Bik Ndoja, kollosi i Jares shkodrane që ndriçoi skenën me artin e tij – Nga Qamil Gjyrezi

0

 

Kollosi i jares shkodrane Bik Ndoja me artin e tij të papërsëritshëm , zërin brilant, tingullin e butë dhe të ambël e ngriti Jaren shkodrane dhe këngët shkodrane në pjedestal duke lanë pas një pasuri të madhe kulturore jo vetëm për Shkodrën por për të gjithë neve si komb. Bik Ndoja asht dëgju, duartrokitë dhe pëlqye nga veriu deri në jug të Shqipnisë e deri në Kosovë. Ai ishte me të vërtetë kollosi i jares shkodrane. Bik Ndoja me artin e tij, ka vlera të mëdha edhe rajonale, mbasi bani edhe “diferencën” me kangët e tija dhe popujve të tjerë në rajon, duke krijuar një art urban brilant, të vecantë që na identifikon jo vetëm si qytet Shkodrën, por edhe si kultur kombëtare.

 

Para pak ditësh u nda nga jeta kangëtari i madh shkodran Bik Ndoja. Bik Ndoja me zanin e tij, që nuk përsëritet ma, prandaj është shenjë kulturore, ka shkruar një libër me titull “Kanga ndriçon errësirën”. Kangtari i madh e kuptonte fuqinë magjike të kangës, prandaj e pati titulluar edhe librin e tij “Kanga ndriçon errësirën”. Ai shkruan: “Unë njihem si kangtarë e jo si shkrimtar, por tue u nisë nga jeta e ime mjaft interesante, rrethi familjar si dhe mjedisi i lagjes teme në të cilën u rrita, mora guximin për me e përshkrue këtë jetë, që në rrjedhën e saj ishte e rrethueme nga dashunia për kangën tonë popullore”. Biku me fjalët e shpirtit dhe të mendjes thjeshtë, ka përshkruar në këtë libër, emocionet dhe ndjenjat e përjetuara gjatë jetës së tij artistike, për fëmijërinë, origjinën e familjes, jetën në shërbimin ushtarak, kthimin në Shkodër dhe për evenimente të tjera në jetën e tij. Bik Ndoja kishte një za të vecantë, brilant që shpesh e krahasonin me bylbylin. Zani asht pjesë e mendjes dhe e shpirtit. Ai kishte një diapazon të shkëlqyer dhe një teknikë të lindur për të kënduar pastër të gjitha kangët shkodrane mbi të gjitha la pas modele të papërsëritshme me Jaret Shkodrane.

 

Falë tingullit dhe timbrit të vecantë, që i ngjasonte ngjyrës së arit, ai transmetonte me artin e tij mesazhe të shkëlqyera të mbushura me optimizëm dhe dritë. Me një teknikë të lindur vokale, ai realizonte shumë mirë artistikisht zbukurimet e Jares dhe të kangëve shkodrane. Biku krijoi një model artistik të papërsëritshëm që do të ngeli gjatë në mendjen dhe shpirtin e gjithsejcilit që ka dëgjuar kangët e tija. Për të folur për zanin e tij, kangën e tij duhen faqe të tëra dhe studime të mirëfillta artistike dhe shkencore. Kam pasë fatin që Bik Ndojën ta njoh që në fillimet e mija artistike. Deri para pak muajsh kam biseduar, e kam pyetur për artin, historinë dhe ndjenjat e tija për kangën dhe muzikën në përgjithësi. Biku me një inteligjencë artisti, përgjigjej plot pasion dhe shumë qartë për atë që kishte përjetuar në jetë me muzikën. Ai pavarësisht viteve mori pjesë dhe më nderoi tek aktiviteti “Psikologjia e kangës Shkodrane” në Shkodër, që e kam zhvilluar në disa qytete dhe me zanin e tij të shkëlqyer këndoi kangën “Si dukat i vogël je”, duke i ba të gjithë pjesmarrësit të këndojnë të sëbashku. Bashkëpunimi me këtë kollos të artit të qytetit të Shkodrës më ka lanë gjurmë të thella në vetëdijen teme. Biku me zanin e tij dhe me pjesmarrjen e tij, kudo e me të vërtetë e ndriconte errësirën, i jepte kuptim kangës, e dritësonte skenën.

 

Ludovik Ndoj Gjergji, i njohur nga publiku si Bik Ndoja lindi në Shkodër me 13 gusht 1925. Profesioni i tij ishte rrobaqepës i talentuem, duar artë. Ai shkriu energjit e veta qysh 16 vjeç me serenatat e tija melodioze duke këndue netëve me hanë nën balkonet me vazo lulesh të vajzave të bukura shkodrane. Biku ka vlerësimin ma të madh nga populli i Shkodrës. Dhe ajo që e ban Bikun njeri të madh ashtë se nuk vuante për lavdërime sepse vetë zani, kontributet e tij prej 70 vjet me kangë janë treguesi i madhështisë tij si kangtar i dy shekujve të asaj XX dhe asaj XXI. Biku i këndoi popullit shkodran, ato kangë që përbajnë thesarin e kangës popullore qytetare të pavdekshme të Shkodrës. Bik Ndoja është një nga këngëtarët më të shquar të muzikës popullore shkodrane të gjysmës së dytë të shek. XX. Biku, e kreu gjimnazin në shkollën e vjetër Jordan Misja. Lidhur me muzikën popullore, ai e filloi këngën që në moshë të vogël, por njihet nga të gjithë se për herë të parë ai këndoi në një dasëm familjare, shoqëruar nga një prej formacioneve popullore me vegla të qytetit të Shkodrës, ku drejtonte dhe interpretonte në fizarmonikë Karlo Radoja.

 

Gradualisht, aktiviteti i tij u zgjerua dhe më shumë nëpërmjet koncerteve që Biku dha në të gjithë Shqipërinë, si dhe në ato jashtë shtetit. Ai ka kënduar një numër të madh kangësh ndër të cilat përmendim: “ S’ma din hallin qi kam”, “Elbarojen ta pata fal”, “Si dukat i vogel je”, “Jare te due”, etj. Në shtator 1999, teatri Migjeni organizoi 70-vjetorin e lindjes të Bik Ndojës, ku një vend të rëndësishëm zuri edhe koncerti me kangë dhe pjesë muzikore popullore nga më të zgjedhurat nga repertori i jareve të kenduara prej tij në gjithë këto vite. Bashkë me kolegët e tij Shyqyri Alushi, Luçie Miloti, Xhevdet Hafizi etj. kanë qënë dhe mbeten bilbilat e këngës popullore shkodrane. Shumica e regjistrimeve muzikore të tij gjenden pranë Radio-Shkodrës dhe RTV Shqiptar. Biku në fund të librit të tij “Kanga ndriçon errsirën”, ka botue edhe disa vargje. Biku ja ban thirrje të gjithëve që ta ruajnë jaren dhe kangën shkodrane të pastër dhe ta çojnë atë ma tej.

Ai shkruan:

“O bylbyl more kangtarë,

Kangët tona le t’ushtojnë,

Na gëzo, na mbush me mall,

Jaret tona t’i ndëgjojmë”.

Ta rujm’ kangën popullore,

Shkodrën tonë ta përfaqësojmë,

N’pentagram, me kang’të reja

Huazimet t’i largojmë

Bik Ndoja ky kollos i kangës Shkodrane, me artin e tij të pavdekshëm, ju takon të gjithëve.

Biku e ndriconte skenën me zanin e tij brilant, prandaj arti i tij kishte domethanje të mëdha dhe shprehte shpirtin dhe mendjen e këtij artisti kollos të papërsëritshëm.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here