Nga Dhimitër Shtëmbari
Para disa muajve u festua 50 vjetori i krijimit të estradës profesioniste të Lushnjes. Në radhën e atyre që u përmëndën si kontribues të asaj trupe që nbajti gjallë humorin e Myzeqesë u përmënd edhe emri i Pavlina Manit. Dhe le të kujtojmë këtu se kur krijohej kjo trup, më 1962, ajo ishte vetëm dymbëdhjetëvjeçare; nxënëse në shkollën shtatëvjeçare.
Të gjithëve u erdhi mirë. Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Edhe pse e larguar nga Lushnja për në Tiranë që kur ishte katërmbëdhjetëvjeçare (tashmë me banim në SHBA), bashkëqytetarët e vetë, pse jo – tërë myzeqarët ndiheshin krenarë për arritjet e saj.
E lindur më 13 nëntor të vitit 1948 në lagjen “Çlirimi” të qytetit të Lushnjës, Pavlina Prifti do të rritej në frymën e shëndoshë të prindërve të saj të mrekullueshëm, Josifit e Kostandinës – njerëz shumë punëtorë.
Në familje do të gjente mjedisin e përshtatshëm për të zbuluar vetveten. Për të ndërtuar urat e së nesërmes. Për të fluturuar me krahët e ëndrrës më të bukur.
Që fare e vogël Pavlina do të shquhej për zellin e saj aktoresk. Ndërsa deklamonte me zë të fuqishëm e melodioz vargje nga poetët tanë më të mirë, mësues e nxënës heshtnin. Heshtnin për të dëgjuar magjinë e zërit të saj. Drejtuesit e Shtëpisë së Kulturës në qytet ishin të detyruar ta mbanin afër dhe ta aktivizonin në veprimtaritë që organizoheshin në shkallë qyteti me rastin e datave a të ngjarjeve më të shquara historike. Edhe pse e vogël në moshë, bëri emër në shkollë. Në lagje. Në qytet. Emri i saj u bë shumë i njohur deri te ata që drejtonin punët e kulturës në rreth. Ta mbajmë afër këtë vajzë të talentuar, shpreheshin, sepse na duhet të recitojë në veprimtaritë që do të organizojmë.
Ndër ish studentet më të talentuara të Instittutit
Mbasi mbaroi shtatëvjeçaren në shkollën “Kongresi I Lushnjes”, talenti e dërgoi Pavlina Priftin të konkuronte për t’ú pranuar nxënëse në Shkollën e Mesme Artistike “Jordan Misja” në Tiranë. Konkursi qe thjesht një formalitet për të. Pranohet për t’i ndjekur mësimet në degën e muzikës. Siç tregojnë ata me të cilët ka mësuar në këtë shkollë, kjo do të ishte ndër më të shquarat.
Me mbarimin e arsimit të mesëm artistik, Pavlina u vu në ndjekje të ëndrrës së vetë. Tashmë i duhej të përballej me një tjetër konkurs. Por kjo jo për këngë. I duhej të provonte talentin në fushën e aktrimit. Dhe rasti e sjellë që kryetar i komisionit të këtij konkursi të ishte Piro Mani, një emër i madh i regjisurës shqiptare. Gjatë këtij konkursi kryetari i konkursit zbuloi te kandidatja që vinte nga Lushnja njëherësh aktoren dhe njëriun. Dhe nuk kish pas gabuar. Kohë më pas, kjo vajzë do të bëhej një aktore e mirënjohur. Ndërkohë, do të bëhej edhe një bashkëshorte e mrekullueshme e të madhit Piro Mani.
Mes edhe disa shokëve e shoqeve të saj, Pavlina Mani tashmë e më pas do të vazhdonte rrugën e bukur të artit dramatik, rrugë e nisur bukur që kur kishte qënë studente. Kohë më vonë ajo do të kujtonte, jo pa emocion, rolin e Larisës në dramën “Dasma pa prikë” të Nikolla Ostrovskit. Duartrokiltjet gjatë asaj shfaqeje të pare do t’i merte si një urim përgëzues që i jepej prej spektatorit: vazhdo, Pavlinë, se je në rrugë të mbarë!
Tashmë nuk ishte ajo që do të mundohej të gjente rrugën nga duhej të shkelte. Në ndihmë i ishte vënë talenti. Kërkuese këmbëngulëse ndaj vetes, nuk deshte kurrësesi që të tjerët të mendonin: hë, se i ka të hapura rrugët, nga që është bashkëshortja e Pirros. Vendosmërisht në të përpjetën e vështirë të artit, nusja e re dëshmonte unin e saj artistik. Me këtë “unë” të vetin ajo do të kunkuronte ndershëm me tërë moshataret e veta. Në fakt e kish pas filluar që kur kishte qënë studente me rolin e Shpresës te filmi “Oshëtimë në bregdet”.
