Arti dhe dizajni i filmit shqiptar

0

 

 

Vepra të përzgjedhura nga vitet e Kinostudios; Opinion rreth ekspozitës së hapur në GKA, Tiranë

Ndini R. Bardhi

Më Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, është hapur një ekspozitë e veçantë specifike dhe interesante për kohën e sotme demokratike dhe artdashësin konceptual e modern, e titulluar “Arti dhe dizajni i filmit shqiptar me rreth njëqind vepra artistike të filmit shqiptar të realizuara mjeshtërisht nga piktorë shqiptar për pesë dekada komunizëm në Shqipëri”.

Objekti dhe subjekti specifik i artit kinematografik në Shqipëri  ka qenë një krijim njerëzor dhe ekzistencial i tij, është art që ka lindur dhe i zhvilluar me shumë sukses në hapësira të marrëdhënieve midis realitetit real dhe subjektit krijues të vetë artistit (artistëve) të filmit shqiptar në vite.

Në këtë kontekst, krijimtaria artistike në sistemin social-komunist ka qenë marrëdhënie e kushtëzuar shoqërisht për ekzistencën e artit kinematografik si specifik dhe atij në përgjithësi.

 

Arti, që shikojmë në këtë ekspozitë dinjitoze dhe me shumë vlera jetësore, njerëzore, historike, kulturore etj.  “Arti dhe dizajni i filmit shqiptar” është sintezë e përgjithësuar në objektin specifik të tij.

Në subjektin e  çdo vepre arti të realizuar artistikisht shfaqet shumë qartë dinamika e jetës shoqërore me dukuritë shpirtërore të saj, bukuria e karaktereve njerëzore, madhështia e ngjarjeve të ditës, të kohës, historisë dhe e përpjekjeve për ekzistencë e mirëqenie, dashuria e sinqertë dhe e pastër, heroizmi i popullit për ndërtimin e socializmit.

Një dukuri thelbësore që e bën të veçantë, vlerë dhe me shumë interes për publikun artdashës shqiptar dhe të huaj, qëndron në tematikë dhe objekt i frymëzuar nga realiteti shqiptar i sistemit komunist ekzistues në Shqipëri. Çdo vepër arti është një krijim dhe interpretim i dukurive konkrete, reale të botës njerëzore dhe sociale.

Në artin e kësaj krijimtarie “Arti dhe dizajni i filmit shqiptar” pasqyrimi i tematikës  ka qenë e ndërlikuar dhe e ndërmjetësuar nga ideologjia dhe ndërgjegjja e artistit piktor dhe skulptor të filmit në veçanti dhe kinematografisë shqiptare të kohës së diktuar dhe e kornizuar politikisht.

Shikojmë vepra artistike që janë frymëzuar e që pasqyrojnë në një mënyrë specifike tipiken revolucionare të kohës së shoqërisë shqiptare dhe sistemit ideologjik të komunizmit në Shqipëri. Në gjithë veprat artistike të dizajnit të filmit shqiptar me vlera të vërteta ndihet emocioni njerëzor dhe realiteti i natyrshëm social i ditës dhe i kohës së përjetuar nga artistët, si një gjenerator i përgjithshëm specifik të artit kinematografik dhe lëndë e parë për çdo frymëzim krijues artistik.

 

Gjetjet dhe këndvështrimet e dukurive të realitetit, të shoqërisë në veprat e këtyre artistëve të filmit shqiptar janë një dëshmi reale e marrëdhënieve ekonomike, politike, morale, individuale, komunitare e familjeve të njerëzve, të jetës materiale e shpirtërore të shoqërisë socialiste në Shqipëri.

Në këtë kontekst arti i dizajnit të filmit shqiptar në gjithëkohësi të ekzistencës dhe dinamikës së tij revolucionare ka interpretuar artistikisht fenomenet e realitetit real duke i dhënë përparësi absolute të vërtetës origjinale të tij në antipod me artin imagjinar dhe të gënjeshtërt.

Arti i filmit shqiptar në këtë ekspozitë me vlera të patjetërsueshme për kohën që ekzistoi në vetvete dhe në tërësi fenomenale njerëzore e shoqërore përmban në ide, formë, strukturë, mesazh, të gjitha atributet cilësore të një arti të vërtetë, që në themel të tij përgjithëson jetën shoqërore dhe realitetin  e gjallë me larminë tematike të shfaqjeve të tyre në sistemin e komunizmit në Shqipëri për pesë dekada.

