Ardian Cerga nën petkat e personazhit idealist, zhgënjehet nga të gjitha sistemet!

0

 

Nga: Valeria P. Dedaj

 

Ardian Cerga rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar pas 28 vitesh mungesë. Kësaj here ai vjen nën petkun e një personazhi “memecë”, i cili qëndron i distancuar nga turma. Në rolin e një personazhi, që beson tek shteti i së drejtës, pa u munduar që të bëjë analiza të mëtejshme.

 

Ndoshta, përzgjedhja e regjisorit Spiro Duni, që personazhi i Cergës te “Pushteti i grave” të distancohet nga klasat, duke i dhënë këtij personazhi jetë nëpërmjet fjalës vetëm në aktin e fundit, nuk ka qenë rastësore. Po ashtu, siç nuk mund të ketë qenë i pamenduar fakti që aktori, që rrugëtimin artistik, të nisur para katër dekadash me role apolitike, kësaj here të vijë nën rolin e një idealisti.

Kësaj here, Ardian Cerga rrëfen, për gazetën “Shekulli”, rolin e krijuar enkas për të te “Pushteti i grave”, të idealistit, njeriut të thjeshtë që beson në ligjet e shtetit. Por, Cerga nuk e lë me kaq! Pavarësisht dëshirës për të qëndruar jashtë debatit për censurim të filmave të realizuar gjatë realizmit socialist, artisti shprehet se, në një formë apo në një tjetër, filmat e çdo periudhe, përfshirë edhe ata, që sot realizohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përçojnë propagandë.

 

Zoti, Cerga riktheheni në skenën e teatrit pas 28 vitesh. Si jeni ndier përgjatë këtyre netëve në skenën e teatrit, nën petkun e një personazhi, si Sotiri?

Zgjedhja e regjisorit Spiro Duni për të punuar mbi veprën “Pushteti i grave” të Aristofanit është bërë me mençuri dhe pasion. Ai e ka krijuar personazhin e Sotirit në mendje dhe e ka hedhur në letër. Ndërsa, unë jam përpjekur të realizoj në skenë. Personazhi që unë luaj ecën në ujërat e shfaqjes, gjithmonë me bindjen se diçka e re po ndodh. Ai mendon që ta pranojë dhe jetojë këtë gjë, derisa në fund e kupton se, çfarëdolloj sistemi të vijë do të mblidhet gjithmonë në një pikë, që nuk ka lidhje më me individin, me mendimin apo me abuzimin, por ka lidhje me interesa të caktuara. Sotiri është një personazh idealist, është njeriu i thjeshtë, që beson në ligjet e shtetit.

 

Sotiri qëndron i veçuar nga turma dhe i heshtur në skenë, aq sa të krijon përshtypjen se është memecë. Kjo gjendje ndryshon në aktin e fundit të shfaqjes. Ju personalisht, në cilën pjesë e keni gjetur veten më tepër?

Kjo marrëdhënie është përcaktuar në bashkëpunim me regjisorin. Hyrja dhe dalja e personazhit në skenë pa fjalë, flet më shumë sesa flet vet qenia e tij. Është pikërisht lëvizja, në qetësi dhe i heshtur, ku Sotiri ndjek gjithë fjalimet dhe zhvillimet politike që po ndodhin në vend. Ai mendon se gjërat janë të bukura, por kur sheh realitetin sërish thotë se duhet të zbatojë ligjin. Këtë gjë e përjeton nëpërmjet dialogëve të kursyer në fund të shfaqjes, që evidentojnë personazhin, të cilin e karakterizon një lloj çiltërsie dhe naiviteti.

 

Pas 28 vitesh në skenën e Teatrit Kombëtar. Në çfarë gjendje e gjetët?

