Ditët e verës kanë kaluar me punë për aktorin e njohur Bruno Shllaku. Së fundmi në fushën e teatrit ai po përgatiti dramën “Amaneti”. Një vepër që siç pohon dhe vetë aktori vjen si një shfaqje që i ka munguar teatrit për atë që do të përcjellë në skenën e teatrit.
Në intervistën për “SOT” aktori flet për punën që po bën për premierën e re dhe pohon se është një vepër, që përcjell emocione të jashtëzakonshme. Dekada me jetën artistike në teatër dhe në fushën e kinematografisë aktori i njohur ka një aktivitet të vlerësuar me role të ndryshme.
Por si artist ai pohon se duhet të ketë më shumë vëmendje jo vetëm me buxhetet, por dhe me politikat që duhet të kenë institucionet. Për aktorin teatrot në qytete të ndryshme duhet të jenë rajonalë dhe të kenë varësi nga Ministria e Kulturës.
Sipas aktorit sot teatri ka humbur jo pak nga vlerat që ka pasur dikur. Kjo për shkak sepse sipas tij një teatër, që quhet konteporan nuk mund ta zëvendësojë kurrë një teatër klasik. Për aktorin teatri klasik mbetet më i vështiri, por dhe më i miri për atë që duhet të përcjellë te publiku.
-Sezoni i verës vijon të jetë me punë për shfaqjen teatrore “Amaneti”, që pritet premierë në shtator. Si është zhvilluar puna për dramën?
Për dramën “Amaneti” ne pothuajse kemi mbyllur të gjithë punët. Tani kemi vetëm për të bërë provën me muzikën, mizanskenën, etj. Në vepër që marrin pjesë aktorë të njohur të Shkodrës, por dhe të rinj. Mendoj që është një shfaqje e munguar ndoshta që në vitet ’90 në skenën e teatrit.
Një vepër e shkruar me shumë emocione, një përshtatje e jashtëzakonshme. Roli im xha Shahini mua më ka magjepsur. Një rol që më ka shtrënguar për fyti dhe sikur më thotë nëse nuk më bën mirë do të kesh mallkimin tim, sepse amaneti im është që të më bësh mirë. Unë e di historinë nga fillimi, një ngjarje e vërtetë e dhimbshme, dramatike.
Jam munduar që ti vesh rolit kostumin më të mirë që kërkon për në skenë. Jam i bindur, që ai rol ka për të krijuar një imazh të jashtëzakonshëm. Sidomos në zonat ku jeton populli çam ky rol ka për të qenë i jashtëzakonshëm, një dhuratë shpirtërore e atyre njerëzve.
Ndërkaq që unë kam dhe njerëz që kanë ardhur nga Kosova dhe kam ftesa për këtë dramë. Kosova e ka jetuar një tragjedi të tillë. Ata erdhën në Shqipëri por mendjen e kishin pas të ktheheshin në tokën e tyre.
-Jo vetëm me teatrin, por dhe me kinemanë ke qenë me angazhime në filma. Si ka qenë kjo pjesë e aktivitetit artistik për ju?
Regjisori Robert Budina nga Bukureshti më lajmëroi për montazhin e fundit të filmit, një prej prodhimeve kinematografike që jam i bindur do të jetë befasi për publikun. Filmi titullohet “Shtëpia nën re”. Bën fjalë për ekzistencën e dy komuniteteve kristiane dhe myslimane.
Është një temë filmi jashtëzakonisht e ndjerë, e shkruar nga Robert Budina. Unë kam rolin e një njeriu të abandonuar, një njeriu të sëmurë që vuan nga turbekulozi. Kam rolin kryesor. Ky është një projekt për të cilin po presim premierën. Me kinemanë kam pasur një aktivitet me jo pak angazhime, me role dhe bashkëpunime me regjisorë të ndryshëm.
Këtë gjë e kam vlerësuar gjithmonë. Kam pasur eksperienca të jashtëzakonshme, kam pasur shkëmbime profesionale midis shkollave të kinemasë gjermane, franceze, italiane, që më kanë dhënë një hijeshi tjetër mbi ekranin e madh. Jam i kënaqur. Kjo më ka dhënë kurajo dhe më ka vënë para përgjegjësive të mëdha.
Kam qenë me rol në filmin “Shtëpia e vjetër” me skenar dhe regji nga Genti Kame. Një nga bashkëpunimet e fundit ka qenë dhe filmi “Anija” me skenar dhe regji nga Benart Laze. Në atë film jam bashkë me aktorin Nik Xhelilaj. Një film i bukur që ne na ka lënë mbresa.
Kinematografia vazhdon dhe është pozitive, që kinemaja shqiptare me interpretët shqiptarë, regjisorët shqiptarë, producentët pse jo dhe ata të huaj që punojnë me ne kanë një hov. Por mendoj që kinemaja shqiptare duhet të ndihmohet me shumë më tepër buxhet.
-Mungesa e buxhetit ka qenë një nga problemet që ka qenë shqetësues. Si ka ndikuar kjo sipas jush me filmin shqiptar?