Në këtë kuptimësi vlerash artistike është e vlefshme për të gjithë artdashësit e kulturuar shqiptar të djeshëm e të sotëm, të theksojmë në mënyrë reale dhe objektive se objekti i artit të filmit dhe kinematografisë shqiptare duhet parë dhe studiuar në mënyrë dialektike që në zanafillë e deri më sot.

Janë përpjekje dhe sakrifica të panumërta që janë arritur të realizohen shumë filma cilësorë e shumë të dëshiruar nga njerëzit e brezi i sotëm i ri, që shikohen me endje të madhe në kinema e në ekranet e televizorit, jo vetëm në Shqipëri por edhe në gjithë botën e qytetëruar në mbarë globin.

 

Janë tituj të shumtë filmash, janë vite përpjekjesh e sakrificash, janë idetë dhe mendjet krijuese të piktorëve e skulptorëve, regjisorëve e kompozitorëve, që me idealin dhe shpirtin e kohës që jetuan e krijuan, trashëguan brezave të sotëm të fillimit e kinematografisë shqiptare, një thesar vlerash të pallogaritshme e të patjetërsueshme të shpirtit shqiptar, qoftë apo qofshin edhe të realizuara në sistemin e diktuar komunist, siç ka qenë në Shqipëri e deri më sot.

Filmi i parë shqiptar ka qenë filmi me metrazh të gjatë e shumë interesant “Tana”, me regjisor Kristaq Dhamo, e piktor Namik Prizreni, i realizuar në vitin 1958, “Debatik”, 1951, me regjisor Hysen Hakani e piktor Ksenofon Dilo, “Duel i heshtur”, 1967, piktor Astrit Toto, regjisor Dhimitër Anagnosti, “Ngadhënjim mbi vdekjen”, 1967, piktor Shyqyri Sako, regjisorë Gëzim Erebara dhe Piro Milkani.

Filmi “Prita”, 1968, realizuar nga piktori Shyqyri Sako dhe regjisor Mit’hat Fagu. Më pas shikoj (shikojmë) një pllakatë i dizenjuar artistikisht bukur i filmit “Horizonte të hapura” realizuar nga piktori Ksenofon Dilo dhe regjisori Viktor Gjika.

Dukshëm dhe harmonishëm zë një radhë vlerash në këtë ekspozitë “I teti në bronx”, realizuar nga piktori Namik Prizreni dhe regjisori Viktor Gjika. Filmi “Gjurma”, 1970, me një dizajn të goditur është vizatuar nga piktori Azis Karalliu dhe regjisori Kristaq Dhamo.

“Njësiti gueril”, 1969, me piktor Shyqyri Sako dhe regjisor Hysen Hakani është një arritje impresionuese në këtë shfaqje artistike të realizmit socialist në Shqipëri. E më tej në simfoni me të tjerat vepra artistike thekset edhe filmi me temën e punës “Montatorja”, 1976, me realizim të piktorit Shyqyri Sako dhe regjisor Muharrem Fejzo.

Piktori Bujar Zajmi dhe regjisori Gëzim Erebara, mjeshtërisht kanë interpretuar filmin  “Guximtarët”, 1970, si një temë heroike e kohës dhe realitetit të përditshëm shqiptar. “Lugina e pushkatarëve”, 1970, është një film i konceptuar artistikisht në dizajnin e piktorit Myrteza Fushekati i mbështetur nga regjisori Todi Bozo dhe regjisorja Vitore Çeli.

Shikojmë një film me temë të luftës “Kur zbardhi një ditë”, 1071, që piktori Azis Karalliu e trajton vërtetë si një jehonë e shumëpritur nga çdo shqiptar në kohëra më të vështira të ekzistencës së tij nga pushtuesit e huaj. Sinkron me piktorin është edhe përpjekja regjisoriale e Piro Milkanit, si një ide e mbushur me mesazhe optimizmi për liri dhe pavarësi kombëtare.

