Çdo lloj trashëgimie e jona e ka një zanafillë, për të cilën njohim edhe autorësinë. Personalitete të ndryshme janë vlerësuar si babai i këtij apo atij zbulimi, i kësaj apo asaj arritjeje madhore. Artisti i Merituar Dhimitër Trajçe mund të konsiderohet si babai i teatrit të Korçës. Jo thjesht nga fakti se ka qënë drejtori i parë i teatrit profesionist ‘ Andon Zako Çajupi’. Por edhe si pionieri i parë i këtij tetatri që e ngrti nga rruga.
Me dhuntinë e një artisti të lindur. I lindur në vitin 1913 në Korçë, kreu Liceun francez dhe për arsye ekonomike hyri në punë si sekretar tek një avokat. Pasioni për teatrin u shfaq te Dhimitër Trajçe që në moshën 16 vjeçare. Ai kishte ndjekur me mjaft ëndje filmat e kohës dhe artistët e saj, duke mbrujtur ëndrën për të interpretuar një ditë edhe vetë. Bashkëmoshatar me Vangjel Grabockën, Vasil Ballçon, Stefan Trebickën etj që i pati edhe miq krijuan në mëhallë një teatër me improvizime.
Rrugëtimi i tij i gjatë me teatrin nisi kështu duke shkruar komedinë ‘ Vërtet ëndër xha Risto’. Me pseudonimin Tri- Tra që ishte në modë për kohën, publikoi në gazeta lajme artistike dhe humor. Aty nga viti 1934 kujtohet se Dhimitër Trajçe ka qënë organizator i shfaqjeve teatrore në qytet. Dy vite më vonë, me shoqërinë ‘ Rinia Korçare’ spikati në interpretimin e disa roleve teatrore. U quajt si ‘ teatri i rrugës’ apo ‘ teatri i hijeve’ kjo zanafillë skenike në Korçë. Shtypi i kohës foli me vlerësime pozitive. Sipas kujtimeve që ka lënë artisti, kur u luajt pjesa ‘ Djallëzitë e Skarpinit’ xhandarët tentuan ta ndërpresin në aktin e tretë.
Por u tërhoqën përballë entuziazmit të spektatorëve korçarë. Shok me artistët e tjerë të njohur korçarë si Vangjel Grabocka dhe Sokrat Mio, nuk do të pranonte as nga shpërblimet e majme as nga kërcënimet të ishte pjesë e grupit tetaral të krijuar nga italianët në kohën e pushtimit. Për këtë qëndrim patriotik Dhimitër Trajçe u burgos dy herë. Duke dalë partizan, në muajin korrik të vitit 1943 e deri në çlirimin e vendit krijoi teatrin partizan në bashkëpunim me Stefanaq Pollo dhe Janaq Bakun.
Në këtë periudhë, duhet përmendur dramatizimi që i bëri pjesës ‘ Epopeja e Ballit Kombëtar’. Sapo u çlirua vendi Dhimitër Trajçe u emërua drejtor i shtëpisë së kulturës. Në vitin 1947 mbaroi shkëlqyeshëm dy kurse me pedagogë sovjetikë për regjizurë. Kur vuri në skenë të parën shfaqje teatrale pas çlirimit të titulluar ‘ Dasma korçare’ me skenograf Artistin e Popullit Vangjush Mio korri sukses të madh. Shfaqja u dha mbi 50 herë dhe salla mbushej plot.
Trajçe me përpjekjet dhe interesimin e tij ja ariti që në vitin 1950 të krijohet teatri i parë profesionist në Korçë. U caktua drejtor, por njëkohësisht aktronte dhe deri në fund të jetës ja kushtoi energjitë e pasionin teatrit dhe lëvizjes artistike në qytetin e Korçës. Ndonëse kishte qënë partizan dhe i përkushtohej vetëm teatrit, si pasojë e intrigave të ndryshme në vitet 1950-të u përjashtua nga partia.
Kuptohet se kjo ndikoi edhe në karierën si artist, madje edhe titulli Artist i Merituar ju dha me vonesë. Pionier i teatrit korçar dhe atij shqiptar, Dhimitër Trajçe në vitin 1949 luajti për herë të parë rolin e Harpagonit në komedinë ‘Kopraci’ të Molierit. Suksesi i saj mund të vlerësohet me mbi 100 shfaqjet e dhëna. Dhimitër Trajçe ka lënë gjurmët e tij të pashlyera në teatrin e Korçës me nië sërë rolesh dhe përkushtimin si drejtues i tij.
Siç e përmendëm më lart, ai mund të quhet edhe artisti I penguar për nga përndjekjet dhe intrigat e kohës. Por ja doli të ngrejë lart rolin e artistit, madje edhe në kinematografi. Duke interpretuar që nga filmi i parë ‘Tana’. Me të ashtuquajturat ‘ role të vogla’ mbetet i paharueshëm tek filmat ‘ I teti në bronx’ ku interpreton Mazllumin e famshëm. Por edhe nga filmat ‘ Gjeneral gramafoni’ ‘ Përballimi’ ‘ I treti’ etj.
Në vitin 1995, këshilli bashkiak i Korçës mori vendimin që Dhimitër Trajçe dhe Vangjel Grabocka të nderohen me titullin e lartë Artist i Popullit. U bë propozimi në Ministrinë e Kulturës, por nga Vangjush Furxhi si zvendës ministër erdhi përgjigjia se ky titull nuk akordohej më. U premtua për ndonjë titull të baraz vlefshëm, por gjithshka më pas mbeti në heshtjen e harresës. Dhimitër Trajçe edhe një herë u pengua në vlerësimin e figurës së tij artistike, edhe pse ishte ai i pari i artit skenik të Korçës.