Në mesin e rrugës së “Kavajës”, pas ndërtesës së ish radio- Tiranës, në një rrugicë qorre, ndodhet shtëpia e familjes Levonja. Më është bërë ves që, sa herë të kaloj aty, ta kthej kokën në mënyrë instiktive për të parë nëse diku është duke ecur i zoti i kësaj shtëpie dhe i zoti i komedisë “Prefekti”, Besim Levonja. Cili është autori që shkroi kryeveprën e komedisë shqiptare?
Lexuesve të rinj do i kujtoja personazhin e xha Lymit, karrocierit me pajton, i cili i jepte Colit kalin për shëtitje në filmin “Debatik”, dhe në fund e merr në krahë kur e vrasin fashistët italianë. Pikërisht ai aktor me portretin e një babaxhani, si të ishte vetë Maksim Gorki, është Besim Levonja, autori i komedisë së pavdekshme “Prefekti”.
Brezi më i vjetër se unë, kujton se atë rol dikur e ka interpretuar në mënyrë mjeshtërore Artisti i Popullit, Mihal Popi. Por fatkeqësisht, atëherë nuk kishte televizion dhe komedia nuk është rregjistruar. Tani, në shiritin e filmit, komedinë “Prefekti” e shikojmë dhe shijojmë me të madhin, Robert Ndrenika.
Si autor i këtij shkrimi, fati e ka sjellë të njoh nga afër bashkëshorten e Besim Levonjës, zonjën Behije Çela dhe djalin e tyre, mikun tim, gazetarin dhe ish basketbollistin Gavrosh Levonja, ose siç e thërrasim ne, Goshi. Behije Çela është njëkohësisht Hajria e Qazim Mulletit tek komedia “Prefekti”. Pra, gruaja e autorit ka interpretuar në skenë dhe ekran gruan e personazhit. Ishte me fat kjo aktore e paharruar që luajti një nga rolet më të spikatur të cilën e shkroi bashkëshorti i saj.
Ajo i dha jetë e plot humor personazhit të Hajrijes, gruas së Qazim Mulletit. Sa herë trokisja në portën e tyre për të kërkuar shokun tim, Goshin, nga ana tjetër dëgjoja zërin e nënës së tij, Behijes, që më pyeste si Hajrija e komedisë: “Kush o aty? Çin do? Goshin, Goshin, Behije. Prit ta zgjoj, se po fle, hajvoni!” Kështu ishte kjo nënë dhe aktore. Zonjë trupmadhe, me pamje autoritare por e thjeshtë, e dashur dhe me shumë humor. Si në skenë.
Njëkohësisht, kam patur fatin të njoh nga afër edhe djalin e prefektit Qazim Mulleti, të ndjerin Reshit. Madje dy herë e kam patur të ftuar në emisionet e mia televizive, “Një kafe me Luanin”. Në një nga pyetjet që i bëra për komedinë “Prefekti” të Besim Levonjës, ishte edhe kjo:
-Reshit, ka ndonjë gjë të vërtetë ai personazh që të mishëron ty tek komedia?
-Jo, asgjë të vërtetë, por ajo është vepër artistike e gjinisë së humorit e satirës e cila e pranon hiperbolën. Babai im, nuk ka qenë ashtu siç trajtohet në atë vepër. As nëna dhe as unë. Komunistët ilegalë të asaj kohe më kërkuan të ndërhyja pranë babait për të nxjerrë nga burgu Dum Allën, që ishte arrestuar sepse ai do të luante futboll kundra italianëve me ekipin e Tiranës, “Shprefeja”.
Babai e liroi dhe ai luajti për mrrekulli atë ndeshje. Më vonë u vra dhe tani është dëshmor i Atdheut. Si ai, babai ka nxjerrë nga burgu shumë e shumë të tjerë. Shkurt, komedia përveç emrave realë dhe detyrës së babait si prefekt në atë kohë, nuk ka asgjë tjetër të vërtetë.
