Eduart Makri kandidati potencial për postin në QKK, kineastët pro Butkës

0

 

 

Ministria e Kulturës hapi më 19 shkurt konkursin për kryetar të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Konkursi referuar faqes zyrtare të ministrisë është mbyllur më datë 6 mars dhe në garë për postin e QKK pranë ministrisë dorëzuan platformat e tyre katër kandidatë, kineasti Ilir Butka (ish-drejtor i QKK), artistja Yllka Gjollesha, producentja Elkjana Gjipali dhe regjisori Eduart Makri.

Mësohet se për postin e QKK nga Ministra e Kulturës i janë propozuar kryeministrit dy emra, Ilir Butka dhe Eduart Makri. Gazeta “SOT” ka mësuar se kandidati potencial për të marrë drejtimin e qendrës së filmit është Eduart Makri. Në fushën e kinematografisë në vend regjisori Makri është një emër që sipas kineastëve nuk e njeh punën me kinemanë dhe për gati dy dekada nuk ka dhënë kontribut për filmin.

Kineastët shprehen se kryetari Ilir Butka duhet të jetë emri që meriton ta marrë drejtimin e QKK dhe për katër vjet të tjera, sepse në krye të qendrës së filmit puna e tij ka pasur rezultate. Ata shprehen se nuk mundet të jetë kandidat një emër që nuk e njeh filmin dhe situatën në vend për gati dy dekada. Ilir Butka ka një aktivitet prej vitesh në fushën e kinemasë, njeh punën me filmin dhe ka treguar deri tani aftësitë e tij në drejtimin e QKK.

Nëse në 17 vjet (1997 deri 2014), janë financuar 183 filma, nga të cilët 34 filma të gjatë, vetëm në 4 vite (2015 – 2018) nën drejtimin e Butkës janë financuar 130 filma, nga të cilët 56 filma të gjatë. Për 4 vjet u financuan mbi 210 projekte, nga të cilët 12 filma të gjatë të karrierës, 14 filma të gjatë vepër e parë për kineastët e rinj, 15 filma të gjatë bashkëprodhim në minorancë, 14 filma të gjatë independentë, 37 filma të shkurtër, 23 dokumentarë, 19 filma te animuar, 22 festivale filmi, 4 workshope, 10 trajnime për kineastët e rinj dhe rreth 20 projekte të tjera me karakter promovues brenda dhe jashtë vendit.

Por nëse flasim për regjisorin Makri aktiviteti i tij me filmin është i panjohur pas ‘90. Para ‘90 ka bërë disa role, asistent filmash dhe dy filma mbajnë emrin e tij si regjisor. Në vitin 2000 largohet nga atdheu për në Kanada. Përballë punës së Butkës dhe një kandidati që për gati dy dekada ka qenë larg me të drejtë kineastët shprehen se në krye të QKK duhet të jetë një emër që e njeh realitetin në vend.

 

Kineastët pro Butkës

Regjisori Vladimir Prifti i njohur për filmat e tij shprehet se në krye të QKK meriton të jetë Ilir Butka. Sipas tij ky katër vjeçar Butkës i shërbeu jashtëzakonisht për një lloj përvoje që i duhet për vitet e tjera në QKK. “Nuk mendoj se ata tre konkurrentët e tjerë do ta bënin këtë punë. Mendoj që Iliri do ta bënte shumë më mirë nga të gjithë. Por mendimin tim për Butkën e kanë dhe të tjerë kineastë.

Jam që QKK ta drejtojë Iliri, sepse ai u njoh më shumë me atë projekt që quhet ligji mbi kinematografinë. Ai e zbatoi më mirë ka një personel të mirë. Unë kam lexuar tre platforma në media të kandidatëve dhe nuk kam lexuar deri tani nga Makri. Aty Iliri thoshte që do të shtojë buxhetet gjë që është e domosdoshme për kinemanë”, shprehet kineasti Prifti.

Por dhe kineasti Kristaq Mitro gjithashtu është pro Ilir Butkës në krye të QKK, dhe sipas tij Eduart Makri është një emër që nuk ka kontribute për kinemanë. “Unë jam për Ilir Butkën në krye të QKK nga emrat që janë në konkurrim. Këto vite atij i kanë shërbyer shumë që të jetë më mirë dhe ka një rrjet të madh njohjesh dhe njëkohësisht e njeh filmin shumë mirë. Butka ka dhe një eksperiencë shumë të madhe me filmin, ka qenë dhe drejtor i TIFF dhe vetvetiu ajo e ka lidhur.

Unë e kam ndjerë kur kemi qenë në Berlin apo Kanë dhe Butka ishte i njohur, kur e pyesnin ai jepte informacione. Në dijeninë time para ‘90 Makri ka qenë asistent i Anagnostit dhe ka bërë një film modest. Di që iku më pas në Kanada dhe se di çfarë ka bërë. Por unë besoj te Butka dhe ai ishte kryesori që i mori serbëve “Ballkan Film Market” dhe kjo është meritë e tij.

Makrin se njoh, se di çfarë ka bërë për kinemanë. Por Iliri ka veprën që ka bërë ndër vite”, shprehet Mitro.   Mendimit të dy kineastëve i bashkohet dhe Besim Kurti. Ai vijon se Eduart Makri nuk mund të jetë zgjidhje e mirë për QKK. “Eduart Makri ka qenë asistent në Kinostudio dhe e mori Anagnosti, si nga jugu që e kishte e futi në filma dhe aty ka luajtur mirë. Ai e mori te shoqata “Fan Noli”, sepse dinte anglishten.

Nuk besoj që Makri mund të jetë zgjidhje e mirë për drejtimin e QKK. Ai nuk e njeh këtë punë dhe nuk e di se si do të funksionojë. Filmin duhet ta dish dhe ta vuash mbi kurriz, që ta njohësh me të mirat dhe të këqijat e punës, duhet ta kalosh këtë dhe më pas të bësh një platformë.

Se dimë kush i propozon këta emra? Nuk ka emra në Shqipëri që mund të propozohen për kryetar të QKK?”, shprehet Kurti. Por dhe për regjisorin e ri Erion Kame meriton të jetë Butka në QKK. “Ilir Butka më duket më pozitiv nga këto emra që kam parë. Butka ka dhënë kontribut”, shprehet regjisori Kame.

 

Nga Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here