Drama “Epsh dhe lakmi” vjen për tre mbrëmje në teatrin e qytetit të Elbasanit. Në muajin e parë të këtij viti në skenën e teatrit “Skampa” do të ngjitet vepra e autorit Eugene O’Neill. Shfaqjet që janë në repertor të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” përveç skenës së Tiranës do të jenë edhe në teatrot e tjerë të rrethe. Këtë vit është e para shfaqja “Epsh dhe lakmi”, që do të jetë në skenën e Elbasanit.
Drama me përkthim nga Artur Lena është me regji nga Endri Çela dhe do të jetë në “Skampa” në datat 10, 11 dhe 12 janar, në orën 18:00. Në dramë luajnë aktorët Gëzim Rudi, Dasara Xhangolli, Josif Sina, Andi Begolli, Urim Aliaj, Barjam Dosti, Bujar Hoxhaj, Rexhina Ibro, Xhoana Sula, Anxhela Dervishi. Në materialin e veprës shpjegohet se shfaqja i mëshon instinktit njerëzor.
“Themi që shoqëria shqiptare vazhdon të jetë e ndrydhur, e tredhur, madje edhe ata që shfaqen si “openmind” e deklamojnë sa më shumë si pasojë e komplekseve madhore, prandaj individi, sidomos ai shqiptar, udhëhiqet më shumë prej instinktit.
Shfaqja flet për mungesën, për vetminë, që për t’i mposhtur e për ta gënjyer veten, ky individ zgjedh rrugën më të shpejtë, kapet pas gllabërimit të pronës, materiales dhe thotë “kjo është e imja”, dhe nuk kapet pas individit tjetër e të thotë “unë jam i yti dhe ne jemi bashkë”. Flasim për pengjet e së shkuarës, për hakmarrjen, për arratisjen nga Shqipëria, për lirinë. Shkurt shfaqja është jeta e individit shqiptar”, thuhet për shfaqjen.
Sipas regjisorit Endri Çela, edhe pse vepra është e shkruar në 1925 për Amerikën Veriore, ajo është aktuale më shumë se çdo vepër tjetër e shkruar nga shqiptarët në ditët e sotme. “Nëse do hiqnim emrat e përveçëm të personazheve apo vendeve, dhe fjalinë”po shkoj të ndez qirinjtë” (dhe jo “dritat”), do thonin që Eugene O’Neill qenka shqiptar.
Nëse do vazhdonim më tej me faktin se çfarë më ngacmoi personalisht me këtë vepër, është çështja që autori e mbështet gjithçka te instinkti. Që nga titulli, vihet re që na shpalosen personazhe, që udhëhiqen nga epshi dhe lakmia.
Në një shoqëri shqiptare ku individi prej vitesh ka qenë i dhunuar dhe është i dhunuar sepse dhuna lind dhunën, atëherë ai ka mungesa të theksuara që përpiqet t’i plotësojë në mënyrën më të thjeshtë e më të shpejtë”, tregon regjisori Çela. Skenografia është nga Beqo Nanaj, kostumografe Sofi Kara, koreografe Rexhina Ibro dhe as. regjisor Kleard Gërmenji.
Drama në skenë
Pjesa flet për individin e vetmuar, që përpiqet të kuptohet, por nuk kuptohet; që përpiqet të gjej veten, të sigurojë jetën, mbijetesën; që e sheh veten të plotësuar kur kapet pas diçkaje materiale, në pamundësi për t’u kapur te individi tjetër.
Vepra zbulon marrëdhënien atë-bir e parë nga kompleksi i Edipit; zbulon marrëdhënien e fortë të individit me pronën, e sidomos me tokën; ndjenjën e posesivitetit dhe pushtetit; frikën e plakjes dhe e të lënit gjithçka pas; flet për të shkuarën që të mban peng dhe, mbi të gjitha zbulon dashurinë e fortë të një nëne dhe të një bashkëshorteje.
“Epsh dhe Lakmi” e Eugene O’Neill është një nga veprat e para më intrigueset të tij, dhe është shembulli më perfekt i dëshirës së tij për të bashkuar modernen me antikitetin grek. E shkruar dhe e vënë në skenë për herë të parë më 1924, O’Neill është ndikuar nga miti i Edipit, Medeas dhe Hippolytus.
Gjuha e përdorur është ajo e zhargonit të përditshëm të New England-it, duke e bërë veprën të tingëllojë si natyraliste. O’Neill është i vetmi dramaturg amerikan me çmimin “Nobel” në letërsi dhe i vetmi që e ka fituar katër herë çmimin “Pulitzer”.