Artisti për artistët

0

 

 

Shkas për këtë shkrim u bë një bisedë miqsh, ku gjithkund zotëronte po i njëjti mendim e ton: respekti dhe dashuria për tri figurat e shquara të skenës dhe e kranit shqiptar – Vangjush Furxhiut, Ndrek Lucës dhe Xhanfize Kekos. Tre filma dokumentarë të Mevlan Shanajt.

I bëra bashkë, sepse ata qëndrojnë po ashtu bashkë në vetëdijen e regjisorit, rrethuar nga një mall e dhembshuri prej miku e kolegu, sikundër e gjitha kjo vjen më pas te ne, shikuesit, shumëfishohet në mbresat tona gjegjëse dhe bëhet mëpastaj pjesë e memories kulturore, pjesë e natyrshme e ndjeshmërive tashmë si popull, si komb. Rrethi vetiu hapet si guri kur bie në një ujanë.

U gjendëm së toku në Fier me Mevlanin dhe miq të tjerë, në një projekt optimist mbi teatrin që bashkia e këtij qyteti ka ndërmarrë së fundmi, dhe ashtu lirisht në biseda pa fund i sollëm para syve të tre artistët e mirënjohur. I sollëm në pamjen mallëngjyese të vdekjes, por i sollëm ca më shumë në dritën e jetës, të talentit, të punës, të shakasë, të gjallërisë, të karakterit, të asaj çka ata bënë ndër vite dhe të asaj çka ishin e përfaqësonin.

Hollësi pa fund, jetë pa fund, adhurim pa fund. E meritojnë. Janë simbole e lavdi të artit, sfida të harresës. Gjithkush nga ne kishte se çfarë të rrëfente. Por Mevlani e dominonte bisedën, sepse përpos mbresave vetjake, kishte shumëçka tjetër për të thënë: kishte filmat e tij kushtuar atyre. Të tre filmat qenë gjurma e thellë që ai e pat bartur viteve në kujtesën e vet për çdo njërin syresh, andaj dhe drita e saj nuk mund të mos dilte në formën e një adhurimi pa tam-tame, por ashtu i butë, i dëlirë, human, si prej miku e kolegu i artit.

E ja, duke kuvenduar për Ndrekën, Vangjushin dhe Xhanfizen, tek unë u bë e “detyrueshme” të shkruaja diç më shumë se një bisedë e shpenguar, më së pari për tre artistët e përmes tyre edhe për Mevlan Shanaj si ideator e regjisor i filmave gjegjës. Ia kërkova dhe i pashë njëherësh të tre filmat e tij; dhe i kam të freskëta të tri fytyrat që ai ka portretuar me dashuri e mjeshtëri.

Doemos kanë mallëngjim brenda, pikon mbi pelikol edhe pjesa e trishtimit familjar të humbjes, edhe pengjet mbetur prej njeriut të dashur. Ata kanë, teksa i përqas së bashku, edhe një strukturë narrative të afërt, ngritur mbi dëshmitë dhe vlerësimet e të tjerëve (artistë e kolegë të njohur), por e veçanta, sipas meje, është ajo luzmë drite që i rrethon tej e tej, është optimizmi, mallëngjimi i kthyer në respekt për atë çka ata përfaqësonin, në vlerën e tyre të njëmendtë.

Distanca e krijuar dhe mbushja me dritë, shpesh edhe me gazmend, diku ndonjë shaka, çaste të vetvetishme pune dhe jete, sipas meje, i ka sjellë më mirë të tre artistët në mesin tonë, mugëtira e rëndë e humbjes dhe e vdekjes është tretur pikërisht nga prania rrezatuese e pjesës së bukur të kujtesës.

Në optikën hulumtuese të regjisorit kanë gjetur vend detaje e gjësende jo vetëm të zemrës së lënduar, por edhe të zemrës së hareshme, ku njeriu është vetvetja, ashtu siç ka qenë, i vërtetë, pa petka të tepërta lavdërimesh kinse poetike që i tëhuajtën prej nesh dhe i kthejnë në statuja të ftohta e të ngrira.

