Dario Fo: Koha për një rishfaqje të re
A e ka humbur teatri forcën e dikurshme? A është ai ende vendi ku përmes ironisë apo sarkazmës, fshikullohen sisteme e ndryshohen filozofi? Prej vitesh kritikë të teatrit të botës, flasin për një krizë të teatrit, një krizë që nuk ka të bëjë shumë me konceptet regjisoriale, apo me gjuhën e tij, por me vetë mënyrën sesi funksionin ky institucion i artit. Kriza botërore duket se ka prekur dhe këtë pjesë të djeshme të artit, e cila dikur dominonte dhe mbi vetë kinemanë. Ndërsa në Perëndim flitet më pak për një krizë të teatrit, në Ballkan apo Europë, lëvizja e aktorëve dhe regjisorëve nga një vend në tjetrin, mungesa e teatrove apo mosngritja e teatrove të rinj ndihet çdo ditë e më tepër.
Numri i shfaqjeve vjetore është kufizuar në çdo teatër, ndërsa kritikët vijojnë të gjejnë arsyet përse skena që dikur jetonte triumfin sot, nuk ka më shkëlqimin e dikurshëm… 27 marsi është quajtur dita ndërkombëtare e teatrit, që prej krijimit të Institutit Ndërkombëtar të Teatrit ITI. Ajo festohet çdo vit nga kjo qendër, si dhe nga komuniteti ndërkombëtar teatror nga të pesë kontinentet. Për të festuar këtë ditë, organizohen ngjarje të ndryshme teatrore, kombëtare dhe ndërkombëtare. Një nga më të rëndësishmet është qarkullimi i mesazhit të Ditës Botërore të Teatrit, përmes të cilit, me ftesë të ITI-së, një figurë e shquar në mbarë botën, reflekton mbi temën e teatrit si pjesë e kulturës së harmonisë dhe paqes botërore.
Mesazhi i parë i Ditës Botërore të Teatrit është shkruar nga Zhan Kokto (Francë) në vitin 1962. I dyti nga Artur Miller (1963), dhe më vonë, nëpër vite: Ellen Stjuart (1975), Vaclav Havel (1994), Ariane Mnuçkin (2005), Sulltan bin Mohammad Al Qasimi (2007), Augusto Boal (2009) dhe Xhon Malkoviç (2012). Mesazhi përkthehet në më shumë se 20 gjuhë, lexohet për dhjetëra mijëra spektatorë para shfaqjeve teatrore në të gjithë botën dhe shtypet në qindra gazeta të përditshme dhe në mediat audio-vizuale. Mesazhi i vitit 2013 është shkruar nga personaliteti i madh i teatrit italian dhe botëror, fituesi i çmimit “Nobel” (1997), Dario Fo. Sot Teatri Kombëtar shqiptar do të organizojë një takim të lirë me artistë të teatrit, ku do të flitet mbi temat më të ndjeshme të teatrit sot.
Dje ITI bëri publik në faqen e saj në internet se, këtë vit, kësaj organizate të madhe botërore i bashkëngjiteshin dhe dy teatro, ai i Kosovës dhe i Egjiptit. Më poshtë po botojmë mesazhin e dramaturgut të njohur italian Dario Fo për këtë ditë, përkthyer nga dy regjisorët Mehmet Xhelili dhe Adonis Filipi. “Pushteti, shumë kohë më parë, e çonte intolerancën ndaj njerëzve të teatrit deri aty sa i degdiste jashtë vendit. Sot, aktorët dhe kompanitë teatrore gjenden në vështirësi për të gjetur hapësira skenike, teatro dhe spektatorë, dhe kjo, për shkak të krizës. Politikanët, pra, nuk janë më të shqetësuar me probleme që kanë të bëjnë me atë se si t’i kenë nën kontroll ata që shprehen me anë të ironisë dhe sarkazmës, përderisa aktorët nuk kanë as hapësira, as publik që t’i adresohen.
Përkundrazi, gjatë Rilindjes, në Itali, ata që kishin në dorë pushtetin duhet të përpiqeshin shumë që t’i bënin zap komedianët, sepse ata kishin me vete publikun e gjerë. Është fakt i njohur se eksodi i aktorëve ndodhi në shekullin e kundërreformës, e cila shpalli shembjen e të gjitha hapësirave teatrore, veçanërisht në Romë, ku ata u akuzuan si ndotësit e qytetit të shenjtë. Më 1697-n, Papa Inoçenco XII, nën presionin e kërkesave të pandërprera nga krahu më konservator i borgjezisë dhe eksponentëve të lartë të klerit, urdhëroi prishjen e Teatrit Tordinona, i cili, sipas moralistëve, kishte regjistruar numrin më të madh të skenave të turpshme.
Në kohën e kundërreformës, Karlo Borromeo, që operonte në Italinë e Veriut, ishte angazhuar edhe personalisht për shpëtimin e “fëmijëve milanezë”, duke vendosur një vijë të qartë ndarëse midis artit, si forma më e lartë e edukimit shpirtëror, dhe teatrit, si manifestim i blasfemisë dhe vanitetit. Në një letër adresuar bashkëpunëtorëve të tij, me sa më kujtohet, ai shprehej pak a shumë si më poshtë: “Për të çrrënjosur farën e keqe, ne kemi bërë çmos t’i djegim tekstet që përmbajnë fjalë të pista, t’i fshijmë ato nga mendjet e njerëzve dhe në të njëjtën kohë, t’i ndëshkojmë ata që i përhapin shtypjen e teksteve të tilla. Por me ç’duket, sapo ne na zë gjumi, djalli nxjerr kokë përsëri dhe punon në mënyra më dinake.
Akoma më shumë penetruese shpirtërisht është ajo që shihet, krahasuar me atë që lexohet nëpër libra të tillë! Akoma më shumë i prish mendjet e adoleshentëve dhe vajzave të reja fjala e thënë me tonin dhe gjestin e duhur, krahasuar me fjalën e shtypur nëpër libra. Prandaj urgjente është t’i zhdukim nga qytetet tona ata që merren me teatër, ashtu siç bëjmë me shpirtrat e këqij”. Kështu, zgjidhja e vetme për krizën mbetet shpresa që kundër nesh dhe sidomos kundër të rinjve që duan të mësojnë artin e teatrit, të ndërmerret një përndjekje e madhe: një diasporë e re artistësh të teatrit, të cilët, prej këtij përjashtimi, pa dyshim, do të nxirrnin përfitime të paimagjinueshme në favor të një rishfaqje të re”, thotë Dario Fo në mesazhin e tij për këtë ditë.