Ditlindjet e njerëzve tanë, miqve, shokëve, kushurinjve, janë festat tona të shpeshta që na japin rast të ngremë nga një gotë verë. Sot, më 30 qershor, unë dhe ime shoqe Xhuljeta kemi tri të tilla bashkë dhe do të festojmë, pra, cazë më shumë. Por faqen e sotme të fejsbukut do ta zemë me njërën prej tyre, atë të Zhaneta Petushit. Kriteri zgjedhës është mosha dhe forca publike që përmban emri i saj.
GËZUAR DITLINDJEN E DASHUR ZHANI!
Ca ditë më parë i vajtëm Zhanit në Miami Beach, ku ajo jeton duke shijuar pamjen me pafundësi të oqeanit, pranë mbesave të saj të dashura. Për Zhanin është shkruar shpesh, siç i takon një artiste duarartë, mjeshtre e një arti që shijohet shumë, por pak publikohet dhe sidomos pak-pak u bije në sy spektatorëve të thjeshtë dhe të parëve të vendit.
Ata dekorojnë sipas ca kritereve për të cilët unë nuk dua të ndalem se prish humorin festiv të ditës së sotme. Pakënaqësinë mbi këtë temë e zbut fakti se inflacioni i dekorimeve të shkakton edhe buzëqeshje tek mendon se në atdheun tonë të shtrenjtë gjen shumë heronj, por jemi ngushtë me piedestalet.
Personalisht kësaj profesionisteje të shquar unë i detyrohem për sa e sa bashkëpunime dhe konsultime të pakursyera. Por në mënyrë të veçantë i detyrohem shumë për figurën kryesore të grimiorit (nga grimiore e shndërrova në grimior!) në romanin tim të dashur “Vdekja e Komandantit” Nga tregimi i saj real, unë mora fillin për përshkrime dhe zhvillime fiktive në atë libër.
Zonja Petushi ishte një autoritet profesional i mirënjohur thirrej në raste ekstra-artistikë dhe u thirr e para në ndihmë në një situatë zie kombëtare, teksa zyrtarët e lartë komunistë dhe familja përgatisnin ditët e lamtumirës Enver Hoxhës dhe sidomos ekspozimin e tij në homazhet e organizuara rreth trupit pa jetë të tij.
Zhanit i detyrohem dhe për bashkëpunimet në përjetësimin e spektaklit tim televiziv “Dy krisma në Paris” si edhe përkujdesjeve të saj në miniaturat e mia humoristike të koncerteve të Viteve të Rinj për shumë fundvite me radhë.
Por më shumë se unë, Zhankës tonë i detyrohen artistët më me peshë që kanë parakaluar në sytë tanë. Dora e kujdesshme e Zhanit gjendet në realizimin e gjithë llojeve të filmave, të shkurtër dhe të gjatë të gjinisë, së komedisë dhe dramës. përmbi fytyrat e artistëve më të mirë të skenës dhe ekranit shqiptar, që nga Robert Ndrenika, Sul Pitarka, Margarita Xhepa, Viktor Zhusti, Skënder Sallaku, Serafin Fanko, Bujar Lako, Tinka Kurti, Pavlina Mani, Luftar Paja, Koço Devole, Tano Banushi e shumë të tjerë.
Këto radhë sot do t’i mbyll me një të thënme më të thekur, që e marr hua dhe që duket sikur del nga gjokset e gjithë artistëve të para viteve ‘90. E këtë, guarda a caso, e ka shprehur ime shoqe: “ka aq shumë Zhani në fytyrat tona gjatë viteve!”
Jetë të gjatë, o artiste e artistëve!