Por djali i Qazimit, Reshit Mulleti, nuk nguroi ta konsideronte “Prefektin” një vepër me vlera të larta artistike, interpretative dhe koloristike. Brezat do njihen me zakonet, gjuhën, psikologjinë e dialektin e Shqipërisë së mesme. Aty gjithçka është fantazi e një krijuesi të talentuar. Aq më tepër që babai im, thoshte Reshiti, ka qenë mik me autorin, Besim Levonja. Për ne, kjo komedi solli edhe një fatkeqësi tjetër. Kur të gjithë nisën të qeshnin, ne nisëm të qajmë më shumë.
Diktatori Enver Hoxha, pasi e kishte parë komedinë nën interpretimin e Mihal Popit dhe e pëlqeu shumë, u kujtua të pyeste se ku ndodhej familja e Qazim Mulletit. I thanë se banonte ende në Tiranë. Në çast dha porosi të internoheshim në fshatrat e Lushnjes. Atje jetova deri në 1990 ku dhe përjetova vdekjen e nënës, Hajries në 1981. Në mes të mjerimit ndoqa nga ekrani edhe komedinë për familjen tonë. Nëse ka ndonjë qefmbetje me Besim Levonjën, është fakti se ai e zgjoi shejtanin nga gjumi dhe u kujtua të na internonte.
Mbaj mend, se kur i mora Reshitit intervistën e dytë në shtëpinë e tij, mu lut që në mes të saj të mos fusja ndonjë fragment nga komedia ku aktori i drejtohet prefektit: “O Qazim more Qazim/ puna jote aferim/ gomor ti, gomor kush t’vuni/ sot a nesër vlo druni”. Por drejtuesit e televizionit të kënaqur se kishin një intervistë të rrallë prej tij, më nxorrën gënjeshtar dhe besëprerë tek Shiti.
Pikërisht atë fragment e futën për të ilustruar intervistën me të birin e prefektit. Sidoqoftë, djali i këtij personazhi të paharruar për Tiranën, mbeti i kënaqur për vlerësimin që një televizion kujtohej për të dhe familjen. Aty pati mundësi për të thënë ato të vërteta që ishin mohuar nga rregjimi dhe komedia “Prefekti”.
Pas asaj kohe ne mbetëm miq dhe shpesh herë pinim kafe, sepse edhe shtëpitë i kishim pranë e pranë. Reshit Mulleti lexonte shumë, kishte kulturë enciklopedike dhe kurrë nuk u martua. Kishte dashuruar, por emrin e saj asnjëherë nuk ma tregoi. Vitet e fundit ulej në një stol diku pranë derës së shtëpisë së tij dhe përshëndetej me të gjithë që e njihnin apo e kishin ndjekur në ekran duke dhënë intervistën.
E ngacmoja me humor dhe më përgjigjej po ashtu. Mbante syze dielli me numër sepse nuk shikonte mirë. Ishte 73 vjeç. Unë i thoja: Plak qejfli! Ke dalë këtu dhe shikon kofshët e femrave. Më përgjigjej: Torollak! Unë nuk shikoj fare, ti më thua po shikoj kofshët e femrave! Tipik tiranas autokton me vlerat më të mira njerëzore. I urtë, i qetë, me humor, njerëzor, babaxhan, i zgjuar dhe tolerant. Komunizmi e fitoi betejën për ato vite dhe shkroi historinë si dëshiroi.
Bashkë me të, edhe komedinë për familjen time, thoshte ai. Reshit Mulleti, djali i prefektit të Tiranës, tani nuk jeton më. Ai prehet bashkë me nënën e tij Hajrijen në një varr, në varrezat e Tufinës. Sa herë shkoj tek varri i nënës time, do të ndaloj edhe aty buzë rrugës ku prehen dy personazhet e komedisë që na dhuruan humor ndërsa vetë vuajtën aq shumë.
