Alda Bardhyli: Ana e panjohur e Rikard Ljarjas, shkrimtarit që nuk i pëlqente ta redaktonin

0

Të gjithë e kemi njohur përmes roleve dhe filmave që ka drejtuar, por shumë pak e kanë njohur Rikard Ljarjan si shkrimtar. Ai ka shkruar me dhjetëra skenare, tregime dhe libra si “Jetë qensh” e “Josifopedia”. Alda Bardhyli ka pasur fatin të kalojë orë të gjata bisedash me të mbi letërsinë dhe në këtë rrëfim për “Shekullin” na tregon anën e panjohur të artistit shumëdimensional.

Lorena Resulaj

Publiku e njohu Rikard Ljarjan si regjisorin dhe aktorin që ju dha jetë qindra roleve, që kanë mbetur në memorien e shumë brezave. Në fakt, Ljarja ishte një artist shumëdimensional, por publiku arriti të njihte vetëm një copëz nga shpirti i tij. Miq të tij e kanë cilësuar si një nga mendjet më të ndritura në rrethin artistik. Dhe jo më kot. Rikardi nuk ishte vetëm aktor e regjisor, ai dinte të pikturonte, t’ju binte instrumenteve muzikore dhe të bënte letërsi të mirë, që siç duket ka qenë dashuria e tij më e madhe.

Gjatë jetës ai shkroi me dhjetëra skenare, tregime dhe libra si “Jetë qensh” dhe “Josifopedia”, që ka qenë botimi i fundit i tij. Megjithatë, shumë pak e njohën nga afër këtë pjesë të artistit si shkrimtar dhe një ndër to që e ka pasur fatin ka qenë Alda Bardhyli. Në një rrëfim për “Shekulli”-n, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, tregon se njohja me Ljarjen si shkrimtar nisi nga një “e-mail” përmes së cilit ai i kërkonte që të flisnin për letërsinë.

“Kujtimet e para me Rikardin më çojnë në janar të vitit 2015 kur marr një e-mail prej tij me këtë tekst: ‘Alda mund të pimë një kafe e të bisedojmë për letërsinë? Kur të krijohet mundësia. Mundësisht me kohë me diell e nga ora 11’. Gjatë punës sime me kulturën ishim takuar disa herë në aktivitete të ndryshme por asnjëherë më parë nuk kishim biseduar. Në atë kohë unë drejtoja Botimet Saras. Më kujtohet kafja që pimë disa ditë më pas në një nga lokalet pranë shtëpisë së tij në Myslym Shyri, ku ai do të zbulonte para meje përfytyrime të një ndjenje të paharrueshme lirie që ia jepte shkrimi. Do të mjaftonin vetëm disa minuta që imazhi i një aktori që i kishte dhënë jetë kinemasë shqiptare që në fillim të viteve 70-të, do të shndërrohej në një tjetër imazh, përmes së cilit, e pashë deri këtë mbasdite prilli kur iku përgjithmonë, atë të shkrimtarit. Ndërsa të gjithë e njohën si aktori, regjisori apo skenaristi unë pata fatin të njihja Rikardin shkrimtar. Shkrimi ka qenë ndoshta drama e vetme e tij”, thotë Bardhyli.

Po përse e cilëson ajo shkrimin si dramën e vetme të tij?

“Shkrimi në vetvete është gjithnjë i shoqëruar me dramën, por tek Rikardi kjo dramë ka jetuar gjatë, ndoshta deri në fund. I rritur nga një nënë shkodrane leximtare, shumë herët do të grishej tek ai dëshira për të shkruar. Rrëfimet e tij për nënën, e cila orvatej duke lexuar nëpër shtëpi me zë, më kanë krijuar gjithnjë në kujtesë një personazh që do kisha dashur ta njihja. Imagjinoni një grua në Shqipërinë post-komuniste, kënaqësia më e madhe e së cilës ishte leximi. Në këtë ambient u formua Rikardi ku muzika më e bukur vinte nga librat. Gjithnjë tregonte zhgënjimin që ndjeu në atë udhëtim nga Shkodra në Tiranë ku priste me ankth degën e studimit. Ai do kishte dashur të studionte letërsi. Kështu në Shqipërinë komuniste, letërsia mbeti sekreti i tij i madh, të cilin e ndante vetëm me bashkëshorten a me miqtë e ngushtë. Ndoshta gjithë skenaret që shkroi ishin librat që do kishte dashur të shkruante. Ai do t’i quante prozë e shkruar vizualisht.

Me humor tregonte se nuk mund të merrte rroga në dy ndërmarrje dhe në Kinostudio e në Lidhjen e Shkrimtarëve. Por Rikardi jetoi si shkrimtar. Brenda tij ai ishte gjithnjë shkrimtari në konflikt me veten që duhet të shkruante. Konflikti është një proces i njohur tek të gjithë ata që shkruajnë, një lloj padurimi i brendshëm për t’u ulur në tryezën e shkrimit. Letërsia ishte drama e tij e këtë e ndjeje pas çdo bisede që kishe me të. Sot kur kthehem në kujtesë nuk më kujtohet të kemi biseduar ndonjëherë për kinematografinë, por veç për letërsinë, autorët shqiptarë e të huaj, dorëshkrimet që i ruante prej vitesh, apo çfarë ishte duke shkruar. Rikardi kishte gjithnjë një rrëfim në duar”, tregon Alda për “Shekulli”-n.

Si një nga personat që ka ndjekur hap pas hapi botimet e librave të Ljarjas, Bardhyli thotë se letërisa e tij ishte e drejtuar nga historia, ndoshta edhe për shkak të ndikimit të kinematografisë.

