Fatos Roshi, shuarja e papritur e një ylli cirku

0

 

 

VERDI TAKE PROLOG:

Atë ditë të 30 prillit 2016, ai fluturonte nga gëzimi. Ishte veshur me një kostum të ri, qepur enkas për atë ditë të shënuar, që i rrinte bukur e i shkonte trupit të tij të gjatë e të hijshëm, trup i stërvitur fizikisht qysh në moshën 7 vjeç, kur debutoi për herë të parë si akrobat në arenën e Cirkut Profesionist të Tiranës.

Te hyrja e lokalit në qendër të qytetit, ai priste miqtë e shumtë që vinin ta uronin me rastin e 60-vjetorit të lindjes.

Përqafohej me secilin, qeshnin, këmbenin batuta me zë të lartë dhe, çuditërisht, krahas urimit të zakonshëm “U bëfsh 100 vjeç!” i pëshpëritnin edhe fjalët.. “Së shpejti, përsëri mes nesh…”. Unë, si të gjithë të ftuarit, e dija përmbajtjen e atyre fjalëve, prandaj i bëja shenjë kameramanit të më ndiqte, kur disave prej tyre u drejtoja mikrofonin:

KIÇO LONDO, regjisor, ish-drejtor i Qendrës Kulturore “Tirana”, ku përfshihej edhe Cirku: “Njerëz si Fatos Roshi janë të rrallë. Ai ka qenë një akrobat i talentuar, një udhëheqës artistik, e pse jo edhe drejtues i denjë i atij institucioni. Fatosi duhet patjetër të kthehet në Cirk. Cirku ka nevojë për njerëz si Fatos Roshi”.

SUJLEJMAN DIBRA, ish-drejtor për shumë vite i Cirkut të Tiranës: “Fatosi ishte 7 vjeç kur realizoi në Cirk një numër të vështirë akrobatik, që mahniti spektatorët. Nuk iu nda cirkut për 53 vite. Ai është mjeshtër në kuptimin e plotë të fjalës. Cirku ka nevojë ende për Fatos Roshin”.

TAHIR BAÇOVA, “Artist i Merituar”, fenomeni i zbutjes së kafshëve dhe paraqitjen e tyre në arenë: “Fatosi është një yll. Në qiell thonë se janë me miliarda, por në cirk janë vetëm disa. Fatosi është një prej tyre. Specializuar në cirqet fantastike të Kinës. Ka bagazh të madh. të cilin duhet të vijë t’ua mësojë artistëve të rinj”.

RESHAT IBRAHIMI, president i Shoqatës së Pavarur Mbarëkombëtare të Artistëve: “Fatosit i është bërë një padrejtësi. Gjykata ka marrë vendim në favor të tij. Ai duhet të kthehet patjetër në Cirk. Kështu kërkon drejtësia. Kush e zvarrit më tej duhet të mendohet mirë”.

HALIL MINXOLLI, artist i Cirkut, president i Shoqatës Mbarëkombëtare të Artistëve Profesionistë dhe Amatorë të Cirkut Shqiptar: “Ne e kemi ngritur zërin për një padrejtësi që i është bërë Cirkut. Është një dëm që është shkaktuar. Fatosi e ka vendin në Cirk. Domosdoshmërisht!”.

E kështu, të tjerë artistë të Cirkut si HAMDI PETRELA, VITORE SALLAKU, STELA BLLOSHMI, LORETA LIKA, BRUNILDA KOKA, PAVLI E PRANVERA SALLATA, VILSON GJOÇA, KUJTIM KOKA etj., uronin dhe këmbëngulnin që FATOS ROSHI, një nga yjet e cirkut shqiptar duhet të kthehet përsëri në cirk, aty ku e nisi 53 vite më parë.

Jo pak, apo jo? Si nisi rrugëtimi drejt cirkut Ishte daja i Fatosit, Telat Agolli, legjenda e Cirkut shqiptar, themeluesi dhe drejtuesi artistik i Cirkut, ai që e vrojtonte nipin e tij që kur ishte 5 vjeç. Ia vuri syrin dhe, ashtu siç dinte vetëm Telati, e stërviti, ditë për ditë, muaj pas muaji.

Dy vjet. E pajisi fizikisht, i futi dëshirën, i nxori frikën, i krijoi besimin dhe, një ditë, ndodhi ajo për të cilën u punua me aq përkushtim: Ishte viti 1964 kur u dha shfaqja e parë e plotë akrobatike. Në mes artistëve, të rritur, me trupa muskulozë, spektatorët dalluan edhe një fëmijë.

