Regjisori i njohur Edmond Budina rrëfen gjendjen e artit në Shqipëri. Ai analizon situatën e teatrit dhe kinematografisë sonë. Sipas tij, në Shqipëri ka artistë të talentuar që premtojnë shumë, por shteti nuk i mbështet
Anila Dedaj
Ndërsa të gjithë po kërkojmë që vendi ynë të bëjë hapa drejt Evropës, të paktën prej kinematografisë kemi një përgjigje pozitive. Edhe pse me buxhetin më të ulët në të gjithë rajonin, filmi shqiptar së fundmi ka arritur të tërheqë vëmendje, të klasifikohet në festivale të kategorisë A, duke marrë vlerësime të kritikës së huaj e deri tek çmime të para.
I tillë ishte filmi “Të thyer” i regjisorit dhe aktorit Edmond Budina, i cili arriti të triumfojë në edicionin e 72-të të Festivalit të Filmit në Salerno, “Streha mes reve” i Robert Budinës, apo “Delegacioni” i Bujar Alimanit, që tanimë mban dy çmime të para në festivale të rëndësishme ndërkombëtare. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për teatrin, ku mungon shkëmbimi i eksperiencave me jashtë vendit.
Regjisori Edmond Budina bën një analizë të panoramës së kinematografisë dhe teatrit në vendin tonë, duke kujtuar se edhe në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit që u mbajt vitin që lamë mungonin elementët mbarëkombëtarë. Ai flet për nevojën për investim, veçanërisht në artin skenik, ku artistët sot ndihen të pavlerësuar.
Zoti Budina, si e gjykoni nivelin e shfaqjeve sot në vendin tonë? Në 2018-ën u mbajt edhe Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit, por a ka realisht një shkëmbim me jashtë?
Si në çdo vend edhe tek ne ka shfaqje të mira dhe jo të mira. Natyrisht unë do të thosha se shfaqjet mund të jenë më të mira, nëqoftëse përmirësohen kushtet dhe investimet që bëhen në fushën e kulturës dhe të artit skenik në veçanti. Për këtë jam krejtësisht i bindur. Ashtu si janë shprehur dhe vetë pjesëmarrësit për Festivalin propagandistik Mbarëkombëtar, nuk pati asgjë mbarëkombëtare.
Mund të them se ishte një propagandë e hapur si në kohën e Partisë së Punës. Vetë ata që kontribuuan në të, thanë se 70% e pjesëve ishin mediokre. Kjo është fatkeqësi! Gjendja do vijojë të jetë e tillë përderisa nuk investohet, nuk rritet buxheti nëpër teatro, apo të rriten shpërblimet e aktorëve. Mandej biletat duhet t’u kthehen teatrove.
Të gjitha ato çka i kemi thënë vite me radhë. Nëqoftëse nuk bëhen të gjitha këto, nuk ndryshohet ligji për teatrin, statusi artistit, natyrisht që niveli do të jetë ky që është, sepse unë do të thosha niveli i teatrit nuk rritet vetvetiu, pa pasur një shtysë. Përshembull një nga mangësitë e jashtëzakonshme që unë konstatoj ka të bëjë me dramën shqipe.
Unë nuk mendoj, se nuk ka dramë shqipe. Jam i bindur që dramë shqipe ka, por nuk u intereson që të ketë, sepse duke pasur dramë shqipe, kjo e fundit do të sjellë edhe problemet aktuale të kohës, të cilat do të ngacmojnë qoftë pushtetin, qoftë shtetin, qoftë të metat e kësaj shoqërie.
Atyre u intereson një shfaqje e dhënë për problemet që ndodhin në Angli, ku njeriu shkon dhe zbavitet. Nga ana tjetër mungon nxitja e regjisorëve përmes përgatitjes së tyre. Pra shteti duhet të mundësojë që regjisorët të shkojnë dhe të specializohen edhe jashtë, të kenë komunikime me trupa të tjera.
Duhet të ketë shkëmbim, po ashtu trupat e huaja të vijnë të japin shfaqje këtu. Të gjitha këto bëjnë që të rritet niveli. Ne jemi në një situatë të tillë, ku mund të flasim edhe për shfaqje me kaseta, të cilat mund t’i shikojmë edhe në Youtube. Por janë pikërisht këto shfaqje që vihen në skenë, duke mos pasur një nivel regjisorial, duke imituar shfaqjet e huaja që publikut tonë nuk i thonë asgjë.
Pra është e nevojshme të gjendet një koncept regjisorial që t’i flasë kohës ku t’i jeton, publikut që e sheh. Në të kundërtën ato shfaqje nuk kanë absolutisht asnjë vlerë dhe vijnë thjesht si një tekst që lexohet. Nëse është kështu le të marrim një tekst të Ibsenit dhe ta lexojnë 6 aktorë, ndërkohë që publiku dëgjon se sa bukur tingëllon.
