Dokumenti i veçantë/ Kineastët kërcënojnë me tërheqjen e filmave shqiptarë

0

 

 

Kineastët shqiptarë kërcënojnë me tërheqjen nga qarkullimi të filmave të tyre, nëse Ministria e Kulturës nuk reagon dhe nuk ndërhyn për zgjidhjen e ngërçit të krijuar pas ngritjes së strukturës, që quhet Sporteli UnikSUADA.

 

Pak kohe më parë bordi drejtues i Forumit për Mbrojtjen e Autorëve Audiovizualë (FMAA) zhvilluan mbledhjen e radhës për të diskutuar mbi aktivitetin e forumit për vitin 2018 dhe miratimin e bilancit financiar. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin anëtarët e bordit Piro Milkani, Saimir Kumbaro, Vladimir Prifti, Kristaq Prifti. Drejtori Ekzekutiv i FMAA-së, regjisori dhe skenaristi, Esat Musliu, thotë se pas 16 vitesh aktivitet, Forumi ndodhet në ditë të vështira. Ky organizëm, i cili ka lidhur rreth 80 kontrata me autorët kineastë, regjisorë filmi artistik dhe dokumentar, skenaristë, drejtorë fotografie, në mbrojtje të të drejtave të krijimeve të tyre, është në prag falimenti.

 

Sipas Musliut, “problemet nisën që me krijimin e Sportelit UNIKSuada, e cila do të vilte të gjitha të ardhurat për përdorimin e krijimtarisë artistike për t’ua shpërndarë më tej përfituesve, që janë autorë e interpretues, por më së shumti të kreut të saj Erlir Puto, që njëkohësisht drejton edhe Albautor”.

Kreu i FMAA shprehet se Puto i ka kaluar të gjitha të ardhurat në favor të Albautorit, që në vitin 2018 është pajisur me një licencë të re nga Ministria e Kulturës, përmes së cilës mbron autorët krijues në përgjithësi, duke përfshirë edhe autorët audiovizualë “në kundërshtim flagrant me licencën e FMAA, që mbron prodhimin audiovizual shqiptar e të huaj”, ndërsa më parë licenca e kësaj agjencie kufizohej vetëm në fushën e muzikës. “Për FMAA-në, të ardhurat për vitin 2018 kanë qenë vetëm nga 3 subjekte (RTSH, DIGITALB sha dhe TRING TV). Pjesa e mbetur e subjekteve televizione, ritransmetues kabllorë, televizione valore lokale, hoteleri dhe resorte turistike e të tjera subjekte, të cilat kanë paguar të drejtë autori pranë SUADA për përdorimin e veprave audiovizuale, përkthehen në vlerën 330.000 lekë nga drejtori i SUADA, z. Erlir Puto.

 

Ne nuk e kemi pranuar dhe nuk e pranojmë kurrë këtë vlerë”, thotë Musliu, duke cituar edhe relacionin e mbajtur në mbledhjen e bordit. Ai theksoi se shqetësimin e tyre e kanë ngritur pranë organeve përkatëse, madje kanë takuar edhe ministren e re të Kulturës, por nuk kanë parë zgjidhje të problemit të tyre. Nisur nga kjo situatë, nëse situata nuk ndërron, bordi i FMAA-së diskutoi falimentimin e Agjencisë, shoqëruar me tërheqjen e gjithë prodhimtarisë kinematografike, që është përfshirë nën “ombrellën” e saj.

Qëndrimin e tyre ata ia përcollën përmes një letre edhe ministres së Kulturës, Margariti, duke i bërë me dije zgjidhjen përfundimtare, radikale nga ana e tyre, nëse nuk do të ndërhyhet për stabilizimin e situatës. Ata kanë kërkuar si kusht pezullimin e aktivitetit të SUADA-s dhe largimin e kreut të saj, Puto, deri në sqarimin e situatës së krijuar, si dhe rishikimin e licencave të agjencive. Mbivendosja e fushave të veprimit të disave prej tyre me njëratjetrën, me sa duket, ka sjellë këtë pështjellim në shpërndarjen e të ardhurave. Më poshtë, letra e plotë drejtuar ministres Elva Margariti.