Duke qenë personazh i komedisë dhe njeri real i tragjedisë, Shiti kurrë nuk hodhi baltë mbi Prefektin- komedi dhe autorin e saj, Besim Levonja. Fliste me respekt për të si njeri dhe krijues. Ai thoshte se, e kishte takuar autorin kur e kishte vënë në skenë për herë të parë shfaqjen dhe mbante mend këtë përgjigje nga Levonja: “Ajo është komedi, Reshit, dhe aty mund të ngacmohet kushdo. Sot ndoshta nuk e kupton, por më vonë do të më japësh të drejtë”.
Pas kaq vitesh që ajo kryevepër është rregjistruar dhe transmetuar në televizion, ne sërish e shohim dhe qeshim me situatat brilante e batutat plot humor. Gjatë diktaturës, prefekti ishte “disidenti” ynë artistik që na propagandonte të vërtetën se: “nuk osht komunizmi për kët tokë. Kjo farë e keqe, nuk mbin këtu”. Historia e provoi. Vetëm ata që shkruajnë në gjininë e humorit dhe satirës mund ta kuptojnë sa të vërteta profetike vuri në gojën e prefektit Qazim Mulleti, autori Besim Levonja.
Ndiqni me vëmendje tekstin e kësaj komedie dhe do të vini re se personazhi “negativ” thotë ato të vërteta që koha i vërtetoi plotësisht. E thënë ndryshe, Besim Levonja, ka meritën e jashtëzakonshme sepse nuk krijoi një vepër të mirëfilltë disidente, por personazh real disident që, edhe pse i rënë nga ofiqet dhe i emigruar në Itali, aty në skenën e teatrit, paralajmëronte sërish popullin e vet për mortajën komuniste që e priste.
Me ato fjalë, batuta, mendime, ironi dhe humor që thoshte prefekti në atë komedi për komunizmin, pas viteve `90 kur erdhi demokracia, u mbushën gazetat me sharje… por, pas pilafit. Besim Levonja i vuri në gojën e prefektit ato fjalë para 40 vitesh. Me qëllim ose jo, ne nuk e dimë. Por në dimë që ky personazh u bë mishërim i atyre të vërtetave që gjatë luftës e kishin munduar popullin shqiptar.
Historia e vërtetë popullore ruan një respekt për prefektin e Tiranës, Qazim Mulleti. Ndërsa historia politike ka tjetër mendim. Si personazh i komedisë ai u bë i dashur dhe profetik nëpërmjet kësaj vepre brilante skenike. Sot, prefekti më ngjan me një njeri pozitiv i cili ka të drejtë të mburret se tha i pari rrezikun e vërtetë që do i sillte komunizmi këtij populli. Bashkë me të, sigurisht edhe autori i saj, Besim Levonja.
Kjo penë e artë që i fali popullit të tij një kryevepër të vërtetë të humorit dhe satirës, njëherazi përjetësoi dhe e bëri të pavdekshëm Prefektin e Tiranës të atyre viteve, Qazim Mulleti. Nëse nuk do e kishte kthyer në personazh, cili nga ne do e njihte sot emrin e Qazim Mulletit? Pothuajse askush. Si fati i shumë të tjerëve. “Prefekti” i Qazim Mulletit është mishërim i humorit tonë, konflikteve familjare, tarafeve, allishverisheve e tolerancës.
Situatat e bukura, teksti, fjalori, karakteret, dhe interpretimi mjeshtëror, e bënë këtë vepër të rrojë sa të ketë jetë kinemaja dhe ekrani. Robert Ndrenika ka qenë 35 vjeç kur ka interpretuar atë rol të pavdekshëm. Aktori nga Himara luajti tiranasin autokton në mënyrë mjeshtërore. Berti edhe me këtë rol do të mbetet i paharruar nga të gjithë brezat që e kanë shijuar dhe po e shijojnë edhe sot këtë komedi. Në krah të tij interpretojnë Behije Çela, Gjon Karma, Ndrek Shkjezi, Sulejman Pitarka, Esma Agolli, Ilia Shyti.
