Ndonjëherë e ke të vështirë të dallosh kufirin mes realitetit të krijuar prej kokës tënde dhe atij të vërtetit. Të paktën, derisa ngjarje konkrete, të forta, të përplasen pas syve. Mund të ketë edhe fatlumë që të mos shohin o ndiejnë asgjë, të fluturojnë në të tyren e të hanë ç’shohin në qiell. Një ndër to ishte Kori, partnerja e Polit në shfaqjen “Këmbëzbathur në park”. Dallohen përnjëherë, që në batutat e minutave të parë, zhurmat që do të vijnë më vonë.
Për herë të parë në gjuhën shqipe erdhi javën e shkuar në skenën e ArTurbinës shfaqja “Këmbëzbathur në park” nga Neil Simon me regji nga Lorin Terezi. “Këmbëzbathur në Park” ka në qendër jetën e një çifti të sapomartuar. Kori dhe Pol, megjithëse të ndryshëm në karakter, duhet që të përshtaten mes njëri-tjetrit, të paktën Pol përpiqet, megjithëse duhet të ngjisë 9 kate përditë, pa ashensor, ndonjëherë edhe disa herë në ditë, për teka të së shoqes…
“Unë do të thosha, që pjesa është interesante se është një çift, që nuk kanë të njëjtin karakter. Njëri logjikon ndryshe, ndërsa vajza është më instiktive. Ajo ka një problem. Çfarë fluturon, hahet për atë. Është shumë optimiste, i pëlqen jeta edhe çdo gjë e sheh shumë të bukur. Kur ndeshet për herë të parë me hallet, fillojnë probleme vërtet të forta. Nis konflikti i çiftit.
Ndërsa, djali është shumë logjik edhe i matur. Pikërisht kjo krijon konflikte, ndërsa ajo që e shpëton është në bazë dashuria. Ndonjëherë ne mund të bëhemi grindës me njëri-tjetrin, por ajo që e shpëton përherë një marrëdhënie është dashuria”, tha lidhur me pjesën aktorja Ermira Gjata, e cila është në rolin e mamasë së nuses. Me batuta të prera, të qeta, të thëna ashtu siç mund t’i dëgjojmë prej mamave në shtëpi, Gjata ishte kripa e shfaqjes, që zgjaste pak më shumë se 2 orë.
“Personazhi im ka në qendër njeriun e përsosur, që i bën ballë jetës, e ka çdo gjë të programuar edhe asgjë nuk del nga kuadri i të përditshmes, ndërsa partnerja i sjell surprizat. Ky është një avokat shumë profesionist. Është një inkubator në jetën e përditshme të një amerikani të devotshëm, që në këtë formë lind edhe në këtë formë do të vdesë. Janë si një pazëll me njëri-tjetrin, plotësojnë njëritjetrin”, ka thënë Ledion Zoi që duhet t’i mbijetonte frymëmarrjes sa herë kthehej në shtëpi…(me shpresën që aty nuk do të ishte vjehrra).
Kori tekanjozja, që do gjithçka siç e ka thurur vetë në mendje është krejt e kundërta e të shoqit. “Mua më mbetet që të them për balancën, që një çift duhet të mbajë. Në fund këto karaktere zbulojnë se duhet mbajtur një balancë, dikush duhet që të heqë dorë nga një gjë, që e ka për zemër, edhe tjetri duhet që të bëjë të njëjtën gjë. Kori e përcakton dashurinë si diçka që është jashtë monotonisë”, theksoi aktorja Anila Balla.
“Më shumë sesa një problem social, ne nuk trajtojmë ndarjet, por edhe anën poetike ku në një moshë të re, pritshmëria për jetën është shumë e lartë. Jeta ka vështirësi shumë të mëdha, është shumë larg realitetit, që ti ke ndërtuar në kokën tënde, ëndrrave që ke”, tha regjisori Lorin Terezi, që brenda një kohe të shkurtër është rikthyer në skenë me këtë shfaqje të dytë, pas “Kënaqësitë e tradhtisë”.
Ermira Gjata, Ledion Zoi dhe aktorja Anila Balla, gjatë shfaqjes “Këmbëzbathur në park”.