Burri me këmishën me kuadrata i cili po vizaton mbi fletën e bardhë në tryezë është Artan Maku, piktor dhe regjisor i njohur i filmit të aneminuar. Për shumë vite ai është një nga personazhet që ka kontribuar më shumë për filmin e animuar shqiptar.
I pasionuar pas krijimit, Maku i ka dhënë këtij lloj filmi karaktere dhe histori që kanë mbetur në memorien tonë. Filmin e parë si piktor dhe regjisor ai e realizoi në vitin 1981 me titullin “Dhelpra dhe iriqi”. Në vitin 1984 krijon personazhin e Pikut, një karakter me të cilin xhiroi disa seri filmash vizatimorë deri në vitin 1988. Filmi i tij “Lulja magjike”, 1985 u vlerësua me çmimin e tretë në Festivalin e 6 të filmit dokumentar e vizatimor shqiptar.
Filmi “Piku me lëkurë dhelpre” merr çmimin Desiderio në Festivalin e fëmijeve GIFFONI, Itali 1989. Filmi “Koha moderne” vlerësohet me Best Animation në Festivalin Ndërkombëtar NINE ELEVEN, Prishtinë 2007. Që nga viti 2005 Artan Maku i është kushtuar produksionit të filmit krahas punës krijuese në fushën e animacionit.
Me kompaninë filmike MAKU PRODUCTION ka prodhuar një sërë titujsh veprash të reja të gjinisë së animacionit dhe të filmit me metrazh të shkurtër duke u prezantuar me to në shumë Festivale kombëtare dhe ndërkombëtare filmi. Në vitin 2010 merr jetë projekti i tij ANIFEST ROZAFA, Festivali ndërkombëtar i filmit të animuar për fëmijë dhe nga fëmijët, i pari i këtij lloji në Shqipëri. Maku është një nga personazhet më aktivë përsa i përket qëndrimeve mbi filmin e animuar.
“Në 40 vjet ne kemi rreth 241 filma, që presin nga televizionet shqiptare që të merren. Janë filma që janë përpunuar teknikisht dhe janë në nivel të mirë për tu shfaqur”, shprehet ai. Filmi I parë I animuar për fëmijë quhet “Zana dhe Miri”, film i prodhuar nga kinostudioja “Shqipëria e Re” në 24 nëntor të 1975. Zana dhe Miri është përgatitur nga autorët realizues Vlash Droboniku dhe Tomi Vaso.
Muzikën e filmin e ka kompozuar Limos Dizdari. Filmi i parë vizatimor shqiptar fillon me një varg pamjesh të qytetit sipas fantazisë së kohës dhe ky varg ndalet në një park ku lozin me top Zana dhe Miri. Duke lozur, topi bie në një lule të parku dhe e thyen lulen. Dielli skuqet nga kjo ndodhi.
Fëmijët e marrin topin dhe më pastaj topi bie në një fontan ku me të lozin edhe peshqit dhe fëmijët nuk mund ta nxjerrin. Zana i lutet një lule për ndihmë, mirëpo ajo ja kujton Zanës lulen që kishin thyer më parë. Pasi Zana e kupton gabimin që kishin bërë dhe i premton lules se nuk do të përsëritnin atë, lulja me ndihmën e diellit e nxjerr topin nga fontana e parku. Që nga ajo ditë, Zana përkujdeset edhe ndaj luleve që ka në shtëpi. Për Makun ka ardhur koha të investohet më shumë në këtë gjini, e cila ka një traditë të mirë në artin kinematografi shqiptar.