Nuk vonoi dhe në sallë u krijua një ankth kur spektatorët shikonin atje, lart… shumë lart, mbi një piedestal, një akrobat hipur në një biçikletë dhe mbi një tel të hollë të tendosur bënte ecë e jake e pastaj qëndronte në ekuilibër të palëvizshëm. Mbi supet e tij ngjitej si një lepurush një fëmijë, fare i vogël.

Shtatë vjeç. Trupin drejt, doçkat lart dhe buzëqeshte i lumtur, duke pritur breshëritë e duartrokitjeve të spektatorëve, që me brohoritje çlironin ankthin për çka shikonin. Shfaqja e parë e titulluar “Fluturime akrobatike” pagëzoi krijimin e Cirkut Profesionist Shqiptar.

Në atë shfaqje nisi rrugë edhe historia e gjatë e akrobatit të vogël, Fatos Roshi, që më vonë do të bëhej dhe mbetej, një nga yjet e Cirkut në Shqipëri. Stërvitje, shfaqje, shkollë. Nxënës i rregullt shkolle në çdo qytet ku Cirku qëndronte 30, 40 ditë dhe jepte shfaqje për spektatorët.

Pastaj kaluan vite, Fatosi u rrit, u emërua akrobat profesionist, mbaroi edhe shkollën e mesme, më tej specializim afatgjatë në cirkun e famshëm kinez. Kthehet me aftësi të mrekullueshme si akrobat, ekuilibrist dhe prestigjitator.

Ushtrimet e tij mbi biçikletë, me një apo me dy rrota, me timon apo pa timon, duke ardhur rrotull arenës me shpejtësi e duke pritur mbi kokë sende që i hidhnin asistentët e shfaqjes, apo duetet me biçikleta me “Artistin e Merituar” Met Selimi, shoqëroheshin me duartrokitje të forta prej spektatorëve. Viti 1976. Ngjarje e padëshiruar. E dhimbshme. Tronditëse.

Diktatura godet egërsisht. Telat Agolli, i akuzuar për agjitacion e propagandë, arrestohet. Pason “fshesa e hekurt” me ndëshkime në familje. Pushohen nga puna bashkëshortja, djali, vajza. Midis tyre edhe nipi i tij, Fatosi, largohet nga cirku dhe urdhërohet “punë- tor në gurore, Tiranë”.

Në vitin 1984 daja, Telati, fiton pafajësinë dhe lirohet nga burgimi, duke i rikthyer të gjitha të drejtat e mohuara e të konfiskuara! Natyrisht, të gjithë kthehen në punët e tyre, ashtu si edhe nipi i tij Fatos Roshi, në Cirk. Stërvitje të stërmundimshme për të rifituar kohën e humbur, për të riaftësuar fizikun, për të ringjallur cilësitë artistike.

Vullneti e këmbëngulja e nxitin të realizojë edhe një ëndërr tjetër. Shkollën e lartë. Në vitin 1989 diplomohet në Universitetin e Kulturës Fizike, me nota të shkëlqyera. Përgatit dhe ekzekuton me sukses numra si akrobat, ekuilibrist, prestigjitator, madje edhe kloun.

Provon dhe debuton edhe si libretist, madje edhe si regjisor i suksesshëm. Për të gjitha këto merita dhe pjekuri profesionale emërohet udhëheqës artistik i Cirkut Profesionist. Në maj 2012, Fatos Roshi emërohet drejtor i Cirkut Kombëtar.

Detyrë e vështirë. Ai ia di të gjitha skutat Cirkut. Ia di të gjitha sekretet profesionit, ai i njeh të gjitha zhanret e profilet. I njihte sepse ishin pjesë e artit, ishin pjesë e jetës së tij, qysh në moshën 7-vjeçare.

Por, ai nuk mund të dinte “sekretet” e “manovrat” e “artit të drejtimit” të një institucioni artistik kombëtar. Iu “dorëzua” ndërgjegjes, kurajës, dëshirave e ëndrrave për të çuar cirkun më tej, nga e gjeti. Ecejaket, problemet, pengesat, e detyronin të trokiste shpesh në dyert e zyrave të dikasterit nga varej institucioni që i kishin dhënë të drejtonte.

Ai nuk e vinte re që po bëhej “i bezdisshëm” në zyrat e burokratëve e teknokratëve, që e kishin mendjen tjetër kund e jo te problemet e kërkesat që paraqiste drejtor Fatosi i Cirkut. Atëherë… çfarë!? Një manovër, një prapaskenë, një intrigë e vogël që rritet gjatë rrokullisjes… dhe!? Shkarkim nga detyra e drejtorit. Dha e mori që t’i sqaronte, t’u paraqiste fakte e dokumente se e kishin gabim.

