Përtej kësaj, dashuria e Inës dhe Gencit e ka një vend ku merr udhë… Është tryeza e ngrënies. Dhe nuk u duhen shumë salltanete që ata të lumturohen. Mjafton vetëm që numri i tyre të bëhet tre. Pikërisht, aty ku hahet, çifti i njohur mblidhet për të diskutuar rreth gjithçkaje që i rrethon, për të shijuar gatimet e njëri-tjetrit, e më shumë akoma për të qenë pranë dashurisë së tyre më të madhe Stinës.
Dje
E tyrja është një histori e vjetër. Shumë përpara se ata të pranonin dashurinë e njëri-tjetrit, ishin në rrethana krejt të tjera. Genc Fuga ishte pedagog i lëndës “Fjala artistike” ndërsa Eni Jani studentja e tij, që përpiqej të mësonte gjithçka që profesori i tregonte në auditor.
Ata njiheshin qysh nga viti 1997, megjithatë fati e deshi që të ishin bashkë edhe më vonë. Si në rastin e sheshit të xhirimit në Zvicër; Genci si aktor, ndërsa Eni si asistente. Aty, për shkak të pozicionit të punës ajo duhej të lidhej me të gjithë aktorët, përfshi atë që më vonë do të ishte bashkëshorti i saj.
Ajo nuk e dinte këtë ende, dhe as që e çonte nëpër mend një gjë të tillë, teksa në Zvicër, në sheshin e xhirimit shikimet u takoheshin jo rrallëherë. Asokohe Eni kishte xhiruar edhe “Natë pa hënë”. Ishte viti 2005 kur Genci kishte filluar ta shihte ndryshe studenten e tij. Ndërsa ajo, edhe pse ishte shkëputur nga bankat e universitetit e thërriste ende profesor.
Kur mbaronin xhirimet, shërbehej menjëherë dreka. Dhe ja ku ata të dy e kishin të pamundur të mos takoheshin. Genci i njihte shumë mirë ushqimet. Në Zvicër, teksa bëheshin pauzat e pushimit të drekës, Genci niste t’i shpjegonte Enit për shijet e ndryshme që gjendeshin të shërbyera mbi tryezë.
E pas tyre, i shpjegonte se cila ishte pija me të cilën mund të shoqëroheshin ato ushqime. Ata nuk mbajnë mend të kenë pasur një drekë a darkë të veçantë tipike për ta. Ja, drekat e darkat e para ishin pikërisht këto hapësira mes xhirimesh.
Aty shtoheshin kontaktet, ndjenjat kishin nisur rrugëtimin, ndërsa Eni ende e justifikonte gjithë situatën me këto fjalë: “Epo tani e kam mbaruar shkollën dhe Genci po më trajton si kolege”. Por me sa duket, Genci kishte nisur ta shihte më shumë se sa kolege. Ai vinte nga një familje që kishte njohje shumë të mira kulinarie.
Nuk është se në shtëpinë e tij kishte një kuzhinier, por ama ai është rritur me kujdesin dhe idenë e tavolinës si mjet shoqërimi dhe komunikimi. Babai i tij kishte shijuar gjithë kuzhinat e botës. Genci e ka kapur edhe kohën e tollonave, por familja e tij gjithsesi arrinte të gjente në atë kohë peshkun e mirë, apo sepiet, kallamarin etj.
Nga nëna dhe babai ai kishte të ngulitura gjithë shijet nën qiellëz dhe, përpos këtyre, menjëherë pas shkollës udhëtoi jashtë, për specializime, shërbime të ndryshme duke u ballafaquar me shijet e kuzhinave botërore. E pikërisht këto kërkonte t’ia përçonte Enit. Aty, në Zvicër, ku mes përbërësve ushqimorë e dublave të filmit do të lindte një dashuri e madhe…
Sot
Situata ka ndryshuar! Është Eni ajo që i jep leksione Gencit. Në shtëpinë e tyre, darkat dhe tigani i takojnë Gencit. Ai është i pari kur bëhet fjalë për mishrat, sallamrat apo marinimin. Sidomos kur bëhet fjalë për shtrimin e tryezës, pasi ai është i mendimit: “Si fillim ha syri”.
Mezetë e ndryshme, për shembull, ai i ka specialitetin e tij, përgatitjen e salcës së kosit apo zgjedhjen e pijes shoqëruese. Por vetëm kaq! Kur vjen puna te gjellët apo pjatat më të vështira, ai heq dorë. Ose kërkon ndihmën e Enit, që nuk përton t’i japë gramaturat e caktuara. Tavat, supërat e gjithfarë gjellësh të tjera janë të Enit. “Për mua është e rëndësishme që kur dua ndihmë, Genci është gjithnjë i gatshëm”,- tregon ajo.
Këto janë çastet kur ata gatuajnë në shtëpi dhe zgjedhin tryezën familjare për t’u ushqyer. Por ka dhe nga ato ditë kur ata janë të detyruar të ushqehen jashtë. Aty, pranë teatrit, ata kanë një qoshe ku ulen, jo rrallëherë me grupin e punës dhe drekojnë, me fokus sërish projektet artistike. Të ulurit në restorant është diçka familjare për ta.
Kohë më parë, pasi ishin njohur e dashuruar nuk ishin të paktat rastet kur ata bënin edhe turizëm kulinar. Ata kanë udhëtuar edhe vetëm për një lakror të mirë, të shoqëruar me pak raki rrushi apo manaferre. Kanë shkuar deri në Korçë për zahiretë, apo deri në Berat për përsheshin tradicional. Shije dhe dashuri! Por kjo e fundit është më kryesorja… E tillë do të jetë edhe tryeza e ngrënies në 14 shkurtin e këtij viti.
Ata do ta përdorin çastin e të ushqyerit për të qëndruar sa më pranë Stinës së vogël e për të luajtur me të. “Janë ato raste kur bëhemi pakëz fëmijë për të shoqëruar Stinën”,- tregojnë. Dhe me shumë mundësi atë ditë, Stina do t’u vijë rrotull e do të fusë duart mes përbërësve ushqimorë.
Ajo qysh tani ka nisur të marrë pak nga prindërit artistë, që janë të tillë edhe në kuzhinë. Teksa e sheh të ëmën duke gatuar, ajo merr vezët, që ka aq shumë qejf t’i rrahë vetë, dhe i drejtohet asaj me fjalët: “Do më bësh një petullushkë”? Kjo do të jetë tryeza më e pasur për ta! Sepse veç përbërësve ushqimorë, do të ketë edhe dashurinë më të madhe të tyre: Stinën e dashur!
Nga Shije.al 15 TETOR 2015