vjen në dhomës e zhveshjes e më thotë: -“Çuni i Petrit, më pëlqeve shumë, do të marr në shfaqjen që do të vej me estradën profesioniste”. Ishte koha kur nga trupa ishin larguar dy aktorët më më peshë në skenë, Hysen Biza kaloi në teatër dhe Llambi Burgia shkoi në kursin e regjizurës në Tiranë.

Në këtë kohë Feriti mendon të bëjë një premierë më elementin e ri. Ishim 5 djem të rinj që luanim për herë të parë në skenën profesioniste si: Hilmi Belshaku, Dhimitër Topuzi, Fatmir Çopja, Almir Kotherja dhe Frederik Hakani. Premiera quhej “Pentagrami ynë gazmor”. Shfaqja pati mjaft sukses. Është shfaqur 42 herë. Në suksesin tonë një meritë pati Feriti.

 

Që nga ajo premierë nuk jam ndarë nga Feriti për 15 vjet. Mora shumë nga bagazhi i tij artistik. Kishte nuhatje të madhe ndaj rolit. Në skenë Feritit i fliste dhe fija e flokut. Në premierën “Ndalim Qarkullimi” kishte dy role mjaft pikante, atë të zyrtarit dembel dhe Gjeneralin Rus.

Në atë të zyrtarit që përtonte të fliste” kishte shpikur” shkurtimin e fjalëve, ku fjalën mirëmëngjes e thoshte “gjes-gjes”; salla shpërthente në të qeshura, biles “gjes-gjes” filloi të përdorej dhe nga spektatori në rrugë, apo nëpër ndërmarrje, kurse tek Gjenerali Rus mimika e tij ishte fantastike.

Ai kur i afrohej personazhit femër me emrin “Ljuba” lëviste gjithë potretin e tij, që nga kapelja, sytë, vetullat, buzët apo mustaqet që gati i fluturonin. Batuta e tij “ Ja lublju Ljuba” që thuhej nën petkun e një dashnori plak bënte që e qeshura në sallë të ishte mjaft e madhe. Feriti ishte aktor mjaft i madh, sepse nuk bënte dallim, ishte rol i madh apo roli i vogël, të dyjave ja bënte shërbimin njësoj.

 

Më kujtohet tek skeçi “Globalizmi” në rolin e një kryetari kooperative që prodhonte vetëm kunguj për të realizuar planin. Kur vinte në shtëpi tek motra, Evelina Spirollari, kunati Ilmi Belshaku, mënyra se si ai donte t’i mbushte mendjen atyre se kungulli është gjoja më i mirë në botë, p.sh. kur thoshte:

Kungulli motër ka hekur, bëhet byrek, gjellë, bëhet edhe reçel, kurse ti kunat: mëngjes, drekë, darkë duhet të hani vetëm kungull”. Kjo bëhej kaq qesharake, sa spektatori nuk e mbante dot të qeshurën.

Po ashtu edhe tek skeçi “Shangai” ai luante një kinez i cili tunde litarin e këmbanës, nuk thoshte asnjë fjalë, por mënyra se si tunde litarin, bëhej si ngjalë duke e lakuar trupin, e bënte spektatorin të shpërthente në të qeshura.

Edhe tek skeçi “Zgjedhjet” në rolin e qehajajit, teksti i tij nuk ishte me humor, por ai gjeti një detaj të bukur artistik duke ndërruar emrat me vendin e emrave të personave fshatarë që do të votonin p.sh. emrin Qerim Sinan Qypi, ai e bënte Sinan Qerim Qypi, Qyp Qyp Qypi, Rryp Qyp Rrypi.

 

Me këtë ai krijonte situate komike, që jo vetëm spektatorin, por edhe ne në skenë na kapte e qeshura. I jashtëzakonshëm ka qenë në rolin e Karkalecit tek komedia muzikore për fëmijë “Kur të del boja” ku bashkë kishim një duel me shpatë.

Me një zhdërvjelltësi për tu patur zili vraponte nëpër skenë, hypte nëpër pemët e dekorit, sa që unë isha 25 vjeç, ai 55 e nuk e kapja dot. Detyrohesha ti thoja Feritit, të keqen se më lodhe, mos lëviz më, se duhet të vras.

I mrekullueshëm ka qenë roli i ujkut pirat tek filmi “Kecat e Ujku”. Aq me shkathtësi e me vërtetësi vinte me varkë si pirat, sa gjithë personeli i Radio-Televizionit që filmointe tha: – Ky qenka ujk me të vërtetë.

 

Mora si shembull këto role që janë mbresëlënëse tek unë, të ashtëquajtura role të vogla, por me realizim figure artistike të përsosur. Feriti ka një galeri të tërë personazhesh të paharruer duke luajtur tipa si drejtorë, brigadjerë, fshatar, prindër që nuk dinë të edukojnë fëmijët e tyre ( Tek skeçi “Gurabija” të luajtur me partner H. Bizën.) etj.

Personazhet politikë të huaj të kohës së tij “i qante” artistikisht. Njeri i mrekullueshëm dhe në jetë. Kishte një humor të hollë si në skenë edhe në jetën e përditshme. Kishte një mënyrë të tij të veçantë në thënien e barcaletave se edhe dhjetë herë ta thotë një barcaletë, prap do të qeshësh me të.

Tani që u nda nga jeta, vepra e tij do të mbetet e paharruar. U prehsh në paqe artisti ynë i madh! infoelbasani.al

 

 

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here