Se po e rëndonin moralisht e shpirtërisht, se i kishin shkaktuar situatë të rënduar në familje… Kolektivi u ngrit në këmbë. Artistët me emër e tituj, punonjësit nga më i thjeshti, që kishin 50 vite që punonin me Fatosin, të zemëruar, i drejtuan peticion ministrit përkatës. Kërkesa, e prerë dhe e padiskutueshme: Riktheni Fatos Roshin në Cirk!

Ministri i atëhershëm, i përkohshëm, urdhëron me shkrim rikthimin. Por dikush, me një kurajë që s’dihej nga i buronte, nuk e zbatoi urdhrin e ministrit. Fatosit i mbeti vetëm një rrugë: Gjyqi. Me vendim të prerë të Gjykatës së Apelit, Fatos Roshi fiton të drejtat financiare për kohën e papunësisë.

Dy vjet. Por kjo ishte një fitore e pjesshme. Ëndrra e tij ishte rikthimi në punë, në Cirk, aty ku e nisi 53 vite më parë. Tetor 2016. Çështja “Roshi” merret përsëri në dorë nga Ministria e Kulturës dhe urdhërohet rikthimi i tij në Cirkun Kombëtar. Dikush i sugjeroi ta festonte përsëri me një banket. Por Fatosi, nuk kishte më kohë për trokitje gotash.

I mjaftuan urimet, shtrëngimi i duarve nga kolegët që e pritën krahëhapur dhe përpilimi i planeve për realizimin e një premiere të re, ku në krah do të kishte partnerë dy djem të rinj, të cilët do t’i stërviste dhe do t’u jepte zanatin me bagazhin e madh që zotëronte. FUNDVITI, PRAG FESTE – Vendi është i përfshirë nga një virus gripi, tmerrësisht i rrezikshëm.

Fatosi, që nuk dinte ç’ishin sëmundjet, me besim ndoshta pak të tepruar në aftësitë e fizikut të tij përfshihet nga një dhimbje e panjohur në njërën prej gjymtyrëve. Dhimbja herë shfaqej e herë fshihej. Kaloi edhe nata e festës së Viti të Ri, herë në tavolinë e herë shtrirë në divan… dhe në të gdhirë të 2017-s, dhimbja pushton kraharorin.

Ai lufton, e mban veten, shpreson, mundohet të mbushë mushkëritë me frymë, por një “armik” që kishte hyrë në trupin e tij kishte pushtuar territor. Mjekët e urgjencës së Sanatoriumit mundohen të bëjnë atë që duhet, por ishte tepër vonë. 4 janar 2017. Lajmi i papritur “Fatos Roshi na la” përhapet dhimbshëm, anën e kënd.

Ceremonia e lamtumirës u zhvillua në arenën e Cirkut Kombëtar. Fatosi nuk ishte më në kupolë duke zhvilluar numra akrobatikë, por fatkeqësisht, shtrirë në arkivolin mbuluar nga një “kopsht” me lule, nën shikimin e tronditur të qindra njerëzve që, me gojën hapur, nuk u besonin syve.

U përcoll me muzikë funebër prej bandës së qytetit, me fjalime, ngushëllime. Përlotje. Po afron 30 prilli, dita e lindjes së Fatosit. Këtë prill, ai do të ishte 61 vjeç. “Do të ishte”!? Po pse “do të ishte”?. Ai është përsëri, mes nesh. Ai do të kujtohet gjatë për pasionin e tij të cilit iu përkushtua, duke ngjitur shkallët gjithnjë lart.

Ai do të përfytyrohet gjithnjë me atë trupin e tij të bukur, të gjatë dhe elegant. Me atë veshjen e tij plot shije. Do të mbahet mend për kavalierllëkun e tij, për zërin e plotë e tingëllues me të cilin fliste, për humorin, e për shpirtin bujar për t’iu gjendur gjithkujt në nevojë, që trokiste në derën e Fatosit për ndihmë, të çdo lloji.

EPILOG FATOS! Ka vetëm katër muaj që të përcollëm në banesën e fundit. Por ne na duket sikur kanë kaluar vetëm katër ditë. Ndodh kjo, sepse, ne, nuk mund të të harrojmë!

 

Prill, 2017/PANORAMA/

 

 

 

 

 

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here