 

LETRA FMAA Tiranë, më 15.03.2019 Lënda: Kërkesë për reagim institucional Drejtuar: Znj. Elva Margariti, ministre e Kulturës Znj. Risena Xhaja, Sekretare e Përgjithshme Këshillit Kombëtar për të Drejtën e Autorit (KDDA)

E nderuar znj. Ministre, Në vijim të takimit tonë të parë në zyrën tuaj, përfaqësuesit e FMAA-së parashtruan problematikën e agravuar të krijuar në fushën e të drejtave të autorëve, sidomos pas funksionimit të SUADAs. Ju na kërkuat gjithë kompetencat dhe dokumentacionin që ne kishim kryer me Ministrinë e Kulturës dhe në shpresë të plotë se diçka do të ndryshonte, ua përcollëm zyrtarisht. Që në 30.01.2019, ne jemi në pritje të një përgjigjeje, apo reagimi nga ana juaj, por ende nuk po ndodh asgjë.

Që nga ai moment e deri më sot, SUADA nën drejtimin e z.Erlir Puto ka vazhduar aktivitetin e saj e pashqetësuar dhe e zhytur në paligjshmëri e shkelje të rënda ligjore. SUADA vazhdon të ndajë të ardhura për agjencitë, përveç FMAA-së. Z. Puto, me vullnet të plotë dhe i bindur se nuk do të kontrollohet nga askush, ka shkelur urdhrin e ministrit të Kulturës nr.850 prot., datë 17.12.2018 “Për zbatimin e rekomandimeve të lëna nga grupi i punës, i ngritur me qëllim auditimin e Sportelit Unik-SUADA”.

 

FMAA nuk ka arkëtuar asnjë lek nga SUADA gjatë vitit 2018 dhe në vazhdim për vitin 2019. Gjithashtu, vazhdon të arkëtojë lekë në favor të ALBAUTOR, pavarësisht se vepron në kundërshtim me nenin 138/3 të LDA-së, pasi nuk ka nënshkruar marrëveshje me FMAA-në për ndarjen e përqindjes që do t’i shkojë secilës agjenci, që mbron të drejtat e autorëve krijues. Vitin 2018 e mbyllëm me 5.000.000 lekë më pak se vitin 2017, pasi na munguan në arkën tonë të ardhurat nga televizionet valore dhe kabllore.

Megjithatë, FMAA është e vetmja agjenci që shpërndau të ardhura për autorët për vitin 2018. Për vitin 2019 nuk kemi akoma asnjë të ardhur nga SUADA, e cila për muajt janar, shkurt 2019 ka shpërndarë: ALBAUTOR =2.396.548 lekë AKDIE = 1.849.150 lekë GRAMM-A = 1.849.150 lekë FMAA = 0 lekë Në këto kushte, FMAA-së nuk i mbetet gjë tjetër, por e imponuar nga situatat e krijuara, të plotësojë skenarin e mirëmenduar nga subjekte të licencuar në kundërshtim me ligjin për të shpallur falimentimin.

Këtë faliment, ne kineastët shqiptarë do ta shoqërojmë me tërheqjen nga transmetimi të filmave shqiptarë. Sipas Ligjit të të Drejtës së Autorit, pa miratimin dhe konfirmimin tonë (të autorëve krijues, regjisorë, skenaristë, drejtor fotografie) këta filma nuk mund të qarkullojnë më në publik. Ne jemi të bindur se ky veprim do të ngjallë reagim publik, pasi do të dalin jashtë funksionit të paktën 3 kanale në tre platforma dixhitale. Më të mëdhatë në vend, si dhe nuk do të shfaqen filmat shqiptarë artistikë, dokumentarë, kronikalë dhe të animuar në asnjë televizion lokal apo kombëtar, ndaj lutemi për ndërhyrjen tuaj për të rregulluar situatën zonja Ministre.

 

Në përfundim kërkojmë:

Pezullimin e aktivitetit të SUADA dhe largimin nga drejtimi i këtij subjekti të z. Erlir Puto, deri në sqarimin përfundimtar të situatave antiligjore të krijuara.

Anulimin dhe rilicencimin e agjencive që kanë marrë licenca me kusht gjobe si: ALBAUTOR 6.700.000 lekë AKDIE 1.000.000 lekë

Shqyrtimin e licencave të agjencive, të cilat janë në procese gjyqësore për veprimtarinë e tyre, si dhe kanë vendime gjykate në kundërshtim me ushtrimin e aktivitetit të tyre.

Pezullimin e licencës së Albautor, si mbrojtëse e të drejtave të autorëve krijues, me specifikimin e saktë si mbrojtëse e të drejtave të autorëve krijues ne gjininë e muzikës. Ju falënderojmë për bashkëpunimin dhe mbetemi në pritje të përgjigjes Suaj.

 

Me respekt, Drejtori Ekzekutiv Esat Musliu.

 

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here