“Mëngjeze lufte”, 1971, është një arritje impresionuese e piktorit Myrteza Fushekati dhe regjisorit Kristaq Dhamo. “Kapedani” 1972, një film i konceptuar me shumë domethënie nga piktori Shyqyri Sako dhe regjisorët Muharrem Fejzo dhe Fehmi Oshafi.

Në sakrificat e shumta që ka bërë populli ynë që nga veriu deri në jug për ndërlidhjen e komunikimit mes njerëzve dhe jetës njerëzore është përjetuar si përgjithësim i realitetit në Shqipëri nëpërmjet filmit “Rrugë të bardha”, 1974, me piktor Shyqyri Sako dhe regjisor Viktor Gjika.

Një shkëlqim vlerash historike dhe artistike në këtë ekspozitë të filmit shqiptar të viteve 1970 merr edhe filmi “Rrugicat që kërkonin diell” i vizatuar me mjeshtëri nga piktori Shyqyri Sako dhe regjisori Saimir Kumbaro dhe Rikard Ljarja, që për nga vlerat që mbart meriton një konsideratë të lartë shpirtërore dhe emocionale.

Piktori Arben Basha, Mentor Muça, në bashkëpunim artistik me regjisorin Piro Milkani kanë arritur artistikisht filmin “Zonja nga qyteti”, 1976, sa popullor aq edhe i besueshëm për njerëzit. Qëndresa e populit tonë për ekzistencë dhe dinjitet kombëtar është përgjithësuar bindshëm në filmin “Përballimi”, 1976, nëpërmjet piktorit Azis Karalliu dhe regjisorit Viktor Gjika.

Në këtë ekspozitë “Arti dhe dizajni i filmit shqiptar” shikojmë edhe shumë filma interesant “Ilegalët” 1976, realizuar nga piktori Azis Karalliu dhe regjisorët Saimir Kumbaro dhe Rikard Ljarja. Më tej shikojmë përpjekjen e popullit tonë për liri njerëzore tek filmi “Pylli i lirisë”, 1976, realizuar nga piktori Kleo Nini dhr regjisor Gëzim Erebara.

Tema e grave heroike gjatë luftës çlirimtare është realizuar me shumë emocione te filmi “Dimri i fundit”, 1976 nga piktori Shyqyri Sako dhe regjisorët Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro. Xhanfize Keko, si regjisore e talentuar, në bashkëpunim artistik me piktorin Astrit Tota, për artdashësit shqiptarë e më gjerë ka realizuar filmin “Tinguj lufte” në vitin 1976.

Nëpërmjet veprave të artit të shfaqura në këtë ekspozitë të filmit shqiptar në vite, kryesisht të viteve 1970, arrijmë në bindjen tonë njerëzore se objekti i artit, qoftë edhe në sistemin social-komunist, është konceptuar dhe zhvilluar në mënyrë dialektike në njësinë e kohës që është jetuar dhe e pranuar nga e gjithë shoqëria shqiptare, që do të thotë, se ai (arti) në ide, tematikë e mesazh nuk mbetet i stopuar i pandryshuar historikisht.

Po t’i hedhim një përkujdesje dashamirëse sado të përgjithshëm ose të veçantë e specifik të historisë së artit të filmit dhe kinematografisë shqiptare ndër vite, vihet re interesi i motivuar krijues nga njëri film në tjetrin se piktorët, skulptorët, regjisorët e kompozitorët kanë mbajtur një qëndrim konstant dhe preferencial në gjetje, teknikë, rrymë artistike realiste ndaj dukurive të përditshme dhe dinamikës së shoqërisë shqiptare që nga lufta për liri, ndërtim e mirëqenie, dinjitet e krenari shqiptare e kombëtare si vetvete dhe ndaj botës.

Ky përjetim, ky kontakt i artistit me jetën e popullit të tij, i kujtdo kohe dhe sistemi qoftë përbën një konstante të përhershme të vlerave si shqiptar dhe mban gjallë shpirtin e historisë, ekzistencës, dinjitetit, jo vetëm në gjirin e shoqërisë së sotme moderne, por edhe ndaj botës së qytetëruar. Për këtë e për të gjitha të jemi krenar!

Arti dhe artisti, qoftë edhe ai i filmit, janë shpirti dhe dinjiteti i kombit shqiptar në shekuj.

*Piktor, studiues arti

 

 

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here