Aktori Ahmet Pasha pohon se Teatri Kombëtar sot është në gjendjen më të keqe. I lënë prej vitesh në mjerim, sipas tij edhe projekti i ri që u prezantua për Teatrin Kombëtar nuk u sqarua sa duhet.
Në intervistën për “SOT”, aktori i njohur Ahmet Pasha shprehet se më shumë u tregua për fasadën e jashtme, por shton se në teatër prodhohet art, dhe kjo duhet të ishte menduar me kujdes. Sipas aktorit Teatri Kombëtar është në grahmat e fundit dhe është lënë të rrijë në atë gjendje.
Aktori shprehet se artistët e meritojnë një godinë me të gjitha kushtet për artin e tyre, dhe shpreh keqardhjen që deri tani ka munguar vëmendja. Aktori Ahmet Pasha tregon se dhe teatrot në rrethe janë me shumë probleme, aq më keq janë akoma dhe vetë artistët që sipas tij me paga mjerane. Sipas aktorit është një situatë e dhimbshme çfarë po ndodh me institucionet dhe artistët.
-Jeni nga zërat e artistëve që e kundërshtoni fort projektin e ri për Teatrin Kombëtar. Pse?
Godina që u paraqit në projektin që u prezantua në kryeministri para disa ditësh është për Teatrin Kombëtar. Në teatër ashtu si në të gjitha institucionet artistike dhe kulturore prodhohet art, bëhet teatër. Vendi ku prodhohet ka një kuzhinë të vetën, por ajo është skena, janë kabinat e aktorëve, rekuizita, gardëroba, salla.
Të gjitha këto që janë më kryesoret se sa fasada pamja e jashtme, atë ditë ne nuk morëm pothuajse informacion atje. Çfarë salle do të jetë, çfarë teknike, me çfarë dimensionesh, etj. Cila është e reja që do të sjelli sa i takon mbrapa skenës që ka elementët kryesorë, ku mbështet krijimtaria artistike kur vjen puna që materializohet në skenë.
Aty u materializua vetëm ana e jashtme, pra u prezantua një godinë e bukur në pamje të jashtme, por se si është e kompozuar kjo me godinat e tjera që janë rreth e qark dhe atyre që do të bëhen pas saj nuk u thanë se çfarë do të jenë konkretisht, sepse di që do të bëhen kulla.
Nuk u tha as ka shesh midis Ministrisë së Brendshme dhe Teatrit Kombëtar. U tha që pamja nga instalacioni “Reja” do të jetë me xham, ku aktorët do të bëjnë mizanskenat, provat dhe njerëzit do ti shkojnë nga rruga, por kjo është pak e shëmtuar, sepse teatri ashtu si çdo aktivitet tjetër i kësaj natyre, krijimtaria ka të fshehtën e saj dhe sekrete që nuk duhet të tregohen.
Por duke kaluar rrugës në pedonale, nga duket kjo pamje njerëzit do të shikojnë se si vishen dhe zhvishen artistët. Përveç kësaj është fjala dhe për sallën tjetër, që u tha do të jetë lart e cila do të jetë verore e hapur në ambiente e sipërme të tarracës.
Unë se kuptoj, që të jetë një sallë verore pasi as 30 metra më larg është një rrugë ku kalojnë me mijëra makina me bori e zhurmë, dhe nuk ka se si të jetë e përshtatshme për teatrin. Unë kam parë salla të tilla jashtë, por kanë qenë jashtë qytetit, kanë qenë verore. Nuk mund të jetë perspektivë një sallë që ndodhet në qendër të qytetit ku zhurmon gjithçka.
-Shembja e godinës së Teatrit Kombëtar po kundërshtohet shumë nga artistët. Ju çfarë mendoni?
Për mua ka dy modele. Njëri është modele, i Teatrit Kombëtar dhe një tjetër Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, që e drejton Kiço Londo, por që kanë një ndryshim të jashtëzakonshëm nga njëri-tjetri. Kjo ndodh për arsye sepse Kiço Londo është një drejtor që ka ardhur aty për të punuar.
Ai i është përkushtuar teatrit, punës, vjen në mëngjes dhe ngryset po aty. I ka dhënë pasionin dhe zemrën punës dhe i ka gjetur fondet me vështirësi të madhe sepse të dyja këto godina nga një qeveri financohen Aq më tepër që Londo ka një administratë shumë të vogël, kur administrata nga ana tjetër është më e madhe por dhe me prapavijë po ashtu.
Londo ka pak punëtorë dhe megjithatë po të futesh tek teatri i tij ka pamje tjetër. Por në fakt godina e Teatrit Kombëtar që është në grahmat e fundit, dhe unë nuk i heq presjen kësaj shprehje, ai është lënë të rrijë në atë gjendje. Nuk e di, mbase ka qenë perspektiva për t’u prishur, shkatërruar, ndërsa drejtori tjetër ka punuar për të mbajtur teatrin, rinovuar dhe ka bërë dhe kushte të tjera, sallë të re. Pra nëse po tek ai vend po në atë formë siç është ndërtesa sot, do të investohet duke mbajtur po atë pamje ajo edhe mund të mbijetojë aty, sepse ashtu siç është tani nuk mban më.