Nëse heqim nostalgjinë dhe dëshirën time për t’u rikthyer pranë spektatorit, më bën përshtypje se ka shumë djem dhe vajza të talentuar. Për këtë ka një meritë të veçantë edhe drejtuesi këtij institucioni, Hervin Çuli, i cili ka bërë ndryshime. Në një periudhë 3-vjeçare, TK ka 365 ditë jetë aktive të plotë, në salla të ndryshme, në të njëjtat kushte financiare dhe ekonomike, që ishte edhe para disa vitesh teatri sot gjendet në një nivel tjetër. Gati-gati ka filluar të selektojë edhe spektatorin.

Shikoj tentativa dhe premiera të guximshme. Ndërsa, për kushtet ekonomike nuk dëshiroj të flas, sepse kjo gjë varet nga ministria që e mbulon dhe jo nga drejtuesi i TK-së, aq më pak nga artistët. Por, një nga arsyet që jam kthyer është pikërisht sjellja që kam parë, e teatrit me spektatorin dhe anasjellas.

Kjo ndodhte në mesin e viteve ’70, kur njerëzit mbanin radhën për të marrë një biletë në teatër, ndërsa sot ka mjete të tjera dhe e merr me shpejt një biletë, por dëshira është rikthyer! Pa diskutim do të ishte më mirë nëse do të kishte mundësi teknike, që kjo komedi të bënte turne edhe në qytete të tjera, siç ka ndodhur dikur. Por, kjo gjë është gati në kufijtë e të pamundurës, sepse ka të bëjë edhe me buxhetin e TK-së, që është në limit.

 

Po përsa i përket kinematografisë shqiptare, çfarë mund të na thoni?

Filmi është një lloj arti “kontemporan”, që jetohet vetëm një herë, në momentin që e xhiron. Nuk ribëhet, por qëndron i mbyllur. Mundësitë e realizimit të filmit për mua janë në limite, por mendoj se me pasion dhe me dëshirë mund të bëhen edhe gjëra të mira.

 

Cilin film mund të na veçoni, nga ata që janë realizuar pas ’90-s?

Ka filma të mirë! Për shembull, janë filmat e Gjergj Xhuvanit dhe të të ndjerit Artan Minarolli. Pa diskutim janë filma që janë xhiruar me shumë sakrifica, edhe nga ana ekonomike. Përveçse, punës profesionale që kanë bërë këta djem, ata kanë zbuluar edhe talente te reja, që sot janë në kinematë e Europës. Këta regjisorë i shikoj, si pionierë të vërtetë të filmit shqiptar, pas viteve ’90.

 

Gjithashtu luani edhe në filmin “Ndërkombëtarët” realizuar nga Pluton Vasi, që pritet të shfaqet në kinema. Por çfarë mund të na tregoni më tepër për këtë rol?

Filmi i Puton Vasit ( bazuar te ‘Një rrëfenjë me ndërkombëtarë” i Yljet Aliçkës) përkon me një situatë të ndërlikuar! Personazhi im është një ambasador anglez i vendosur në Shqipëri. Ai ka dalë në pension karriere politike dhe ka ardhur në Shqipëri. Është një personazh, tipik i anglezit, si meskin, që i sheh gjërat veçse për interesa të veta. I intereson shumë pak nga ato që ndodhin rrotull.

Është një lloj marrëdhënie pak e lëkundur, sepse realisht sot në situatën konkrete që gjendemi, nuk po e kuptojmë më se çfarë po ndodh as me kombëtarët dhe as me ndërkombëtarët, që duket sikur janë të angazhuar, por nuk merret vesh sesa janë dhe si janë të angazhuar.

Ndalimi i filmave, do të thotë të shembësh një histori arti! Vlerësimi në dorë të ndërgjegjes sociale dhe jo kritikëve!

 

Është aktual edhe debati për ndalimin e filmave propagandues, që janë realizuar në periudhën e komunizmit. Sa me vend u duket ky debat?

