Ngjitja në skenën e Teatrit të Metropolit “Të korrurat e gjelbërta”, shkruar e venë në skenë nga Bruno Shllaku, një tragjedi ndëshkuese e rregjimit komunist ndaj klerit, të rrënqeth nën interpretimin e Bruno Shllakut, Mimoza Marjanakut, Dana Xhaj, Kliti Roshi, Fran Vuka dhe kastës së aktorëve të rinj.
Sipari ngrihet dhe fillesa e rrjedhës që merr jetë nga një foto e Mjeshtrit te Fotografisë Marubi. Një foto tashmë e gjallë formuar nga personazhe aktorë, që në heshtje të fusin menjëherë në kohën e largët, kur diktatura komuniste do të bënte një nga masakrat më mizore, atë ndaj klerit, sidomos ndaj atij katolik. Personazhi i hoxhës plotëson gjithë dhunën antifetare të kohës.
Bazuar më shumë në monologë domethënës, nën një skenografi dhe ndriçim bardhë e zi, ku nxirren bukur portretet si në kompozime piktorike (gjetje të bukura), vjen e zhvillohet rrjedha e ngjarjes. Simbolika e saj shpalos dënimin, vuajtjen, faljen dhe shpresën. Nën këtë ngrehinë njerëzore lëvizin shpirtra të lirë nën puhizën e monologëve shpjegues.
Ndonëse e përmbajtur në ritëm, shtjella e ngjarjes vjen e ngrihet në simbolikë në dy kohë grafike zi e bardhë, shtypje deri në krim (mbyllje në arkivol e kryqëzim në kryq) pastaj durim e shpresë si ndjenjë përjetësie besimi. Bruno Shllaku nën zhgunin e priftit arriti mjeshtërisht të përçonte mesazhet nën një paraqitje imponuese me një portret të skalitur, ku fytyra e rreshkur përballet me të argjendën e flokëve.
Mimoza Marjanaku e futur thellë rolit shprehte me plastikë lëvizëse përtej dhimbjes së Nënës, duke e bërë të besueshëm personazhin dhe lëshimi i dy – tre klithmave ngjethëse e ngrinë mjedisin e shikuesve, duke sjellë të gjallë klithmat e kohës nën diktaturë.
Dana Xhaj tipike katolike zbrazi gjithë atë botë alpine veriore.
Ambra Marjanaku nën ekzekutimin me violinë mbante peshë shpirtrat e të burgosurve dhe jepte “sinfoninë” e trishtueshme të saj…
Gjetjet regjizoriale si kryqi, arkivolet dhe znxhirët nën këmbë rritën tensionin në skenë dhe dha qartë simbolikën dhe mesazhin njerëzor në ngritjen e foshnjes drejt Dritës. Muzika shoqëruese me tinguj vagnerian shkonte në të njëjtën linjë dhe ishte zgjedhur me shije të hollë. Teatri i Metropolit në ndërtimin e veçantë e bënte dramën më të ndjerë, duke e afruar shumë akrorët me shikuesit, çka sillte ndjeshëm rritjen e emocioneve të këtyre të fundit.
Burimi nga Agim Janina