Gjithë këto emra të mëdhenj tani nuk jetojnë më. Për fat jetojnë dhe gëzojnë shëndet të mirë, jo vetëm prefekti Robert Ndrenika, por edhe Drita e Fatos Haxhiraj, Agim Brojka, Anastas Kristofori, Mërkur Bozgo, Besa Imami, Vangjel Toçe, etj. Sigurisht, edhe regjizori i madh Pirro Mani. Kjo komedi dhe ai rol vazhdon të jetë sot e kësaj dite një ëndërr për “Nderin e Kombit” Reshat Arbana. Do isha i lumtur ta kisha interpretuar edhe sot “Prefektin”, thotë aktori i madh.
Kishte kohë që më mundonte ideja të bëja një shkrim për Besim Levonjën, si mirënjohje për pararendësin tim të satirës dhe humorit. Kur shoh sot se kjo komedi është njësoj e dashur si për brezin para meje, bashkëmoshatarët e mi dhe fëmijët tanë, më shtohet respekti për autorin e saj. Një kryevepër të tillë mund të na e sillte vetëm Besim Levonja me një personazh të rrallë si Qazim Mulleti dhe një aktor brilant si Robert Ndrenika.
Çdo shikues me mend dhe me sens humori, këto tri figura jetësore dhe artistike nuk do t’i harrojë kurrë. Sepse kjo vepër nuk ka kohë dhe kufij për të qeshurën. Ajo është për të gjithë brezat dhe për të gjitha kohët. Qazim Mulleti është i vetmi personazh negativ në atë komedi që tha të vërtetat për mortajën komuniste. Nëse dikush do të guxonte të thoshte një nga ato mendimet e tij jashtë skene në jetën e përditshme, do të përfundonte në ferr.
Me gjuhën e humorit e satirës dhe nën petkun e personazhit negativ, Besim Levonja përjetësoi bashkëqytetarin dhe mikun e tij, Qazim Mulleti. Nëse do të jetonte edhe sot ish prefekti i Tiranës, do të qeshte me gjithë zemër me personazhin e vet. Sepse autori nuk e urren personazhin e tij, dhe personazhi e do popullin dhe zakonet. Ndërsa aktori Ndrenika i ka shkrirë këto vlera në mënyrë mjeshtërore.
Është një koeçidencë e rrallë të njohësh nga afër të gjithë ata që kanë lidhje me këtë komedi. Djalin e autorit, Goshin dhe nënën e tij, Behijen. Personazhin e komedisë, Reshitin dhe jetën e tij plot dhimbje. Aktorin e madh Robert Ndrenika që na bëri të besojmë se prefekti i vërtetë ishte ky i skenës.
Në respekt për të gjithë këta dhe shikuesit e adhuruesit e asaj komedie, solla për lexuesit e kësaj gazete simpatike këto ndjesi dhe kujtime që më zgjohen sa herë shikoj “Prefektin”. Aq më tepër që këto ditë prefekti ynë që nuk e rrëzon dot askush nga froni, Robert Ndrenika mbush 70 vjeç. Jetë të gjatë, Mjeshtër dhe përqafime! Kur të uroj e të kujtoj ty mendja më shkon tek Qazim Mulleti dhe Besim Levonja.
Jeni tre figura që nuk do të harroeni nga memorja njerëzore. Sepse ju lidhi arti skenik dhe e qeshura që i falët njerëzve. Megjithëse nuk e njohët njëri tjetrin por kjo nuk ju pengoj të na dhuronit një kryevepër të komedisë shqiptare. Njëri si autor, tjetri si personazh dhe ju si aktor. Sidoqoftë pena e artë që na fali “Prefektin” mbetet i paharruari Besim Levonja.