Regjimi mbretëror në Shqipëri, nën drejtimin e Ahmet Zogut, mbret i vetëshpallur i shqiptarëve, në masën e gjerë popullore, pothuajse nuk ka qenë i përkrahur. Pavarësisht se në kushte të caktuara, mund ta durosh një udhëheqje, kjo nuk do të thotë se e do dhe e mbështet atë, por kur përmasat e saj negative rriten, urrejtja popullore nis të kërkojë zgjidhje të reja…
Në celulën e parë të formimit në Grupin e Shkodrës, merrnin pjesë elbasanasit Jani Todri (Dëshmor i Atdheut), Sali Myzyri, Sadik Sadedini, Dhimitër Lala (Dëshmor i Atdheut), Lana Çipi, Abdyl Myzyri (Dëshmor i Atdheut), etj.
Në nëntor-dhjetor 1938, qeveria e Zogut, shpërtheu në një valë të madhe arrestimesh të komunistëve, në të gjithë Shqipërinë, dhe kryesisht në ata të Grupit të Shkodrës. Pas kapjes së krerëve të këtij grupi në Tiranë, më pas u arrestuan në Elbasan Riza Tola, Jani Todri, Subhi Dedej, Ymer, Mehmet, Sali e Abdyl Myzyri (të katërt nga e njëjta familje), Enver Palluqi, Dhimitër Lala, Jorgji Shuteriqi, Sadik Sadedini dhe Shyqeri Selita.
Këta, së bashku me shumë komunistë të tjerë, ndër të cilët Qemal Stafa, Vasil Shanto, Sadik Bekteshi, Nazmi Rushiti etj., kaluan në gjyqin e madh të Tiranës. Ky gjyq, u hap më 2 shkurt 1939.
Pushtimi fashist i vendit, u prit me urrejtje nga të gjithë shqiptarët atdhedashës. Dalja nga burgu i Beratit i komunistëve të Grupit të Shkodrës, në të cilin kishte dhe shumë elbasanas, ringjalli jetën e celulës së këtij grupi në Elbasan. Tashmë, Grupi i Shkodrës në Elbasan, drejtohej nga Abdyl Myzyzri.
Për t’u organizuar në një luftë të gjerë kundër pushtuesve, ashtu siç u veprua në zonën e Çermenikës, u veprua edhe në zonën e Dumresë, dhe më gjerë. Që nga vjeshta e vitit 1942, u dërguan të rinj antifashistë dhe simpatizantë, për të përgatitur terrenin për formimin e Çetës Partizane në këtë zonë.
Në këtë kohë, përveç Hasan Bajraktarit e Jani Todrit, u ngarkuan dhe punuan gjatë vitit 1942, edhe të tjerë të rinj antifashistë si Izet Vyshka, Bedri Gjergji, Ballkyze Haxhihyseni.
Veprimtarinë e shtrinë edhe në agjitacionin kundër dorëzimit të të dhjetave. Një agjitator i mirë në këtë drejtim ishte Jani Todri, i cili e ushtroi veprimtarinë e tij në zonën e Shpatit të Dytë, duke u kthyer në pengesë të fortë për sipërmarrësit e të dhjetave.
Që në fillimet e para të LANÇ, Jani Todri ishte mbështetës i pa kursyer i saj. Në vitin 1942 bashkohet me Çetën e Pezës, dhe më vonë, për aftësitë e tij komunikuese dhe bindëse, e dërgojnë në terren, në fshatrat e Elbasanit, kryesisht në krahinën e Shpatit.
Duke e ndjerë këtë rrezik të madh që po sillte për regjimin e kohës, veprimtaria e suksesshme e të riut trim Jani Todri, më 14 nëntor 1942, u organizua edhe vrasja e tij në pabesi, në shtëpinë e priftit të Shtërmenit, tek i cili kishte shkuar në funksion të veprimtarisë së tij të vazhdueshme agjitative.
Jani Todri është dëshmori i parë i LANÇ për Elbasanin. Puna që ai kishte nisur, u vazhdua më tej nga të tjerë shokë, të cilët, e mbanin shembull përvojën e suksesit të shokut të tyre të papërtuar.
E si të mos ishte kaq bindës në punën e tij me popullin, vatër më vatër Jani Todri. Prejardhja e tij familjare, i ka rrënjët thellë në mbrojtjen dhe dëshirën e përhapjes së gjuhës sonë shqipe, e cila për pushtuesit e vazhdueshëm, ka qenë në qendër të vëmendjes së tyre, për ta asimiluar, dhe për ta zhdukur si gjuhë.
Jani Todri, është anëtar i familje së madhe Todri, nga ajo derë që lindi dhe rriti një njeri të devotshëm si Theodhor Haxhifilipin e madh, mësuesin, kërkuesin dhe përhapësin e gjuhës shqipe, të cilin të gjithë e njohim me emrin popullor Dhaskal Todri (Mësues Todri). Nga kjo familje kanë dalë dhjetëra mësues, të cilët kanë punuar dhe ndihmuar përmbi 246 vjet në arsim.
Kanë kaluar afro tre shekuj, që nga koha kur Dhaskal Todri i parë, jepte mësim dhe aq më tepër, kishte dëshirën për të nxitur nxënësit dhe qytetarët elbasanas, në mësimin e pastër të gjuhës shqipe, edhe pse reaksioni i kohës ishte i egër, dhe në kundërshti të plotë me dëshirën e tij.
Dhaskal Todri krijoi edhe alfabetin e tij me 52 shkronja, i cili edhe ndër studimet e sotme albanologjike njihet si alfabeti i Todrit. Me këtë alfabet mësuan, punuan dhe mbajtën shënime nxënësit, qytetarët dhe esnafët e Elbasanit.
Dhaskal Todri lindi në vitin 1730, dhe u nda nga jeta në vitin 1805, duke jetuar 75 vjet. Me pasionin dhe këmbënguljen e tij, ai solli në Shqipëri germat e shqipes të derdhur në plumb, duke udhëtuar vetë drejt Gjermanisë, për të përmbushur këtë detyrë të rrallë dhe fisnike, si atdhedashës dhe mbrojtës i pa përkulur i gjuhës shqipe.
Dhaskal Todri është simboli i familjes dhe fisit nga ai rrjedh, por, ai është edhe simboli i rrallë i kombit, në fushën e gjuhës shqipe, të cilën e mbajti të gjallë dhe e trashëgoi ndër breza.
E gjithë veprimtaria e tij si mësimdhënës i gjuhës shqipe, ishte një luftë e hapur ndaj klerit të kohës, ku sundonte kisha greke. Për këtë arsye, ai përndiqet, derisa arritën t’i marrin jetën. Edhe pas vdekjes, frika e ringjalljes, pasi sërish përndjekjen… Kështu, Dhaskal Todri, është dëshmori i parë gjuhës dhe arsimit shqip, dhe një objekt studimi i pashteruar ende në fushën e gjuhësisë.
Për familjen Todri, familje e traditave të pashtershme, asnjëherë nuk do të ketë forma shteruese. Anëtarët e saj të çdo gjinie, kanë qenë gjithmonë pararojë në mbështetje të zhvillimeve të mëdha historike, në shërbim të interesave të drejta të vendit. Ndaj, edhe në të ardhmen, do të kemi ç’të themi sërish për të, sepse ajo është nderi i Elbasanit, nderi i atdheut!