“Letërsia e Ljarjës i merr gjithnjë ngjarjet nga historia. Ndoshta kinematografia njohja e mirë e saj, e bënte që ai të elaboronte forcat e imazhit dhe të figurës. Gjendja në rrëfimet e tij vinte gjithnjë përmes një realiteti historik.  Tek libri ‘Histori qensh’ ai sjell tre rrëfenja ‘Hodo Beg Gjini’, ‘Kllapi’ e rrëfenjën që mban titullin e librit. Është një libër ku ndjehet forca e tregimtarit i cili e ka mbajtur gjatë në duar para se ta sjellë për lexuesin.

Tek ‘Josifopedia’ ai të befason me karakteret që shpalos e në mënyrën sesi depërton në skutat e Shqipërisë së ndërlikuar të viteve 50-të. Tek Rikardi kishte rëndësi personazhi. Ai fliste me adhurim për Josifin, djaloshin nga fshati që vjen të studiojë në Tiranë duke shpalosur ekzistencën e një kohe që e kemi harruar. Ndonjëherë Josifi ishte vetë ai, herë tjetër i ngjasonte miqve që kishte takuar gjatë jetës. Kjo ndoshta për lidhjen e fortë që letërsia e tij kishte me realitetin. Një tjetër veti e prozës së tij ishte realizmi, e kjo ndoshta e bënte atë më të fortë. Librat kanë jetën e tyre. E uroj që në të ardhmen ta njohim më shumë atë Rikardin e padukshëm, atë që jetoi gjithnjë me të, shkrimtarin përmes librave që tashmë janë në librari e dorëshkrimeve që me siguri një ditë familja do t’i botojë”, shprehet drejtoresha e QKLL.

Libri dhe takimi i fundit me Rikard Ljarjan

“Libri i tij i fundit është Josifopedia. U desh më shumë se një vit të vendoste ta botonte këtë roman. Të jetuarit me letërsinë gjithnjë në një jetë që e dinte vetëm ai, i kishte rritur sensin kritik ndaj vetes. Kjo e bënte të vinte gjithnjë në dyshim atë çfarë kishte shkruar nga vlerësimi i madh që kishte për letërsinë. E gjeja shpesh në kafen e Universitetit Europian të Tiranës duke më pritur. Donte të ndiqte nga afër çdo proces që shoqëron botimin e një libri.

‘Libri çfarëdo teme të ketë ka në themel ‘simptomat e së sëmurit’. Unë shkruaj si miliona njerëz në botë, që kanë shkruar dje, sot, e edhe nesër do të vazhdojnë të shkruajnë. Nuk dua të marr ilaçe, e nuk dua të më bëjnë ‘kirurgji plastike’. Meqë thashë sëmundje, dua të jem ashtu siç jam në të vërtetë. Me të tëra gabimet. Pa më zbukuruar, korrigjuar, redaktuar, korrektuar e ku ta di unë…’, thoshte. Po, Rikardit nuk i pëlqente ta redaktonin.

Më kujtohet një incident në zyrat tona ku shkoj e gjej gati të shpërfytyruar nga shqetësimi në debat me korrektoren. Ajo përpiqej t’i shpjegonte përshtatjet që i kishte bërë disa fjalëve sipas drejtshkrimit, ndërsa ai kundërshtonte. ‘Nuk mund të më ndryshosh fjalët’, i thoshte. U deshën vetëm disa minuta që t’i jepja të drejtë (edhe pse nuk kishte) që të qetësohej. Asgjë nuk mund ta shqetësonte më shumë se libri. Diskutimet e përsëritura për nevojën e rishikimit të tekstit me të i kisha të humbura. Kishte ligjet e tij të shkrimit.

Kërkonte të përfshihej kudo. Nga xhepi i xhaketës nxjerr një zarf ku kishte futur një fotografi. Ishte një pikturë, autoportret i tij të cilin e kishte realizuar vetë. Ky autoportret do të bëhej dhe kopertina e romanit. Sot më feks e bukur në kujtesë ajo paradite pune, ku pasi e kuptoi që na kishte trazuar mori mbi tryezë një libër me poezi ku gjeti Re me Pantollona të Majakovskit dhe nisi të ma lexojë.

Promovimi i librit dhe vëmendja që i kushtoi media, tashmë si autor, i sollën kënaqësi që e shoqëruan gjatë. Megjithatë me mua mbeti gjithnjë i ‘zemëruar’, pasi kur mori librin e kuptoi që kishte fituar redaktimi. ‘Do ta botojmë sërish, i thosha, ishte një incident i faqosësit’”, rrëfen Alda Bardhyli.

Ajo tregon se me të komunikonte çdo ditë, por për herë të fundit janë takuar para disa muajsh për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore.

“Kohët e fundit për shkak të sëmundjes lëvizte rrallë. Duhet të ketë qënë disa muaj më parë, në kafen e UET në një paradite me diell. Atij i pëlqente dielli. Miku i tij regjisori Leka Bungo më kishte thënë se ishte shtruar në spital dhe ndodhej në një gjendje jo shumë të favorshme sipas mjekëve. Megjithatë disa muaj më vonë ai u shfaq sërish në kërkim të bisedave mbi librat. Asnjë fjalë për sëmundjen, spitalin. Kujtimin e asaj bisede të fundit e kam të ruajtur në një foto. Biseda e fundit me të ka qenë disa ditë më parë në WhatsUp. Shpesh më dërgonte foto të pikturave që bënte, pasi Rikardit i pëlqente dhe të pikturonte. Ishte një portret. Ishte vetë ai.”, e mbyll Bardhyli rrëfimin e saj për Rikardin që ajo njohu.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here