Aktorja Anila Bisha pohon se politika i ka përçarë artistët. Sipas saj, edhe për të fituar projekte artistike duhet të jesh me atë forcë politike që është në pushtet gjë e cila prej vitesh vazhdon. Në teatër mungon ajo atmosferë që ajo ka gjetur kur ka filluar punë në vitin 1991.
Sipas saj në ato vite bëhej art, por sot arti po vjen çdo vit duke degraduar dhe nuk do t’ia dijë njeri se çfarë po ndodh. Shqetësuese për aktoren është dhe fakti që ende askush nuk po flet për një projekt konkret se çfarë duhet të ndodhë me Teatrin Kombëtar.
Për aktoren e njohur edhe pse Teatri Kombëtar është një institucion në varësi të Ministrisë së Kulturës, kjo e fundit duket se nuk e ka pasur në vëmendje prej vitesh, gjë e cila është treguar dhe me buxhetet e pakta për jetën artistike. Me një karrierë që nisi vite më parë Anila Bisha një ndër aktoret më të njohura nga publiku shqiptar.
Në të gjitha rolet e saj në teatër apo dhe në fushën e kinematografisë ajo është vlerësuar për atë çfarë ka sjellë para publikut. Në ekranin e kinemasë roli i parë i saj nis me filmin “Gurët e shtëpisë sime” në vitin 1984. Gjatë kësaj kohe ajo po përgatitet për një tjetër film, që pritet të fillojë xhirimet.
-Si kaloi për ju ky sezon artistik që u mbyll në teatër?
Jam e pakënaqur, sepse pretendoja që të punoja dhe më shumë si aktore me role. Por nuk m’u krijua mundësia dhe kjo jo për fajin tim.
-Për faj të kujt nuk t’u krijua për më shumë punë në teatër?
Mendoj se për faj të politikave.
-Për ju si aktore, ku çalojnë sot politikat në fushën e teatrit?
Mua më mungon shumë ai teatër dhe atmosfera që kam gjetur kur kam ardhur si aktore në Teatrin Kombëtar. Ka qenë viti 1991, ku aktorët mblidheshin çdo ditë dhe kishim sallën tonë të madhe ku punohej. Trupat me aktorë punonin dhe dy shfaqje paralelisht.
Ato vite ka qenë një atmosferë, harmoni, kishte gjithçka. Në ato vite bëhej art. Nuk mund ta mohoj që nuk bëhet art dhe sot në teatër. Bëhet art, por ne jemi të ndarë me njëri-tjetrin. Unë e ndjej veten sikur jam jashtë teatrit. Më duket sikur e shikoj që teatri nuk po funksionon në bazë të vlerave dhe kjo ka vite që ndodh.
Jam e mërzitur, por jam artiste dhe nuk mund të rri dot pa këtë profesion, sepse është profesioni që unë di të bëj më mirë. Nuk e kam fjalën për drejtuesit sot në teatër, pasi e njëjta gjë ka qenë dhe më parë me drejtues të tjerë. Mendoj se kjo vjen, sepse mungon një vëmendje e gjithë politikës për teatrin. Arti po vjen çdo vit duke degraduar. Nuk do t’ia dijë më njeri për art në këtë vend.
-Kur pohoni se në art po vjen çdo gjë duke degraduar, çfarë të shqetëson më shumë?
Arti në vend po shkatërrohet.
-Kemi dhe një Ministri Kulture, politikat e artit dhe kulturës, investimet, sa bëri në këto vite?
Unë nuk e di se çfarë ka investuar Ministria e Kulturës. Në infrastrukturë thonë që është bërë një teatër i ri, që unë nuk e kam parë ende. Kam dëgjuar, që kolegët e kanë cilësuar dhe kapanon dhe fatkeqësisht nuk pashë që të reagonte njeri. Që kur e pashë me emrin “Turbina” e mora me mend se si do të jetë ajo skenë për teatrin. Unë jam për këtë skenë, që kemi sot.
Duhet që Ministria e Kulturës të mendojë të rregullohet ky teatër që kemi. Unë kam frikë që do të na largojnë. E njëjta gjë ndodhi me kinema “Republika”. Herën e fundit që kam qenë te ajo kinema ishte një festival filmi. Kam parë filmin tim “Bolero”. U shemb kinemaja dhe u tha që do të bëheshin gjashtë salla.
Kanë kaluar 17 vjet, që akoma nuk ka mbaruar godina jo më të shikohen sallat e kinemasë. Unë si aktore sot nuk di asgjë se çfarë do të bëhet me teatrin. Nuk ka ardhur askush të na thotë kemi këtë projekt. Ne nuk dimë asgjë. Më keq akoma sot, politika e çdo krahu ka përçarë artistët. Nëse je kundër asaj partie, që është në fuqi shihesh si delja e zezë.
Nuk ke projekte, nuk ke punë. Këtë e them për të dyja krahët e politikës në vend. Kjo është fatkeqësi. Arti nuk duhet të ketë lidhje me politikën në vend. Ajo që duhet të bëjë politika është që ta mbështesë dhe ta përkrahë artin, përndryshe si do të ecë para ky vend.
A kemi mundësi të bëjmë sa më shumë salla teatri. Por kjo nuk do të thotë të prishim Teatrin Kombëtar. Nuk mund të prishet kjo godinë. Duhet rregulluar godina por nëse kjo nuk bëhet atëherë po në këtë vend të ndërtohet një teatër i ri kombëtar.