Unë nuk jam arkitekt për këtë gjë, por flas thjesht duke u nisur që shikoj te godina ku është Kiço Londo drejtor. Sot flitet për kulla që do të jenë tek ajo hapësirë, në fakt unë vetë se di sa është hapësira sot e teatrit. Por pa ta shikoni dhe tani që flitet për teatrin nuk janë të gjithë në një mendje, janë me shumë mendje. Më vjen keq që pjesa dërrmuese e aktorëve të Teatrit Kombëtar nuk po prononcohen.
Atje ka aktorë dhe administratë, por nuk po prononcohen të gjithë. Unë si aktor jam i interesuar që aty të bëhet një godinë shumë e mirë për teatrin, a është 6 mijë a është 9 mijë metra hapësira unë si hyj këtyre llogaritjeve, ajo që më intereson një godinë shumë e mirë për Teatrin Kombëtar, që dhe për aktorët të krijohen kushte të mira, por dhe spektatori të jetë po ashtu komod. Unë si aktor nuk mbaj mend që publiku kur vjen këto 15 vitet e fundit të heq pallton në teatër në dimër, sepse aty nuk është ngrohtë kurrë.
-Ju dhe të tjerë aktorë jeni shprehur se kjo gjendje ka vite, çfarë duhej të ishte bërë?
Ka mbi 20 vjet që Teatri Kombëtar është në këtë gjendje. Madje që nga vitet ’70 ishte ideja për të bërë një teatër të ri, që kur unë kam hyrë në teatër që ishte 23 vjeç. Pra kjo nuk është e viteve të fundit. Por tani në fund kur Kiço Londo bëri shumë, ky tjetri që është nga ana tjetër nuk e vrau mendjen për këtë punë dhe gjendja vijoi dhe më keq.
-Gjatë kësaj kohe kemi dhe ligjin e ri të artit, që po diskutohet shumë. Jeni shprehur se ligji nuk bëhet në zyrat e ministrisë, nëse nuk thirren artistët. Çfarë kërkoni?
Kjo histori e ligjit ka filluar që në vitin 1999. Atë kohë unë bashkë me aktorin Agim Qirjaqi dhe Vangjush Furxhi, Roland Trebickën, etj, kemi qenë nga kryesorët dhe jemi takuar 3 herë me kryeministrin e asaj kohe dhe me kryetarin e komisionit parlamentar për ligjin dhe godinën.
Pra historia e ligjit të artit ka filluar që nga ai vit, dhe ky ligj për aq kohë sa do të vijojë të bëhet në zyrat e Ministrisë së Kulturës do të jetë i papërshtatshëm dhe i pa aplikueshëm. Të ulen në tryezë me artistët, që të diskutojnë për ligjin dhe ta shqyrtojnë nen për nen ndërtimin dhe përmbajtjen e tij.
-Artistët e Cirkut Kombëtar po protestojnë jo pak. Ministria ka pohuar se nuk i mban dot, nuk ka buxhete…
Është një situatë e dhimbshme, ç’të them më tepër. Është shumë e dhimbshme, sepse dhe ata bëjnë një punë që është një kombinim i sportit me artin. Punë shumë e vështirë për t’u respektuar dhe nderuar, vlerësuar. Por mungesa e vëmendjes së shteti ndaj arti dhe kulturës në përgjithësi nuk ka se si të mos binte dhe mbi artistët e cirkut. Shpreh keqardhjen time të madhe.
-Gjatë kësaj kohe dhe aktorët nga rrethet e tjera i janë drejtuar Ministrisë së Kulturës me propozime, sipas tyre nuk flitet për ligj arti dhe mendohet vetëm për institucionet e Tiranës. Ju si gjykoni?
Më vjen shumë keq për gjendjen e teatrove sot në rrethe. Unë e kam lidhur jetën time me teatrin dhe kam punuar 45 vjet në këtë punë. Por siç më dhemb Teatri Kombëtar ku kam kaluar pjesën më të madhe të jetës sime natyrisht që më dhemb dhe gjendja e teatrove në rrethe, që janë mes shumë problemesh.
Aktorët janë me paga shumë të ulëta në rrethe, mungon trajtimi i duhur. Pagat e aktorëve janë mjerane, janë qesharake dhe të dhimbshme, aktorët punojnë vetëm për të mbijetuar për të paguar ujë dhe drita dhe të marrin ushqim. Kaq është paga dhe mezi del për këto.
Është tragjike kjo situatë, ky është një problem tjetër më vete. Edhe shpërblimet për figurat artistike që ishin për artistët në një periudhë të caktuar, me sa jam në dijeni janë hequr dhe ato. Aktorët duan punë, për atë pagë punojnë që është turpi i zotit. Aktorët kategoria më mjerane, në këtë gjendje i kanë lënë.
-Nga Ministria e Kulturës gjatë kësaj kohe janë përmendur investimet në muze, investimi në TOB, apo dhe “Turbina”?
“Turbina” është e papërshtatshme për teatër. E kanë thënë dhe vijojmë ta pohojmë me zë të lartë aktorët që e kanë parë. Mua nuk më thirrën atje kur u bë takimi me artistët, por nëse do të ishte puna për të bërë investime Ministria e Kulturës duhej të bënte aty ku është Teatri Kombëtar, që është teatri kryesor. Nëse ka bërë muze shumë mirë, por ama teatri është në gjendjen më të keqe.
Intervistoi: Julia Vrapi
/Agjensia e Lajmeve Sot News/