Ky debat, sipas meje, krijohet me tepër për të krijuar zhurmë, sesa për t’u marrë me një argument real. Përsa i përket personazheve, që unë kam luajtur në atë periudhë, mundet edhe që të rrija i qetë nga ky debat, sepse personazhet e mi janë të gjithë personazhe, “rebel”, që nuk lodhen me idenë e ideologjisë. Kurse nga pozicioni i artistit nuk do të doja që t’i jepja hapësirë këtij debati, sepse hapësira që do t’i jepja do t’u jepte material atyre, që merren me artin e të kritikuarit apo të të dhënit të ideve se si mundet që të bëhet arti i pavlefshëm.

Për mua e gjitha kjo është që të shembësh historinë e një arti. Në të gjithë botën ka rryma të ndryshme arti. Edhe ata kanë duruar 2 apo 50 vite. Ari i realizimit socialist në këtë rast është një art ashtu siç mundet që të jetë neorealizmi, ashtu siç mundet që të jetë klasicizmi, arti modern etj. Te ne për fat të keq apo për fat të mirë, kjo i lihet pikërisht në dorë ndërgjegjes sociale dhe jo një kritiku, që ta vlerësojë apo jo.

 

Në momentin që ti do ta kthesh të gjithën në aspektin politik dhe moral, për mua është e gabuar, sepse sot edhe kësaj dite edhe filmat amerikanë nuk bëjnë asgjë më tepër, sesa përçojnë ideologji të ndryshme. Prandaj, përveçse naive, më duket edhe mediokre nga ana e atyre, që e kanë ngritur këtë problem. Këto nuk janë problemet e artistëve. Unë di se shoqërisë i kam dhënë aq sa mundet që t’i jepja në ato vite, që kanë qenë shumë të vështira. Kam dënuar dhe veten me personazhet e mia, që kam luajtur në atë kohë. Dy apo tre individë, që mundet të jenë shumë të talentuar, por që unë nuk i njoh s’kanë të drejtë të mohojnë një periudhë të caktuar të historisë së artit. Madje, për të keqen e tyre është i vetmi art, i ngelur dhe i bërë pas viteve ’50 në Shqipëri. Ne nuk kemi histori arti përveçse kësaj. Flasim për filmin gjithmonë.

 

A keni një mesazh për artistët e rinj?

Është e vështirë për të dhënë një mesazh për të rinjtë sot, sepse jetojmë në një botë, ku progresi është i vazhdueshëm dhe komercial, ku në kushtet konkrete të Shqipërisë dhe kërkesa ekomomike nuk puqen me mundësitë. Por, mund të them se duhet të jenë sa më shumë koherentë, konkretë dhe të kulturuar.

Janë ata, jemi ne, që duhet të përçojmë këtë kulturë sociale, që neve na mungon. Kemi më shumë se 160 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë dhe prej tyre shikojmë një apo dy, që ndjekin shfaqje në teatrot e Tiranës. Ky është një tregues i gjendjes ku jemi. Mesazhi im për ta është që të përpiqen dhe të plotësojnë veten me kulturë sociale.

 

Dhe së fundmi, cilat janë projektet që keni në duar?

Aktualisht kam një projekt intim në kinematografi, që pres të shqyrtohet nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Ndërsa, në teatër jam në pritje të mundësive të reja.

 

Filmografi & Teatër: “Me hapin e shokëve”, me regji të Esat Telitit, ’79; “Mësenjtorja”, regjisor Muharrem Fejzo, ’79; “Në çdo stinë”, regjisor Viktor Gjika, ’80; “Era e ngrohtë e thellësive”, regjisor Vladimir Prifti, ’80; Në vitin ’80 mbaron studimet në Institutin e Lartë të Arteve; “Avni Rustemi” me trupën e Teatrit të Beratit, fiton çmimin e parë në festivalin e teatrove viti ‘88; “Pranvera s’erdhi vetëm”, regjisor Pirro Milkani, ‘88; “Unë dhe Mefistofeli” dramë e Bashkim Hoxhës, ‘88; “Njerëz në rrymë”, ‘89; “Nata pa hënë” 2004.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here