Përkundrazi, duke e kërkuar këtë “dritë jete” dhe këtë optimizëm njerëzor, të tre artistët e shquar, Ndrekë Luca, Vangjush Furxhiu dhe Xhanfize Keko na duket sikur i kemi sërish mes nesh, në një banket miqsh, në një shaka, në një kafe, në një shesh xhirimi, në emocionet e një roli, në shakanë e një episodi, në vrapin e një biçiklete, në letrat e një dosjeje, te një pikë loti prej bije a gruaje, te një përqafim nëne, te një aht zemre prej kolegu.

 

Portreti i aktorit Vangjush Furxhi ravijëzohet, më së shumti, nga kujtimet e artistëve, regjisorëve, aktorëve, nga familjarët dhe shokë të rinisë, të fëmijërisë. Flasin figura të shquara të skenës dhe ekranit si Mihal e Edi Luarasi, Dhimitër Anagnosti e Viktor Gjika, Kujtim Çashku e Mevlan Shanaj, Rajmonda Bulku e Minella Borova.

Vetiu, pa bërë definicione teorike apo analitike, portreti i Vangjush Furxhiut vjen si aktori i papërsëritshëm i skenës dhe ekranit shqiptar, shpërthyes dhe poliedrik si një spektër ngjyrash e kaleidoskop natyrash njerëzore të kthyera në role mbresëlënëse, vrullues dhe plot dritë në sy, i ngrohtë dhe i vetëmjaftueshëm, një begati e kompleks njerëzor që derdhej hirshëm e gjithë sqimë në dhjetëra figura artistike të jetësuara me pasion e dashuri të thellë.

Krahas përgjegjësisë që ai kishte ndaj roleve, artit, punës, familjes, detyrës, rrethuar nga një përdëllim njerëzor dhe keqardhje, vjen edhe dëshpërimi e frika e tij prej një ndëshkimi të mundshëm pas shfaqjes “Njollat e murrme”, stresi i shkaktuar nga trysnia psikologjike e politike e kohës.

Rrëfimi nuk është mbajtur në retorikën e zgjedhur dhe të lartësuar estetike, përkundrazi është kërkuar detaji, situata ligjërimore spontane, e atypëratyshme, madje edhe kur rrëfimi ndërpritet papritur nga dikush a diçka që ndodh (p.sh. me Kujtim Çashkun apo të shoqen e Vangjushit). Ky shpengim i ligjërimit i jep vërtetësi fjalës, ndodhisë, karakterit të vet Vangjushit.

Dua ta them në këtë shkrim se, përpos një marrëdhënieje shumë të sinqertë e gjithë respekt që kam pasur për aktorin, e mbështes tërësisht fjalën e Viktor Gjikës që, edhe në çastet e fundit të jetës, ai fliste për teatrin, e kishte merak, çka e kujtoj edhe unë bisedën e fundit që bëra me atë në aeroportin e Rinasit teksa ai shkonte në Turqi, kur sëmundja e kancerit tanimë ishte bërë e pashpresë dhe rrethi i jetës ishte ngushtuar në pak ditë.

Filmi mbaron me një gjetje mallëngjyese, ku tri elemente shkrihen në një sintezë sa vizive, aq dhe domethënëse. Një mori njerëzish me qirinj diku shkojnë, doemos në një kishë a ritual fetar, dhe në atë plan madhor ne shohim portretin e aktorit në rolet kryesore të tij, që sikur del prej atyre flakëzave të memories, prej vuajtjes dhe vdekjes dhe bëhet njëherazi zëri i tyre, figura sintetizuese, metafora e dhimbjes dhe e artit tashmë të sublimuar në mbamendjen popullore. Dhe brenda kësaj “shkrirjeje” imazhesh, zëri i këngëtarit të madh Elvis Presly na shoqëron gjithë përmallje.

 

Filmi dokumentar “Të fala” kushtuar Artistit të Popullit Ndrek Luca nis me portretin e tij gjithë hare e dritë gjatë një vallëzimi me të shoqen, Mimikën, ku ka aq shumë jetë, gëzim, optimizëm, siç që vetë i ndjeri. Filmi ndërtohet tanimë si një bisedë mes Mevlan Shanajt dhe Mimika Lucës, për ta zgjeruar natyrshëm rrethin tek artistët që patën punuar me të dhe e njihnin nga afër procesin e tij krijues.