Po kështu le të lexojmë Shekspirin, në një kohë kur ke mundësi që ta sjellësh në një formë që ngre probleme që prekin shoqërinë shqiptare. Vetëm atëherë Shekspiri në skenë merr vlerën e duhur! Në momentin që t’i e lë artin skenën në këtë derexhe, atëherë padyshim që rezultate pozitive nuk do të ketë dhe shfaqjet nuk do të kenë nivelin e duhur.
A ka talente Shqipëria sot, apo na duhet të pranojmë konstatimin e bërë nga kryeministri Edi Rama, se “yjet” i takojnë brezit tjetër?
Por si mund ta thotë kryeministri një gjë të tillë, kur ai nuk ka parë asnjë shfaqje?! Sepse ka aktorë të rinj shumë të talentuar, që kryeministri as i ka parë, as nuk ka për t’i parë ndonjëherë, përderisa nuk vjen në teatër.
Këtu ka aktorë, dhe duhet të ngrinin zërin ata aktorë të rinj, duhet të bashkoheshin me ne për të mbrojtur interesat e tyre veten e tyre, sepse është e padrejtë që të thuash diçka të tillë kur nuk i ke parë, kur nuk u jep mundësinë që ata të shprehen ashtu si duhet.
Unë kam parë se ka disa vajza dhe djem të rinj në shfaqjet që kam ndjekur, të cilët janë me të vërtetë të talentuar, por atyre u duhet dhënë mundësia. Neve nëse flasim për aktorët e brezit të shkuar (ku tashmë fus dhe veten), ata arritën aty ku arritën, ndodhi sepse shteti interesohej, u dha mundësinë. Asokohe shfaqjet jepeshin përnatë.
Përgatitja ishte shumë serioze, shkolla po ashtu, çdo gjë bëhej me një përkushtim të jashtëzakonshëm. Unë nuk harroj kurrë, kur rrija orë e orë të tëra, punoja në mënyrë individuale për “Luiza Miller”, “Orët e Kremlinit” të Ribakov dhe të tjera role. Po kështu dhe kolegët e mi. Kishte një seriozitet të jashtëzakonshëm, por pse sot bie përkushtimi?! Sepse nuk u jepet artistëve asnjë shpërblim.
Nuk u jepet mundësi për të punuar, ashtu siç duhet. Investime nuk bëhen. Teknika është në një gjendje tanimë të njohur, pasi Qeveria e lë Teatrin të shkatërrohet në atë farë feje, sa i mohon publikut dhe ngrohjen. Dhe kjo e bërë me qëllim, sepse kërkon të përfitojë, që nesër ta shembë dhe të përfitojë ca para. Atëherë natyrisht që niveli i teatrit ky do të jetë!
Kjo është një fatkeqësi e jashtëzakonshme dhe për mua nëqoftëse ka një nivel të ulët teatror, është vetëm faji i atyre që drejtojnë. I kësaj Qeverie që është aktualisht, por edhe i qeverive të tjera që kanë qenë përpara. Unë nuk i bëj skonto dhe atyre që kanë qenë më herët, pasi dhe ata nuk kanë investuar në fushën e artit. Edhe ata kanë dorë në shkatërrimin dhe vjedhjen që po i bëhet teatrit. Të gjithë politikanët kanë dorë në vjedhjen dhe shkatërrimin e kulturës shqiptare.
Përsa i përket kinematografisë, duket se shqiptarët mbeten ende nostalgjikë për filmat e socrealizmit. Ndodh kjo, sepse kinematografia sot nuk po prodhon në një nivel që të tërheq publikun. Po investimi që bëhet në këtë sektor a është i mjaftueshëm sipas jush?
Unë do të thoja se kinemaja shqiptare pavarësisht gjykimeve dhe paragjykimeve , nostalgjive etj., po lëviz. Unë kam luajtur në atë dhe në këtë kohë, kam luajtur edhe në filma dhe televizione të huaja, po nuk e kam atë mendim, pra që kinemaja e viteve të socializmit është më e mirë. Por pse ndodh publiku njeh më mirë ata filma?
E para, sepse distribucionin nuk e kemi ashtu siç duhet, nuk ekziston pothuajse fare. Veç kësaj është fakti se sot ka shumë mënyra informacioni, teknologjia, larmishmëria që ofron dhe problemet sociale ndikojnë po ashtu. Në atë kohë Shqipëria ishte e mbyllur, mundësitë të pakta. Mandej fakti që edhe ata që nuk e kanë jetuar atë periudhë i shikojnë filmat me kënaqësi, ka të bëjë edhe me aspekte të tjera, siç është kujtesa.
