Presidenti Meta zhvillon një takim me përfaqësuesit e klubit patriotik “Bashkësia Dibrane”
Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta zhvilloi një bisedë miqësore me personalitete të shquara drejtuese të klubit patriotik “Bashkësia Dibrane”, një nga shoqatat më të vjetra atdhetare e kulturore në vend.
Në këtë takim morën pjesë kompozitori i mirënjohur dhe “Nderi i Kombit”, z. Agim Krajka, Mjeshtri i Madh, z. Bujar Kapexhiu si dhe intelektualët z. Niazi Kosovrasti, znj. Mukades Erebara, z. Astrit Daci, znj. Manjola Perja, z. Saimir Shatku dhe z. Faruk Kaba.
Presidenti Meta duke çmuar lart komunitetin dibran, cilësitë e spikatura njerëzore, atdhedashurinë dhe kontributin e madh të brezave të tërë të kësaj treve për Pavarësinë dhe forcimin e identitetit kombëtar, vlerësoi rolin e kësaj shoqate për ruajtjen e promovimin e vlerave të trashëgimisë së pasur historike e kulturore të Dibrës.
“Duke ju inkurajuar në misionin tuaj, vlerësoj traditën e jashtëzakonshme të klubit të njohur patriotik ‘Bashkësia Dibrane’, që për më shumë se një shekull ka kryer një sërë veprimtarish në mbrojtje të atdheut, promovimit të traditave, vlerave njerëzore, historike e etnofolklorike të kësaj treve, por edhe kontributin e çmuar të shumë figurave kombëtare me prejardhje nga Dibra, të cilët aq shumë kanë dhënë për Shqipërinë e çështjen shqiptare në përgjithësi”, – u shpreh Presidenti Meta.
“Ne i kemi borxh jo vetëm Dibrës por Shqipërisë, që trashëgiminë e vyer historike e kulturore që na kanë lënë të parët tanë, ta mbrojmë, ta promovojmë dhe ta pasurojmë më tej, në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë tanë të duan vendlindjen e rrënjët e tyre, të mos mendojnë braktisjen por të ndërtojnë këtu një të ardhme të sigurtë, duke qenë krenarë për përkatësinë e tyre si shqiptarë”, – u shpreh Presidenti Meta.
Përfaqësuesit e shoqatës “Bashkësia Dibrane” pasi e njohën Kreun e Shtetit me aktivitetin e tyre patriotik e kulturor, e falënderuan për promovimin e vlerave kombëtare dhe në emër të komunitetit dibran i dorëzuan një kopje të Aktit të Shpalljes së Pavarësisë të ruajtur nga arkiva familjare e Faik Shatkut, ish-ministër i Arsimit në vitet ‘30.