Ditën e aksidentit të tim shoqi nuk kam për ta harruar dot kurrë

0

Nga Vepror Hasani

Deri atë çast nuk dija asgjë. Nuk e dija që im shoq kishte bërë aksident. As nuk mund ta mendoja që ai ishte ndarë nga jeta. Kishte shkuar në Voskopojë për të festuar ditëlindjen e një shoku së bashku me disa të tjerë. Po e prisja që të kthehej. Kur doli nga shtëpia, më tha: “Yllka, nuk do të vonohem shumë”. Prisja nga çasti në çast të hapej dera dhe ai të hynte dhe si gjithnjë të më thoshte: “E shikon, nuk u vonova”.

Me këto fjalë e nis rrëfimin e saj, Yllka Gjezi, bashkëshortja e aktorit të mirënjohur, Perika Gjezi. “Befas ra një zile telefoni. Lajmi që mora më la të tronditur. Kishte qënë ime motër, Vera, që po më telefononte nga Tirana. Ajo nuk më tha se çfarë kishte ndodhur, sepse në të vërtetë edhe ajo nuk e dinte saktësisht se çfarë kishte ndodhur me bashkëshortin tim, por dukej që ishte e tronditur. E njoha nga zëri. Vetëm më pyeti: “Ku është Peroja?” I thashë që kishte shkuar në Voskopojë dhe që nga çasti në çast mund të kthehej, por ime motër me pyeti sërish: “Yllka, një shoqja ime më mori nga Italia dhe më tha që flitet për një aksident, di gjë ti?” “Jo, ia ktheva, nuk kam dëgjuar asgjë. Po merremi me përgatitjen e dasmës”.

(Pas dy javësh do të martonim vjzën tonë në Tiranë). “Ç’është ky aksident, e pyeta e tronditur, mos është aksidentuar Perika?” “Nuk di gjë më shumë, më tha ime motër, por unë kisha filluar të ndjeja diçka të errët. Zëri i motrës time, në anën tjetër të telefonit, kishte filluar të dridhej. Fjalët nuk po i shqiptonte dot si në fillim, me sa duket ajo kishte shpresuar që Perikën ta gjente në shtëpi. Tronditja e sime motre kaloi te mua dhe rrëqethja ime u përcoll te ime motër. Nuk mbaj mend çfarë fjalë të tjera u thanë më pas. Pak a shumë i thamë njëra- tjetrës së nuk mund të ishte e vertetë, do të ishte ndonjë ngatërresë dhe asgjë më shumë, por që nga ai çast asgjë nuk do ta qetësonte më shpirtin tim”.

Nuk doja ta besoja

“Nuk doja të besoja në vdekjen e tim shoqi”, vijon rrëfimin e saj Yllka Gjezi. “Ula receptorin dhe vura re se isha e pafuqishme. M’u duk sikur gjithçka u errësua, sikur jashtë binte një shi i rrëmbyer dhe qielli çahej më dysh. Në njërën anë mbetesha unë dhe në anën tjetër ai. Herëpasherë vetëtinte dhe nëpër atë shkeptimë zjarri nisa të shihja fytyrën e Perikës. Të gjitha këto ndodhnin brenda shpirtit tim.

Ishte 27 qershor i këtij viti… Një çast m’u duk sikur dëgjova zërin e tij: “Kam mbetur në Voskopojë dhe nuk vij dot…. Yllka, a i bërë gati përgatitjet e dasmës për vajzën… plotësoja të gjitha dëshirat…. po me djalin ke folur? (Djali ynë, Misheli, në atë kohë ndodhej në Amerikë). Edhe ai ende nuk dinte gjë. Për fëmijët, Perika, gjithnjë kishte qënë një baba i jashtëzakonshëm.

“Yllka, puthi fëmijët edhe për mua”. Kështu m’u duk sikur më tha. Nuk e mbajta dot më veten. Nisa të qaja. Nuk e di pse atë çast po më kujtoheshin copëra kujtimesh nga jeta jonë. Herë më shfaqej fytyra e tij dhe herë më zhdukej, si silueta e dikujt që largohet nëpër shi. Në shpirtin tim binte shumë shi… Dija që kishte ndodhur një aksident dhe jo më shumë, por thellë- thellë e ndjeja që bashkëshorti im nuk jetonte më.