Ia arriti të dilte tej hijes së të madhit Piro Mani
Nuk i kish pas pëlqyer asnjëherë që të qendronte nën hijen e rëndë të të shoqit. Madje kjo e mundonte. Nuk do të donte që t’i bënin shoqëri dhe ta respektonin si bashkëshorte të shefit të tyre. Teksa mendonte këtë, i bëhej sikur do të mbeste e nënvleftësuar si aktore. Mendonte këto, prandaj bënte përpjekje që përgjigjen që meritonte ndokush, ta merte vetëm aty në skenë. Nga spektatorët. Nga duartrokitjet e tyre. Në fund të fundit, mendonte ajo, ata do të më vlerësojnë. Ata do të më mbrojnë. Ata do të më çelin rrugën për më tej.
Kishte vepruar siç kish menduar, andaj ndodhi që Pavlina të emrohej aktore pranë Teatrit Popullor në vitin 1967, domethënë menjëherë mbas mbarimit të studimeve të larta.
Falë vullnetit të jashtëzakonshëm, Pavlina i dha krah talentit të saj. Gjithçka që kishte në zemrën e saj, e derdhte në sallë. Ua përcilte spektatorëve. Dhe këta ia kthenin me duartrokitje. Teksa binte perdja e fundit, aktorja e re ndihej e lehtësuar. E lehtësuar nga ajo peshë e madhe, që deri në ato çaste i i rrinte si një gur i rëndë brënda kraharorit. Dhe nisej për në shtëpi, duke shfletuar një tjetër faqe të ëndrrës së vetë.
Nuk do të kalonin shumë vite dhe Pavlina do të bëhej një kolege e denjë e mjeshtreve të mëdha të skenës, siç ishin Margarita Xhepa, Violeta Manushi, Besa Imami, Marie Logoreci, Esma Agolli, Tinka Kurti, Marika Kallamata, Drita Pelingu, Roza Anagnosti, Mimika Luca, Liza Vorfi, Yllka Mujo, Hajrie Rondo, Natasha Sela e të tjera.
Inteligjente si aktore dhe me intuitë krijuese, Pavlina Mani iu imponohej spektatorëve përmes talentit të vetë. Kush ka ndjekur komedinë “Pallati 176” të Adelina Balashit ka menduar se përpara ka pasur Lirinë (e komedisë) dhe jo Pavlinën. Një nënë e dashur deri në dhembshuri, mbas disa minutash e shikojmë të shndërrohet në një grua të sikletosur deri në çmënduri për shkak të “gjëmës”, që i bëri e bija! Situata merr tension të fuqishëm absurd; nga serioz – në qesharak.
E dyzuar në karakter, Pavlinës aktore i duhet të kalojë, për hirë të së bijës, nga njëri ekstrem i moralit të kohës, në tjetrin! Dhe arrin të krijojë krushqi me Jovan Bregun, fqinjin e saj, që deri në ato çaste e kishte pasur të vështirë ta respektonte edhe si komshi! E tërë loja aktoreske e Pavlinës është një plastikë e shkëlqyer karakteriale. Ndërsa e ndjek teksa luan në skenë, ndjen së brëndshmi dhimbje për këtë nënë, por të vjen edhe të qeshësh! Dhimbje që të bën të qeshësh!
E tjetërsuar në skenë, krijonte karaktere
Ata që i kanë pas ndjekur shfaqjet e dhëna në skenën e Teatrit Popullor, me siguri që iu kujtohet roli i Olivies te “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit. E tjetërsuar në skenë, e futur në lëkurën e rolit, aktorja e re qe shndërruar gjatë atyre dy orë shfaqje në një tjetër “njëri”! Në shfaqjen mbresëlënëse “Intrigë e dashuri” të Shilerit, vënë në skenë në vitin 1970, aktorja njëzetedyvjeçare shkëlqen në rolin e Ledi Milfordit, duke e detyruar sallën të pushtohet nga duartrokitjet e stuhishme.
Të shumta janë rolet e Pavlinës në skenën e Teatrit Popullor, role që kanë nbetur jo thjesht në arshivën e këtij institucioni, por në kujtesën e shumë prej spektatorëve që i kanë pas ndjekur shfaqjet e saj. Ajo krijoi figura të spikatura, sikundër edhe karaktere në të gjitha rolet që luajti, si në veprat skenike “Romeo e Zhuljeta”, “Vizita e inspektorit”, “Rikardi i tretë”, “Armiku i popullit” e të tjerë.
Me këto e me shumë e shumë role të tjera, ajo do të krijonte e do të konsolidonte fytyrën e vetë aktoriale. Sikundër pat vendosur kaherë, ajo do të vazhdonte si e veçantë mes të të njëjtave aktore, ashtu sikundër do të vazhdonte si e njëjtë mes gjithë të të veçantave. E çdoherë do të mbetej në kujtesën e shikuesve të shumtë një aktore pa makiazh fals.
Mjeshtre në çdo rol tragjik e komik
Talenti i Pavlina Manit ishte shumëplanësh. Serioze në shumicën e roleve, por edhe komike në mjaft të tjera, ajo i ka pas dërguar shikuesit njëriun që të bën të qash dhe, në rastin tjetër, njëriun që të bën të qeshësh. Në komedinë “Një nuse për Stasin” ajo sikur u thotë spektatorëve: “Më keni njohur serioze apo e planit tragjik, por jam edhe e planit komik”. Nuk ishte e rastit, që edhe këta – spektatorët, mbas çdo batute lëshonin stuhinë e të qeshurit kolektiv.
