Sulejman Dibra ka qenë drejtori më jetëgjatë i Estradës së Tiranës përgjatë viteve 1979-1989, më pas për katër vite ka drejtuar Cirkun Kombëtar dhe pa shkëputje deri në vitin 2007 ka dhënë një kontribut të pashlyeshëm në Qendrën Kulturore Tirana në pozicione të ndryshme, veçanërisht në ideimin dhe mirëmbajtjen e arkivit të këtij institucioni. Për herë të parë vur në skenë koncertet recitale me artistët Anita Take, Ema Qazimi, Kozma Dushi apo Irma Libohova.
I njohur si aktor në interpretimin e mjaft roleve në teatrin “Migjeni në Shkodër dhe Teatrit Kombëtar gjatë viteve 1967-1979. Sulejman Dibra ka lindur më 9 shtator të vitit 1943 në qytetin e Shkodrës. Pas mbarimit të studimeve të lartë në Shkollën e Lartë për Aktor “Aleksandër Mojsiu” në Tiranë, në vitin 1966 rikthehet në qytetin e Shkodrës për të punuar si aktor profesionist në Teatrin “Migjeni” të këtij qyteti.
Në vitin 1969 do të transferohet në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) në Tiranë. Me këtë teatër ka interpretuar në shumë pjesë si “Arturo Ui” e Bertold Brehtit, “Toka jonë” e Kolë Jakovës, “Prefekti” e Besim Lëvonjës etj. Në kinematografi ka interpretuar në 13 role.
Roli i tij i parë do të jetë ai Partizanit të plagosur në filmin “Komisari i Dritës”. Më tej do të interpretonte në rolin e Kiços,agjentit 13 në filmin “Njësiti “Guerril” , rolin e Sotir Filipit “Kasketa” në filmin “Operacioni “Zjarri””, rolin e Drejtorit të shkollës në filmin “Tinguj Lufte”, rolin e Gjeneralit turk në filmin “nëntori i dytë” etj. Roli i tij më i fundit do të jetë në vitin 2009, roli i Myrtezait në filmin “Ne dhe Lenini”.
Ka dhënë mësim në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në degën e Aktrimit. I martuar me pianisten Anita Tartari, ka një vajzë Enin, e cila duke ndjekur rrugën e artit është sot një pianiste. Për meritat e tij artistike në vitin 2006, Sulejman Dibra është vlerësuar me Urdhrin “Naim Frashri i Artë”.