Shumë njerëz shohin se si ka qenë e shkuara jonë, si ka qenë Tirana, Korça e dikurshme, njerëzit në atë kohë, ç’probleme kishin ata. Batutat që përdornin dhe çka përmenda mësipër krijojnë një lloj ndjesie tek njeriu për të shkuarën. Dikush e shikon duke thënë: “Si paskemi qenë?”, pra ka një lloj dëshire për ta rizbuluar të kaluarën.
E përmendët më sipër distribucionin, asokohe filmi shkonte në rrethe…
Në atë kohë me anë të telekinemave filmi shkonte në çdo fshat, po ashtu shfaqjet teatrale. Unë personalisht nuk kam lënë fshat të Tiranës pa shkuar, pa dhënë shfaqje, që nga Kllojka, Baldushku, Shëngjergji, deri në zonat më të thella. Pavarësisht se mund të ishin edhe të ideologjizuara, tek njerëzit shkonte shfaqja.
Na ndodhte përshembull që të interpretonim edhe me lopën në skenë… Por edhe banori i fshatit arrinte të shikonte teatër, çka do ta ndihmonte të komunikonte, të bëhej njeri më i mirë, të reflektonte në veten e vet. Dhe kjo për mua ka qenë shumë e rëndësishme. E njëjta gjë duhet të ndodhë dhe me filmin. Distribucioni duhet të shkojë në çdo skaj.
Unë përshembull pata një eksperiencë me “Cinemania” verën që lamë pas dhe filmi im e të tjerë filma shqiptarë edhe evropianë u shfaqën në Vlorë, në Himarë, në Gjirokastër etj. Edhe unë vura re një tërheqje të jashtëzakonshme të publikut për filmin tim të fundit “Të thyer”. Nuk mund ta harroj që në Gjirokastër përshembull kishte të huaj që erdhën, pasi filmi u shfaq edhe me titra në anglisht.
Ata ishin gjermanë kishin ardhur në Gjirokastër si turist dhe panë dhe filmin. Më pritën pas filmit dhe më përgëzuan. Mes tyre një vajzë e përlotur, më falënderoi për sensibilizimin përmes temës së trajtuar. Kjo tregon se po të arrish ta çosh filmin aty ku duhet edhe spektatori do ta shikoj më me interes. Por natyrisht këtu ka edhe probleme të tjera. Shpesh ndodh, që disa kineastë të mendojnë si e si ta bëjnë filmin sa më tërheqës për festivale.
Natyrisht edhe ato ngjarje janë shumë të rëndësishme, dhe bashkëpunimi në këtë kontekst i ka bërë shumë mirë kinemasë sonë. Por duhet gjetur një rrugë e mesme. Ose më saktë duhen bërë filma që të jenë të mirë edhe për festivale edhe për spektatorin, por mbi të gjitha do të thosha duhet të jenë për spektatorin shqiptar, të flasin për probleme shqiptare, që publiku ynë t’i ndiej filmat shqiptarë afër vetes, në të kundërt kinemaja jonë do të mbetet e sipërfaqshme.
Në këtë aspekt mund të bëhet shumë më tepër dhe natyrisht do të ishte me shumë rëndësi që të kishte investime akoma më të mëdha, sepse buxheti ynë është nga më të ultët në të gjithë rajonin dhe natyrisht kjo të kufizon. Për më tepër që ne po e shkatërrojmë Shqipërinë, kujtesën e shkuar.
Tani nëse të duhet të xhirosh një skenë të viteve ’80 në Shqipëri nuk e gjen dot më. Rilindja urbane është shumë e mirë, normalisht që duhen hequr ato që s’janë të përshtatshme, ta pastrohet vendi, por duhet ruajtur kujtesa, fytyra e çdo qyteti. Kështu bëhet vendi aktraktiv edhe për turizmin.
Aktorët e Kosovës falë rezistencës që bënë rritën buxhetin…
Është e vërtetë, ata u mblodhën të gjithë bashkë, protestuan, anuluan shfaqjet dhe pagat e tyre tani janë 1000 euro. Dhe të marrësh sot një aktor në film nga Kosova duhet të paguash shuma si 1000 apo deri në 3000 euro, kuptohet që varet dhe nga emri.
Këtë duhet të kishin bërë apo të bëjnë edhe tek ne, të qëndronin të bashkuar. Megjithatë pavarësisht probleme që përmendë unë mund të pohoj se kinemaja jonë ka bërë një hap përpara, bashkëpunimet kanë bërë që ne të shkojmë në Evropë, të rrisim cilësinë dhe nivelin e njerëzve që punojnë në Kinema, por po të kesh më shumë financime edhe rezultatet do të jenë shumë më të mëdha.
Qendra Kombëtare e Kinemasë ka bërë një hap të rëndësishëm qoftë sasior qoftë cilësor. Kjo tregon se kinemaja jonë lëviz dhe po të investohet më shumë. Jam i sigurt që shumë më tepër do të bëhet. Unë shikoj se edhe kineastët e rinj kanë perspektivë.