Artistët që humbëm gjatë vitit 2014, nga Veli Rada, Vaçe Zela, Pandi Toçe e deri tek Skënder Sallaku

0

 

 

Artistët që mori me vete 2014-a: Viti 2014 nuk ka qenë një vit i mbarë për artin shqiptar. Në ditët që kemi lënë pas, ishin jo pak artistë që u ndanë fizikisht nga bota që jetojmë. Ky vit që po lëmë pas, mund konsiderohet si viti i humbjeve të mëdha.

 

VAÇE ZELA –Këngëtarja, artistja e madhe lindi në Lushnjë në vitin 1939 dhe vdiq në Bazel të Zvicrës me 6 shkurt të këtij viti në moshën 74-vjeçare. Ajo është gruaja e parë shqiptare e nderuar sa ishte gjallë me titullin “Nderi i Kombit”.

Vaçe Zela mbetet “Zëri i Jashtëzakonshëm” që mbushte me energji skenat shqiptare duke u bërë idhulli i shumë brezave. Vaçe Zela ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës në Radio dhe më vonë në Radiotelevizion që prej organizimit të parë të tyre, duke fituar plot 12 çmime të para, një rekord i paarritur deri më sot.

 

SKËNDER SALLAKU – Më datën 11 shkurt 2014 u nda nga jeta në moshën 79 vjeçare Skënder Sallaku, një nga aktorët tanë të humorit, ish-kampion kombëtar në mundjen klasike, autor skeçesh e parodish.

Fillimisht filloi punë si profesionist në Estradën e Kufirit, më pas si klloun akrobatik në cirk, duke dhënë një kontribut të papërsëritshëm në ecurinë e këtij profili sa të vështirë aq edhe të bukur. Përveç çmimit “Artist i Popullit”, ai mbante edhe titullin ”Artist i Merituar”, “Mirënjohja e qytetit”, etj.

 

LIZA LASKA – Aktorja e njohur shqiptare, “Artistja e Merituar” është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare me 1 shtator 2014.  Liza Laska (1926-2014).

Ajo lindi në qytetin e Vlorës. Qysh në rini u dallua për talentin e saj dhe në vitin 1946 filloi punë në Teatrin Popullor në Tiranë. Më pas shkoi në Korçë, ku ishte aktore themeluese e teatrit profesionist të këtij qyteti, duke luajtur role kryesore, deri më vitin 1962.

Nga ky vit ajo u bë një nga aktoret e para, që formuan trupën e Teatrit Profesionist të Vlorës. Punoi aty deri sa doli në pension, duke qenë aktore e parë dhe duke mbajtur peshën më të madhe të roleve femra, me mbi 60 role të tilla. Ka luajtur mbi 22 role në filma shqiptarë dhe mbi 100 role në teatër.

Ka spikatur posaçërisht në rolet e nënave epike, që vuajnë dhe pësojnë halle e humbje të mëdha tragjike për bijtë e tyre të rënë për liri, po kështu, gra të vuajtura e fatkeqe, që durojnë me stoicizëm pasojat e një jete nën dhunë apo me liri të kufizuar: gra të emancipuara apo nëna e gjyshe të dashura.

Kujtojmë disa prej tyre “Vendimi “Si nëna, “Familja ime” në rolin e Teta Kalina, “Vdekja e burrit”(1991) e të tjerë.

 

BESA IMAMI– Artistja e Merituar është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare më 22 shtator 2014, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

Besa Imami i dha publikut mbi 90-të role, midis të cilave përmendim rolin e Mbretëreshës Teuta tek “Artani”, rolin e Nënë Zyrasë te “Bashkë me Agimin”, rolin e Prendës te “Cuca e Maleve”, rolin e Rushës te “Halili dhe Hajria”, rolin e Lajes te “Lulet e Shegës” etj.

Në kinematografi ajo u bë e njohur për publikun e gjerë me rolin e Donika Kastriotit në filmin “Skënderbeu” të realizuar në vitin 1953. Më pas do të vijonin role të tjera në filmin “Brazdat” në vitin 1973, “Në fillim të verës” në vitin 1975’. Roli i saj më i fundit është ai i Gruas myslimane në filmin “Eduart”në vitin 2006.

Ajo gjithashtu ka interpretuar edhe në operën “Kavaleria Rustikane” të Pietro Maskanjit të vënë në skenë nga Teatri i Operës dhe i Baletit. Në vitin 1961, kur ishte vetëm 33 vjeç, Besa Imami për meritat e saj artistike do të vlerësohej me titullin “Artiste e Merituar”

 

FADIL KUJOVSKA- Aktori i njohur i skenës shqiptare, ka lindur me 14 shkurt 1951 në Tiranë, ndërsa është shuar nga jeta më 30 tetor 2014.

I njohur për rolin në filmin “Dy herë mat” me rolin e Cukut. Kujovska në vitin 1975 interpretoi në Teatrin e Gjirokastrës, më pas nga viti 1978 ishte aktor në Teatrin Kombëtar.

