Veprimtaria artistike e profesor Viktorit është e admirueshme. Me një galeri rolesh të padiskutueshme ai ka synuar gjithë jetën t’i japë përparësi çdolloj zhanri të cilin ka dhe është pasqyruar duke e balancuar gjithherë në unitete apo bashkëveprime konkrete në gjerësi të masës popullore.
Ndoshta një prej atyre artistëve të paktë me një brendi aq të pasur demokratike dhe fisnike, të cilën nuk është e vështirë ta perceptosh. Një vëzhgues aktiv dhe aspak indiferent, i cili zbret dhe sot në arenën e ngjarjeve duke u identifikuar me autorët, me pasionet e personazheve apo idealet, shqetësimet dhe aspiratat e publikut.
Viktor Zhusti është një emër me shkronja kapitale në tribunën e ikonave të Teatrit dhe Kinematografisë Shqiptare.
Dje i është akorduar titulli ‘’Mjeshtër i Madh’’. Ajo që duam të ndajmë sot është falenderimi i tij. Një falenderim që tregon vizatimin e një pulsi mirënjohjeje, që profesorin e ka spikatur gjithë jetën. Në fakt, të jemi ne mirënjohës, profesor, për çdo energji që ke derdhur e ndan me ne dhe sot për zhvillimin e artit në vendin tonë.
“Gjatë rrugëtimin në këtë çerek të fundit të jetës, i ndodhur shpesh vetëm e përballë vetes në moment të veçanta dobësie e sinqeriteti, kam menduar – jo pa dhimbje- për ç’kam bërë. Edhe dyshoj nëse i kam bërë mirë dhe ato për të cilat s’kam asnjë dyshim që i kam bërë keq. Në jetën familjare, artistike më vjen papritur një lajm që më shkaktoi hutim, kënaqësi dhe detyrim. Më akordohet titulli ‘’MJESHTËR I MADH’’.
Pasioni për teatrin, e vetmja nga dashuritë e mëdha që ndoshta nuk e tradhtova kurrë, për të cilin nuk bëra kompromise, më solli miq të shumtë e kundërshtaë jo të paktë, e dashuri që më ka dhënë më shumë nga ç’i kam dhënë. Anadaj mori dhe këtë vlerësim të veçantë!
Ndiej dodomsdoshmërinë për të falenderuar me përzemërsinë më të thellë : publikun e kudondodhur që më ka pritur e shoqëruar kurdoherë me ngrohtësi. Që më ka duartrokitur e falur njëkohësisht. Falenderoj pedagogët e mi të nderuar, shumë prej të cilëve që nuk jetojnë më, të paharruarin Spahivogli- shpirti i të cilit duket, kapërceu hapësirat dhe kufijtë e vdekjes. E ndieja të pranishëm në sallën, në atë sallë. Në sallën ku u nderua dhe u duartokit aq shumë. Falenderoj kolegët që më besuan dhe ndihmuan në çdo hap.
Por një falenderim tërësisht i veçantë për Z. Nishani që me zemërgjerësi prej Bujari, më vlerësoi si aktor e pedagog me këtë Titull të Lartë. Mirënjohje për ju , Z.President”.
Një titull i merituar ky për Viktor Zhustin. Një titull që ia ka dhënë koha, puna, energjia kinetike e talentit të tij dhe përkushtimi i përhershëm ndaj profesionit që iu përkushtua gjithë këto vite jetë.
Urime ty, profesor, për çdo emocion që nuk na e kurseve kurrë!