E kuptova këtë gjë nga zëri i motrës që i dridhej, nga njerëzit njerëzit që po vinin të më pyesnin: “Erdhi Perika nga Voskopoja?”. Lajmi ishte shpërndarë nga mediat, por ne po merreshim me përgtaitjet e dasmës dhe nuk kishim marrë vesh asgjë. Vajza jonë, Ina, do të martohej pas dy javësh. Ndaj edhe Perika më kishte thënë: “Do vij shpejt, nuk do të vonohem”.

Rastësia

“Po më kujtohej dita si ishim njohur”, nis të tregojë sërish bashkëshortja e Perika Gjezit. Në atë kohë, në vitin 1977, unë isha në vitin e parë të Fakultetit për ekonomi politike, në Tiranë. Krejt rastësisht erdhi dikush dhe më përzgjodhi për të luajtur te film, “Streha e re”. Do të luaja rolin e Verkës. Roli im ishte vogël, por kjo gjë përsëri më pëlqeu, sepse edhe kur kisha qënë në gjimnaz kisha qënë pjesë e grupit teatror të shkollës. Nuk e dija që në atë film do të luante edhe Perika Gjezi. Nuk e kisha njohur kurrë më parë.

As që e kisha menduar se në atë film do të njihesha edhe me njeriun tim të jetës dhe që do të gjeja “strehën time të re”. Çuditërisht të gjitha këto po më kujtoheshin pikërisht në atë çast kur ndjeja se diçka e keqe kishte ndodhur me burrin tim. Befas fytyra e tij m’u shfaq sërish. M’u duk sikur gjenedeshim të dy bashkë në fshatin Dardhë të Korçës dhe po më shtrëngonte fort dorën: njësoj si atëherë kur më tha: “Yllka të dua!” Ndoshta ndodhi kështu nga që ne vërtet ishim njohur në Dardhë. Atje do të bëheshin xhirrimet, do të qëndronim për tre muaj me radhë”.

Prezantimi i parë

“Atje e pashë për herë të parë Perika Gjezin”, kujton Yllka. “Ishte një djalë me sy të bukur. Sytë e tij ishin të pastër si një qiell i kthejellët, ishin të gëzuar dhe kishin një vështrim të thellë. Zëri i tij ishte i ngrohtë dhe i plotë. Ishte shumë i çiltër. Nuk e di pse më pëlqente të rrija me të dhe bisedonim. Ndoshta nga që ai nuk mburrej siç do të donte të bënte ndonjë tjetër për të tërhequr vëmendjen e vajzave. Jo, jo, kursesi nuk e kisha menduar se do të bija në dashuri me Perikën. Pikërisht të gjitha këto po më kujtoheshin atë çast që sapo kisha marrë lajmin dhe ende nuk e dija se çfarë kishte ndodhur me bashkëshortin tim.

Befas i pashë sytë e tij. Ai po më vështronte. Ishin po aq të bukur sa ditën e parë që e kisha njohur. Sytë më ishin mbushur me lot, nuk po e mbaja dot veten. Iu luta Zotit që ai të ishte gjallë. Çupës ende nuk ia kisha thënë atë çka kisha mësuar nga telefonata. Nuk guxoja, nuk mundesha. Më duhej të mblidhja forcat. Nuk doja ta besoja. Prisja që të hapej dera dhe ai të hynte brenda e përsëri të më thoshte duke qeshur: “E shikon nuk u vonova”.

 Në të vërtetë, atë mëngjes iu luta: “Perika, mos shko sot në Voskopojë, kemi shumë punë, dasma po afron. Por atij nuk mund t’ia prishje dot kurrë qejfin. “Më duhet të vete, sepse shoku im ka ditëlindjen”, më tha, dhe me mënyrën e tij, me atë dashamirësinë e tij, të bënte të mos e kundërshtoje. Hapi derën dhe para se të largohej, tha: “Nuk do të vonohem”.