Ndërsa ka luajtur disa filma shqiptarë si psh: “Dasma e shtyrë”, “Tela për violinë”, Agimet e stinës së madhe” e të tjerë.

 

Petraq Xhillari lindi në Përmet më 11 qershor të vitit 1943 dhe u nda nga jeta në 28 dhjetor 2014. Ai është i njohur për shumë role në teatër e filma.

Xhillari realizoi rreth 50 role në skenë e mbi 10 në kinematografi, kryesisht role karakteri, ndër të cilët mund të përmendim; “Gjurmë në dëborë” (1984) doktori “Agimet e stinës së madhe” (1981)….Mesuesi i muzikes, “Intendenti” (1980) “Mysafiri”(1979) zoti Nata, “Gjeneral gramafoni” (1978) Veizi, “Nga mesi i errësirës” (1978) Dyqanxhiu, “I trerti” (1978) Selmani, “Njeriu me top”(1977) Ndihmesi etj.

 

Veli Rada. Aktori i mirënjohur i humorit shqiptar, Veli Rada, ndërroi jetë në 27 dhjetor 2014 në moshën 72-vjeçare pas një sëmundje te rëndë.

Aktor profesionist i Estradës së Tiranës prej 35 vitesh, Veli Rada në vitin 2013 u nderua nga Bashkia e Tiranës me titullin “Mirënjohja e kryeqytetit” si dhe nga Presidenti i Republikës “Mjeshtër i Madh”. Rada ka studiuar në Institutin e Lartë të Arteve në vitet 1972-1975 në degën e aktrimit dhe menjëherë pas studimeve, u bë anëtar i Teatrit të Estradës së Tiranës, ku punoi për 35 vjet.

Ai ka realizuar qindra role, prej të cilëve shumë do të mbeten të paharruar dhe punoi si regjisor e asistent regjisor, skenarist humori. Rada ka realizuar një sërë skeçesh, parodish, etj. Veli Rada ishte edhe një komentator i njohur i sportiv.

 

PANDI TOÇE- Një nga ish-aktorët e Peshkopisë dhe inspektor skene në Teatrin Kombëtar, Pandi Toçe, humbi jetën duke bërë një gjest heroik. Aktori i Teatrit Kombëtar, Pandi Toçe, humbi jetën mëngjesin e 12 gushtit në Liqenin Artificial të Tiranës.

Ndërsa shëtiste herët në mëngjes, ai ka vërejtur një fëmijë që i kishte rënë topi në Liqen dhe në tentativën për ta marrë, fëmija po thithej nga balta. Toçe ka vrapuar për ta ndihmuar fëmijën, por ka qenë e pamundur të dilte më nga uji, i asfiksuar.

 

GJOK BECI – Më 13 shkurt 2014 u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare Gjok Beci. Poeti vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë. Beci njihet edhe si autor i shumë këngëve folklorike të ansamblit të Mirditës si dhe të festivalit në RTSH, ku ndër më të njohurat është kënga “Rrjedh ne këngë e ligjërime”, kënduar nga Vaçe Zela.

Vëllimi i parë i tij poetik “Kur zgjohen bjeshkët” u botua në vitin 1970. Në udhën krijuese të Gjok Becit ka pasur një kohë kur iu ndalua të botonte. Pas viteve 2000 ai botoi disa vëllime të tjera poetike, si: “Qiell e Dhe”, “Antologjia e Shpirtit” (1, 2)dhe “Thuj vetes ec”. Në vitin 2009 u dekorua me titullin “Mjeshtër i Madh i Punës” nga ish-Presidenti Bamir Topi.

 

DOKTOR FLORI -Florian Kondi, i njohur për mbarë publikun shqiptar si Doktor Flori ka lindur në Tiranë me 28 shkurt 1979, ndërroi jetë me 17 nëntor 2014.

Doktor Flori është krijues i grupit muzikor mjaft të njohur dhe të pëlqyer nga të rinjtë “West Side Family”. Florian Kondi u bë i njohur ne tregun muzikor me këngën “O çike çike”, më pas ajo me titullin, ‘Tirona’ që u performua krah kryetarit të atëhershëm të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.

 

SKËNDER DRINI – Shkrimtari Skënder Drini është ndarë nga jeta më 16 dhjetor, në moshën 79-vjeçare. Botimet e tij të para, edhe pse për jetën e botën e fëmijëve, zgjuan interes dhe treguan se në skenën e letërsisë shqiptare po vinte një zë i veçantë.

Botimet e tjera, vëllimet me tregimet e veçanërisht romanet, qenë një befasi. Lexuesit e vëmendshëm e kritika, panë në këto vepra një stil e ngjyrim emocional të veçantë tek ai shkrimtari, historiani, filozofi, analisti e politologu, një shkrimtar potent që sillte me art e kulturë realitete të ndryshme historike e bashkëkohëse, të mbështjella me një tis filozofik e frazë ekspresive që të bënte për vete.

 

 

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here