Po kështu, në rol komik do të luante edhe te pjesa “Tetë persona plus” të Ferdinant Radit. Vlera të spikatura aktoreske komike ka shpalosur kjo aktore e talentuar edhe te “Revizori i Gogolit” etj. Siç pat qënë shprehur në biseda të lira vet kjo aktore, ajo jo thjesht punonte në teatër, por jetonte shpirtërisht aty. Kolektivit teatror nuk i shtohej, por i përkushtohej. Repertorit të Teatrit i merte punën dhe i jepte rezultatin. Çdo rol i saj plotësonte mozaikun tërësor të personazheve të shfaqjes.
Kontributi aktoresk i Pavlina Manit është i madh edhe në kinematografi. Çdo rol e merte me dashuri dhe i jepte shpirt. Edhe figurave më të thjeshta u ka dhënë rëndësinë e roleve të dorës së parë, duke i realizuar si të tilla. Këtu qendron edhe e veçanta e saj. Gjithçka që i qe besuar, ajo e pat nxjerrë të skalitur. Le të kujtojmë këtu Lulushen te komedia “Pas vdekjes” e Andon Zako Çajupit.
Skena ku lëviz Lulushja mbushet plot realizëm dhe besueshmëri. Pavlina – Lulushe krijon sfond komik edhe për tërë të tjerët. Le të kujtojmë mësuesen e muzikës te filmi “Lulëkuqet mbi mure”. Me sjelljet e saja prej një dhaskalice që kërkon t’u mësojë nxënësve shqiptarë një këngë të huaj, bëhet aq bindëse, sa që je i detyruar të qeshësh. Loja e shkëlqyer e kësaj aktoreje futet në linjë komike me atë të kujdestarit dhe të guzhinier Lonit!
Komunikim shpirtëror me spektatorin
Siç e ka vënë në dukje edhe kritika e kohës, Pavlina jo thjesht interpreton, por edhe komunikon drejtpërdrejt me spektatorin përmes magjisë së fjalës, të mimikës, të lëvizjeve etj. Kësisoj, ajo ta sjellë përpara njëriun që luan. Ta sjellë të besueshëm, siç ti do të doje të ishte. Siç ti do të mund të besoje se ishte. Siç ti do të kishe pas rast të takoje një të tillë në jetë.
Ndiq pjesët e telenovelës së parë shqiptare “Njërëz dhe fate” të TV Publik Shqiptar dhe do të bindesh, që kjo aktore do të të vijë jo si artiste që luan rol, por si një nënë e vërtetë që vuan. Dhe ti mbërthehesh nga ndjenja të fuqishme, së brendshme çliron emocione dhe, krejt natyrshëm e befas, përlotesh e të vjen të qash. Ja, kjo është forca shprehëse e kësaj artisteje të madhe, që mjerisht iu shkëput shumë shpejt skenës dhe shesheve të xhirimit.
Fitues i disa çmimeve në festivalet e filmave shqiptarë, Pavlina Manit i qe dhënë edhe titulli Artiste e Merituar.
Se cilat ishin vlerat e vërteta, shumë të mëdha, të kësaj artisteje me shumë kontribut në Shqipëri, kjo u vërtetua në Festivalin Europian të Saint Etjenit në Francë: me rolin e Dritës në filmin “Bolero” Pavlina Mani u cilësua aktorja më e mirë e këtij Festivali ndërkombëtar.
Disa nga filmat ku ka luajtur Pavlina Mani:
Oshëtimë në bregdet – (1966) Shpresa, Mimoza llastica – (1973) Nëna e Mimozës, Qyteti më i ri në botë – (1974), Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1975) Beti, Lulekuqet mbi mure – (1976) Mësuesja e muzikës, Radiostacioni – (1979) Mariana, Pas vdekjes – (1980) Lulushja, Rruga e lirisë – (1982) Nafia, Në prag të jetës – (1985) Ermiona, Dy herë mat – (1986) Gruaja e Ilos, Tela për violinë – (1987) Gruaja e Muços, Stolat në park – (1988) Antigona, Fletë të bardha – (1990) (TV) , Kristina, Bolero – (1997) Vera, Po vjen ai (1999) (mini – seri), Njerez dhe Fate – (2001-2003) Drita, Ishte koha për dashuri – (2004).
Disa nga shfaqjet më të spikatura, ku ka pas luajtur:
Nata e dymbëdhjetë, Dasmë pa prikë, Romeo dhe Zhuljeta, Vizita e inspektorit, Armiku i Popullit, Një nuse për Stasin, Rikardi i tretë, Intrigë e dashuri, Fytyra e dytë, Pallati 176 – (1985) Lirija, 8 persona plus, teatër-komedi, Kush e solli Doruntinën (1989) Një nga vejushat etj.