Bedri Jashari, kaskadori i vetem i kinematografise shqiptare

0

 

 

Të hedhurit nga 20 metra lartësi, nga maja e një shkëmbi apo nga kati i fundit i një kishe për të është mision i mundur. Përgatitja shpirtërore vjen para asaj fizike, e janë pikërisht këto dy arsyet që ia bëjnë më të lehtë “fluturimin” Bedri Jasharit. Ai është i pari kaskador shqiptar që i ka shpallur sfidë frikës për të vënë në jetë pasionin, që tashmë i është kthyer në një profesion. Roli i parë që do të spikaste dhuntinë e veçantë të tij, ishte ai në filmin “Gracka”.

 

Kam pasur fatin që të punoj me profesorin tim Reshat Arbana dhe në këtë film unë duhet të hidhesha me parashutë nga maja e një shkëmbi. Nuk e kisha as idenë më të vogël, sepse bëhej fjalë për fillimet e mia në vitin 1952, por me vullnet ia dola mbanë. Stafi e të pranishmit e tjerë në sheshin e xhirimit në Dajt u mahnitën dhe që nga ajo kohë, sa herë ka role të tillë, më telefonojnë mua”, thotë Bedriu. Kaskadori ynë stërvitet thuajse pesë orë në ditë, sepse ky limit është i nevojshëm për të përforcuar edhe më tej reflekset. Në mungesë të një shkolle profesionale, që e bën edhe më të lehtë përgatitjen fizike, Bedriu ushtrohet në mënyrë vetjake prej shumë vitesh. “Shumë gjëra këtu funksionojnë mbrapsht dhe për këtë më vjen keq.

 

Ky është një lloj sporti që kërkon medoemos stërvitje, por këtu nuk krijohen shkolla të këtij profili. Në momentin e hedhjes kaskadori duhet të zhvishet dhe të veshë kyçet e duarve. Ato janë pjesët kryesore ku duhet treguar tejet kujdes. Pastaj, në shtetet e botës gjatë xhirimeve janë kartonët me ajër dhe kamerat ML6 të sofistikuara, që krijojnë skena të jashtëzakonshme. Ndërsa këtu je i detyruar që gjithçka ta bësh në sajë të pasionit e dëshirës, që ndonjëherë janë edhe të dëmshme”, vijon ai. Data 1 dhjetor e vitit të kaluar do të mbahet mend gjatë në jetën e Bedriut, pasi hedhja nga ura e Kataraktit për pak do t’i kushtonte jetën. Brinjë të thyera, krisje të shtyllës kurrizore dhe dy muaj gjendje paralize. Vetëm kështu mund ta përshkruajë ai skenën e tmerrshme ku u bë pjesë.

 

Kjo është më e rrezikshmja, por jo e vetmja në historinë e viteve të mia ku unë kam bërë kaskadorin. E kam gjetur veten në një tjetër moment të vështirë gjatë xhirimeve për një film në Himarë. Ishte muaji janar e unë do të hidhesha nga një shkëmb brenda në ujë. Dallgët gati sa nuk më përpinin, ku përpos lartësisë, ishin dhe temperaturat e ulëta që ma vështirësuan punën. Nga uji më kanë nxjerrë gjysmë të paralizuar aktorët e tjerë dhe m’u desh kohë për ta marrë veten. Në pasionin e tij duket se ka vend edhe për mosvlerësime. Para një viti e gjysmë, Shoqata e Kineastëve Shqiptarë ka propozuar që Bedriut t’i jepet urdhri i “Naim Frashërit”.

 

Propozimi është miratuar edhe nga komisioni kulturor në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sporteve, por sipas kaskadorit, është ministri Pango, ai që nuk e ka vlerësuar sa duhet rolin e tij, për sa kohë që nuk e çuan propozimin tek Presidenti i Republikës. Përpos kësaj, edhe vlerësimi monetar nuk është ai i duhuri, për të mos thënë diskriminues për një profesion që vë në rrezik edhe jetën. Por për sa kohë që Bedri Jashari pohon se “kam rënë në dashuri me këtë lloj sporti”, është vështirë të besohet se ai do të heqë dorë nga ai, për shkak të pagesës së rëndomtë që merr për një rol, apo për shkak se një ministër nuk e sheh të arsyeshme që ai të vlerësohet me urdhrin e lartë “Naim Frashëri”.

 

 

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here