Bisedat tona

“Për sa kohë që qëndruam në Dardhë të Korçës e pyesja: “Perika, kur ke nisur të merresh me teatër?”. Dhe ai më përgjigjej qetësisht, njësoj sikur të thoshte diçka të parëndësishme: “Ndoshta që i vogël”. Sigurisht që kështu kishte ndodhur. Më vonë do t’i mësoja të gjitha. Daëngadalë do të mësoja shumë nga jeta e tij. Perika kishte lindur në Korçë, më 8 janar të vitit 1949. Me teatrin ishte afruar që kur ishte në gjimnazin “Fuat Babani”. Kishte qënë regjisori, Piro Mani, ai që kishte pikasur talentin e tim shoqi dhe e kishtë marrë në grupin teatror të shkollës.

Kur ishte ende në gjimnaz kishte luajtur edhe në Teatrin profesionist të Korçës te drama “Tre të shtëna pushke”, të Ibrahim Uruçit.. Të gjitha këto m’i tregonte me një thjeshtësi të habitshme. Kjo gjë më pëlqente te ai. “Po pastaj?” e pyesja. “Kur përfundova gjimnazin shkova të punoj në Kombinatin e Malqit, me tregonte ai. Edhe atje u aktivizova përsëri me trupën teatrore të Maliqit. Por atje qëndrova vetëm dy vjet, sepse regjisori Mihallaq Luarasi ngulmoi për të më tërhequr përsëri në Teatrin profesionist të Korçës. Kjo ndodhi në vitin 1969, kur në festivalin e trupave amatore fitova çmimin e parë.

Në maj të atij viti u riktheva në Korçë dhe fillova punë si aktor profesionist”. “Çfarë rolesh keni luajtur deri më tani”, e pyesja, dhe ai sërish më tregonte: “Kam luajtur djalin e mullixhiut, te “I teti në bronz”, jam bërë komisar të filmi “Shtigje lufte”,(ja, më thuaj, të ngjaj ndopak si komisar, më pyeste), kam qënë edhe shoku Agron Shullaku te filmi “Përballimi”; më pagëzuan me emrin Gjergji te “Tokë e përgjakur”. Rolin tim të parë pas përfundimit të Institutit të Lartë të Arteve e luajta te “Shtigjë lufte”. Tashmë siç e sheh, te “Streha e re” jam një prej vullnetarëve, kurse ti do të jesh Verka”.

Pastaj më afrohej te veshi dhe më thoshte: “Kam luajtur edhe te“Njollat e murrme”, me atë shfaqje morëm Flamurin në Festivalin e Teatrove në Tiranë, por ti e di se çfarë ndodhi më pas me atë dramë…”. Më vonë, ku i dihet, ndoshta do të jem ndonjë i dashuruar…”. Ai gjithçka dinte ta thoshte bukur dhe me humor. Isha dashuruar pas tij dhe ende nuk e kisha kuptuar, deri sa erdhi një moment që nuk qëndroja dot më larg tij. Po, isha dashuruar pa e kuptuar as vetë”.

Një jetë bashkë

“Besoj se të gjitha kujtimet po kalonin para syve të mi dhe kjo gjë po ndodhte brenda disa sekondave, kur herë lotoja, herë lutesha dhe herë përpiqesha të mbaja vetën, deri sa të isha e zonja të merrja një vendim për të dalë nga shtëpia bashkë me vajzën dhe të merrnim vesh çfarë kishte ndodhur. Me Perikën kishim kaluar një jetë të tërë bashkë. Pas përfundimit të filmit “Streha e re”, në vitin 1980 u fejuam. Kur unë përfundova shkollën bëmë martesën. Lindëm dy fëmijë, Mishelin dhe Inën. Perika vazhdonte të luante në tetarin e Korçës.