Mungesa e financimeve për filmin është problem për regjisorët. Kanë jo pak vështirësi në realizimin e filmave. Ne filma gjatë këtyre viteve kemi pasur, por që janë realizuar me jo pak probleme për shkak të financimeve të pakta. Shteti duhet të ndihmojë kinematografinë. Ne kemi dhënë prova nëpër botë, që ne dimë të prodhojmë art shumë bukur, por vetëm duhet subvencionuar.
-Për ju si është gjendja e teatrit sot, shfaqjet që vihen në skena dhe çfarë po ndodh me investimet për teatrin?
Teatri e ka humbur një 90 përqindsh misionin e tij. Teatri ka një mision të çuditshëm. Teatri ka misionin që kur të dalësh nga dyert e tij bashkë me emocionet ose harenë të ketë dhe pse-në e tij. Nuk mund të bëhet art pa një Pse. Nëse ne do të bëjmë një art pa Pse atëherë është i destinuar që të vdesë dhe të futet në dhe brenda 24 orëve. Por një teatër që e merr me vete, e çon në shtëpi, i tregon njerëzve se çfarë ke parë aty do të ketë polemika pro dhe kundra.
Kështu ka qenë dhe kështu duhet të jetë dhe sot. Nuk duhet që njerëzit kur të shkojnë në shtëpi të thonë, çfarë ishte kjo shfaqje që pamë kështu kot. Por këtu nuk mund të përmblidhen të gjitha, por sot ka dhe shfaqje të pamerituara. Shfaqje që nuk e meritojnë qysh në shkrim që të vihen në skenë pale që të marrin guximin të rrahin gjoksin kur ajo është një shfaqje njëpërdorimshme vetëm për një natë.
Shkrihen dekoret, kostumet, sepse ajo shfaqje kaq e kishte. Teatri ka një simbiozë të çuditshme që fillon që nga shkrimi i veprës. Nuk është më teatri i Fadil Krajës, Ruzhdi Pulahës, etj. Ata dinë të shkruajnë dhe sot, por fatkeqësia e madhe është që na ka dalë ky teatri kontemporan, që unë ende nuk e di se kush është kjo shprehje.
Nuk e kuptoj që vihet dhe në reklamë teatër total kur nuk merret vesh se për çfarë bëhet fjalë? Një teatër që është eksperimentuar në vitet ’70 si i suksesshëm, por se di se si i suksesshëm kur sot e kësaj dite është shuar.
Teatri është teatër, teatri duhet të sjellë emocionet, teatri është ngjit me spektatorin dhe ngjarjen, është ngjitës me gjithçka që ka të bëjë me teatrin. Jo se jam kundra teatrit kontemporan që ka audiencën e tij, por teatri klasik mbetet i tillë. Teatri klasik mbetet më i vështiri.
-Për ju si është sot gjendja e teatrit në rrethe?
Ne jemi në një teatër, që varemi nga bashkia. Por baskia bën vetëm për njerëzit e saj të ngjyrës së vet politike, për të tjerët nuk bën gjë. Më vjen keq që sot kemi teatro që janë pushtuar nga njerëz të paaftë.
-Arti dhe kultura sot sipas jush ku janë?
Nëse nuk do të shihen seriozisht politikat në Shqipëri arti është i destinuar për të vdekur. U la këtë vit, lihet vitin që vjen, e kështu me radhë dhe kultura do të mbetet ishte njëherë. Është gjynah, sepse është punuar shumë nga të parët tanë për ta prurë fizionominë e këtij kombi me shumë kulturë dhe për ta sjellë deri këtu.
Duhet me çdo kusht që kjo kulturë e këtij kombi të mos lihet pa mbrojtje. Nuk dua të bëj analiza, por një e vërtetë e madhe është që Ministria e Kulturës duhet që objektet e mira, ato që kanë dhënë dhe kanë pasur burim kulturën, që kanë trashëgimi aktoriale, që kanë aktorë të mrekullueshëm dhe kanë trashëgimi kulturore duhet të mos lihen në duart e bashkive, sepse ajo është si njerkë.
Bashkia e qytetit ka njëmijë punë në ditë dhe duke qenë kështu gjithmonë teatri, arti dhe kultura shihet si një fëmijë i marrë diku tjetër për ta rritur. Për artin dhe kulturën, teatrin, duhet të merret fuqimisht Ministria e Kulturës. Ministria duhet të merret me ligje të zhdërvjellta jo të ngurta. Unë them që 3-4 teatro që janë si Vlora, Shkodra, Gjirokastra apo ai i Korçës pse mos të jetë teatri i qytetit një teatër rajonal nën varësinë e Ministrisë së Kulturës.
-Çfarë do të ndryshonte kjo?
Ministria mund ta mirëmbajë shumë më mirë se sa bashkia teatrin. Teatrot nuk duhet të lihen nën mëshirën e fatit të bashkive në qytete të ndryshme, por ai kërkon mbikëqyrjen e ministrisë.
Këto teatro apo dhe ndonjë tjetër duhet ti ketë ministria, sepse vetëm kështu mund të ndryshojnë gjërat. Në teatër mund të kemi prurje më të mira, vetëm kështu do të ketë art dhe kulturë. Në të kundërtën gjërat janë të hallakatura.
Intervistoi: Julia Vrapi