Prej vitesh shikojmë sa pak buxhete jepen për teatrin dhe kjo ndikon jo pak në vështirësitë e jetës artistike me shfaqjet. Një institucion kombëtar duhet të ketë të gjithë vëmendjen që kërkon nga ministria, por kjo ka munguar.
-Si ka qenë jeta artistike për ju në teatër?
Është e vërtetë që janë vënë shumë shfaqje në skenën e teatrit. Nuk mund të themi që të gjitha shfaqjet kanë qenë me nivel dhe kjo nuk do të thotë gjë, sepse nuk mund të jenë të gjitha të suksesshme. Por ka pasur dhe shfaqje teatrore që kanë qenë shumë të mira në teatër.
Janë angazhuar njerëz që e kanë merituar, por dhe të tjerë që mbase se kanë pasur këtë. Unë si aktore jam e zhgënjyer me atë që po ndodh në teatër. E theksoj nuk po them për këto tre vite, kështu ka qenë prej vitesh në teatër. Secili që vjen thotë do bëj shumë, por vijon e njëjta situatë.
Unë si aktore nuk shikoj përmirësim nga ato vite që kanë qenë më parë në teatër, vijojnë problemet po njëlloj. Para viteve 90 futeshin në punë 40 aktorë që punonin pa frikë gjatë gjithë kohës. Me shfaqjet ishte mirë kur filloi dublimi i roleve, por sërish kjo është hequr.
Unë e kam provuar vetë dhe dublimi është gjë e mirë. Nuk e shikoj si gjë të keqe. Njerëzit duhet të punojnë. Publiku nuk ka munguar në teatër dhe kjo është pozitive, por duhet të ketë më shumë vëmendje. Unë jam shumë e zhgënjyer, funksionojnë gjërat keq në Shqipëri.
-Për ju pse po funksionojnë keq?
Ju thashë që arti po degradon në vend dhe kështu do të jetë nëse ndërhyn politika. Deri vonë ishte partia që fuste njerëzit në punë. Kjo është e padrejtë. E dini ju sa të rinj kemi që rrinë rrugëve? I kemi parë tek-tuk në shfaqje dhe themi sa të mirë si artistë, por nuk i shikojmë në teatër. Unë kur kam filluar punë në teatër atë kohë kam qenë 5 vjet me kontratë. Nga 1991 deri në 1996 kam qenë me kontratë në teatër.
Dikur shkolla ka pas bashkëpunuar shumë me institucionin e teatrit dhe mua më është dukur ide shumë e mirë. Trupa drejtuese e teatrit shkonte shikonte diplomat, merrte një mendim nga katedra e shkollës dhe ata rekomandonin për teatrin. Ka qenë një gjë shumë e mirë për aktorët dhe sot kjo nuk ndodh.
-Projekti i një filmi artistik me metrazh të gjatë me skenar dhe regji nga Besnik Bisha ju rikthen në kinema. Rikthehesh në kinema me një rol kryesor. Në çfarë faze është ky projekt filmi artistik me metrazh të gjatë dhe financim nga QKK?
Është një projekt filmi në fazën përgatitore. Tani po shikon për vendet e xhirimit dhe është ngritur grupi i punës. Unë vij me rol kryesor dhe mezi po pres që të nisin xhirimet, sepse është edhe bashkëpunimi im, që vjen fiks pas njëzet vitesh me Besnikun në film. Ne kemi njëzet vjet, që nuk kemi punuar bashkë në film.
-Pse ke munguar me role?
Kam munguar sepse nuk ka pasur role për mua deri tani. U shkrua ky skenar sipas romanit “Vera pa kthim” të Besnik Mustafajt dhe do të jem në rol. Më herët autori i romanit “Vepra pa kthim” Besnik Mustafaj ma ofroi për ta parë si një monodramë dhe për ta punuar.
Më tha shikoje, sepse tani ke arritur dhe moshën dhe pjekurinë e duhur, sepse rreth 50-tave është personazhi im. E lexova dhe më tërhoqi shumë ideja për ta parë për film. Ndërkohë edhe Besniku vetë kishte ide për ta bërë skenar filmi. Por dhe për mua dhe aktorin Neritan Liçaj ai i kishte menduar rolet, që me shkrimin e skenarit.
Në film do të jetë dhe ime bijë Rea me mua pas njëzet vitesh, që do të luajë restrospektivë kur unë kam qenë e re. Më vjen mirë që do të jemi bashkë në film. Tani na duhet të gjendet dhe një Neritan i ri në rol. Rea ka shuam qejf të aktrojë, por unë fëmijët i kam mbajtur gjithmonë larg. Ajo është pianiste dhe jeton në Vjenë dhe vijon studimet atje.
-Çfarë të ka trishtuar në aktivitetin artistik si aktore?
Fakti që njerëzit tashmë më njohin dhe më përshëndesin kjo është ajo që do të dojë çdo artist. Por vitet kanë bërë të tyren. Unë kam një periudhë të gjatë që punoj me teatrin dhe më trishton fakti, që duhet të kisha pasur më shumë dalje me role në skenë. Unë jam natyrë shumë serioze, jap maksimumin në punë dhe dua të punoj.
Intervistoi: Julia Vrapi