Pas “Strehës së re” mori pjesë te filmi “Flamur në dallgë”. “Çfarë roli të dhanë?” e pyeta. Kësaj radhe do të bëj mekanikun, m’u përgjigj. Çuditërisht ai çdo rol e merrte me kënaqësi. Edhe kur luajti te filmi “Agimet e stinës së madhe” erdhi dhe duke qeshur dhe më tha: “Te ky film do të jem Skënderi, kryetar i pushtetit. Ndërsa kur luajti te filmi “Asgjë nuk harrohet”, më tha: “Tani do të jem për ca kohë Elmazi, i plotfuqishëm i fshatit”. Megjithatë fill pas marrjes së rolit ai niste të punonte shumë: studionte, mbante shënime, kërkonte të veçantat e rolit, dëgjonte me kujdes regjizorin. Me Dhimitër Orgockën ka punuar shumë, ishin miq.

 Në Vitin 1985 iu akordua medalja “Naim Frshëri”. Vija gjithnjë e shikoja në teatër kur luante. Të them të vërtetën, gjatë gjithë kohës isha e emocionuar, jo sikur luante ai në skenë, po sikur isha isha unë. E prisja deri sa delte nga teatri dhe niseshim për në shtëpi. Gjithnjë më pyeste: “Si t’u duka sot?” Kur i thosha: “sot ishte shumë mirë”, ai qeshte me të madhe, por edhe kur i bëja ndonjë kritikë, (sigurisht çdo gjë ia thosha pa droje), më dëgjonte me vëmendje dhe më thoshte: “Ti je kritikja ime më e mirë”. Roli i Edi Karbones te “Pamja nga ura” e Milerit e luajtur nga Perika më pëlqente shumë”.

Çfarë kishte ndodhur?

“Përballë meje kishte qëndruar vajza. “Çfarë ka ndodhur? më pyeti. Nuk arrita t’i thosha asgjë. Shtëpia jonë ishte mbushur me njerëz. Kishin ardhur të afërmit, kolegë, miq dhe të njohur të tij. Nuk e di si u gjenda në derën e spitalit, nuk më kujtohet në kisha qënë në gjendje të mblidhja forcat ose jo. Më kishin çuar atje. Vajza vetëm qante. Dëgjoja vetëm ulërimat e saj. Më dukej sikur gjithë bota ishte ndarë më dysh. E kishta të pamundur të përballoja dhimbjen. Mua dhe vajzën nuk na lanë të hynim në spital. Gjithçka ishte e qartë. Bashkëshorti im ishte ndarë nga jeta. Ishte diçka që nuk mund të fshihej më.

Deshëm të hynim me forcë në spital, por askush prej njerëzve nuk na linte. Të gjithë vetëm qanin. Përpiqeshin tan a jepnin kurajo. Djali ynë ishte nisur nga Amerika për të qënë në varrimin e të atit. Tronditjen e asaj dite nuk do të mundem ta përshkruaj dot kurrë. Për dy ditë rresht shtëpia jonë qëndroi e mbushur nga njerëzit. Kishte ardhur gjithë Korça.

Nuk mungoi as telegrami i Kryeministrit, Sali Berisha. Mes të tjerash ai na shkruante: “Ndihem thellësisht i prekur dhe i hidhëruar nga lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të njeriut tuaj më të dashur, të aktorit që me interpretimin dhe talentin e tij i ka falur teatrit dhe kinematografisë shqiptare shumë role të spikatura që do të mbeten në kujtesën e të gjithë shqiptarëve dhe në fondin e vyer të kinematografisë shqiptare”.

Pak ditë më parë, Presidenti i Republikës Bamir Topi e dekoroi me urdhërin Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë. Lidhja e shkrimtarve të Korçës për individualitetin e tij në aktrim i dha çmimin “Jani Riza”. Tashmë kur i sjell ndërmendtë gjitha, nuk kam asnjë mëdyshje: ai kishte zemrën e madhe të një artisti”, përfundon rrëfimin e saj, jo pa dhimbje, Yllka Gjezi, bashkëshortja e aktorit të mirënjohur Perika Gjezi.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here