Role të spikatur të aktorit vijnë edhe përmes vlerësimeve të artistëve të tjerë, regjisorëve Piro Milkani, Vladimir Prifti, Muharrem Fejzo apo aktorëve si Roza Anagnosti, Tinka Kurti, Lazër Filipi, Timo Flloko. Dhe teksa imazhet e njohur të filmave të tij të shumtë plotësojnë njëri-tjetrin, syri ynë dallon pikërisht ato tipare që edhe i çmohen këtij aktori të veçantë prej kritikës: energjia shpërthyese, përpunimi i thellë psikik i rolit, cilësia e rrallë e të qenit aktor i transformimeve të jashtëzakonshme, të habitshme dhe të papërsëritshme nga njëri karakter te tjetri duke ndërtuar struktura përjetimesh e karakterizimesh krejt të ndryshme dhe origjinale, njerëz të veçantë.

Ishte emblemë e energjisë shpërthyese, e ritmit dhe vrullit, me qasje plastike, mimike dhe emocionale të veçanta. Aktor i temperamentit shpërthyes, që solli figura malësorësh të vrazhdët e me një prerje groteske, por e “gëlltitur” prej qenies së tij dhe e shndërruar në qenie aktoriale.

Tok me ravijëzimet si aktor i veçantë dhe i vlerësuar gjithandej, koncepti regjisorial i Mevlanit kujdeset po aq, si një linjë e dytë, edhe për plotësimin e asaj palitre ngjyrash e përshtypjesh të pashlyeshme tashmë si burrë, si prind, si mik, më së shumti në përthyerjet që japin e shoqja, aktorja Mimika Luca dhe dy fëmijët, vajza dhe djali.

Ne shikojmë një njeri të vullnetit të pathyeshëm, optimist për jetën, punëtor, në dukje i vrazhdët, por në thellësi i butë, njeri i guximshëm, tejet i ndershëm, me atë biçikletën e tij proverbiale rrugëve të Tiranës, me atdhedashurinë prej dukagjinasi dhe mallin e përhershëm për librin.

 

Filmi i tretë i Mevlan Shanajt, “Koha e pelikolës” i kushtohet regjisores së mirënjohur të filmit për fëmijë Xhanfize Keko. Ishte dashuria e artit ajo që e çoi këtë vajzë të thjeshtë nga Gjirokastra drejt ekranit. Por fati i trokiti befas në vitin 1950, kur ajo shkoi për një specializim 2 vjeçar në Moskë. Përvoja që mori si montazhiere e bëri të kuptoj mirë ritmin e filmit, shenjat e tij, nevojën e ngjeshjes, konfliktit, natyrshmërinë e gjestit, veprimit, syrit, sjelljes, fjalës.

E ku më mirë se te fëmija-aktor mund të mbërrinin në epëri të tillë element të aktrimit? Po ku më vështirë se një regjisor filmi mund t’i bëj fëmijët aktorë, ashtu të shpenguar përpara kamerës si përpara vetes, shokëve e shoqeve të tyre, lojërave? Xhanfize Keko ishte në sheshin e xhirimit jo vetëm regjisorja, por edhe mësuesja, kujdestarja, edhe nëna e tyre.

Prandaj ne i shohim aq të natyrshëm sjelljet e fëmijëve në filmat e saj prekës dhe plot jetë. Dhënia e profilit të regjisores nga ish-aktorët fëmijë që tashmë janë të rritur e janë bërë nëna, baballarë, prindër, kujtimet dhe vlerësimet nga individualitete të ekranit si Nasho Jorgaqi, Kristaq Dhamo, Viktor Gjika, Natasha Lako, më tutje nga familjarë të saj, njerëz të njohur apo modestë në jetë, pohojnë idenë sunduese të filmit se fëmijët për Xhanfize Kekon ishin vetë jeta e saj.

Një “stop kamera” në fund dhe sytë e qeshur plot dritë të Xhanfizes, sikur na e sjellin rishtazi e përherë imazhin e saj midis nesh, e përmes saj filmat më të bukur shqiptarë me temën e fëmijëve. Tri portrete artistësh, tri jetë, tri lavdi të skenës dhe ekranit. I mblodha bashkë, sepse bashkë i gjeta edhe në mendjen e regjisorit Mevlan Shanaj, edhe në mendjen time, edhe në mendjen e të gjithë spektatorëve që i kanë parë dhe i kanë kthyer tashmë në kulte adhurimi.

 

 

 

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here