Teatri “Migjeni” në Shkodër i vetmi teatër që i akordohet titulli “Nderi i Kombit”

0

 

 

Festa e 70-vjetorit të teatrit “Migjeni” në Shkodër si teatër profesionist ngjiti në skenë plejadën e aktorëve që ndër vite kanë luajtur në këtë skenën brilande role të ndryshme si dhe ata që vijojnë të jenë pjesë e trupës së këtij institucioni artistiko-kulturor.

 

Për këtë eveniment dhe përvjetor teatri “Migjeni” është vlerësuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, akorduar ngaPresidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta duke u bërë kështu teatri i parë në Shqipëri që merr këtë nderim dhe titull.

Ky titull iu dorëzuadrejtores aktuale të teatrit “Migjeni”, Rita Gjeka për kontributin e madh të dhjetëra e dhjetëra brezave artistësh, të cilët shumë shpejt u kthyen edhe në emrat më të mëdhenj të artit shqiptar…

 

“Falënderoj Zotin që në këtë moment jam unë këtu. Nuk di si ti shpreh emocionet e mia. Do të kisha dasht që të ishte dikush tjetër. Jam e sigurt që unë për çdo ditë bëj atë që ka menduar aktori i ndjerë, ish-drejtori Bardh Smaja për këtë teatër. Unë falënderoj Shkëlqesinë e tij, Z. Ilir Meta për këtë nderim të veçantë, sepse në fund të fundit ne jemi teatri i parë në Shqipëri që kena këtë titull të madh. Duket e meritojmë…”.

Përveç teatrit që u vlerësua me titullin “Nderi i Kombit” një sërë figurash në këtë 70-vjetor u vlerësuan me disa tituj nga presidenti shqiptar. Titullin “Kalorës i Urdhërit të Flamurit” e morën dramaturgu Fadil Kraja, regjisori Serafin Fanko pas vdekjes, aktori Lec Bushati pas vdekjes, aktori Ndrek Prela pas vdekjes, aktori Viktor Bruçeti pas vdekjes.

 

Aktori i ardhur nga Amerika, Ymer Bala mori titullin “Mjeshtër i Madh”, ndërsa titullin “Mjeshtër i Madh” e morën edhe regjisori Fatbardh Smaja pas vdekjes, aktorja Vitore Nino pas vdekjes, aktorja Jolanda Shala pas vdekjes, regjisorit Arjan Çuliqi, aktores Drande Xhai dhe këngëtarit Bashkim Alibali.

Në fund u shfaq edhe një dokumentar i realizuar nga regjisori Arjan Çuliqi që nga trupa e parë profesioniste e teatrit “Migjeni” për të vijuar deri në ditët e sotme me pjesë teatrore të pafundme dhe emra të shquar të artit shqiptar.

Një moment emocionues ishte dalja në skenë e aktorëve, mes të cilëve edhe artistëve të mirënjohur si Besnik Çinari, Zef Deda, Zyliha Miloti, Roza Anagnosti dhe deri tek diva Tinka Kurti, e cila aktorja e madhe shqiptare ngriti sallën në këmbë:

“,,,O nana Terezë! Unë ty të thanë nanë, gjithçka të kam thanë. Grua me trup të vogël, por me shpirt e zemër të madhe që në botën e largët shumë halle ndave. Sot, shpirti yt pret aq shumë. E di nuk a je e qetë, se ti do lutesh prapë për botën e për nanën Shqipëri. Na e fal rebelimin, na e jep bekimin se nuk jemi të këqinj…”.

 

Vlen të përmendim se ishte nëntori i vitit 1949, kur teatri i Shkodrës do të merrte statusin e një teatri profesionist. Plot 70 vite më parë kjo ngjarje e rëndësishme për kohën, do të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve të një institucioni që mbi supe ka 140 vite jetë artistike.

Ky festim për 70-vjetorin e teatrit “Migjeni” nisi me promovimin e librit voluminoz me 305 faqe, “Kujtesa e një qyteti”, me autor, shkrimtarin e mirënjohur, Xhahid Bushati, i cili në këtë botim ka sjellë biografi, interpretime, role, intervista, kujtime, biseda, dëshmi, dorëshkrime, letra, ditarë etj…

“…Kujtesa e këtij teatri rrezaton e dritëson hijshëm në panteonin e atit shqiptar. Pas 32 vite pune, po sjell një pjesë të kësaj madhështie në ditëlindjen e 70-të të teatrit “Migjeni”. Ata, me interpretimet e tyre i dhanë dritë skenës, ndërsa teatrit i falën jetën. Ndaj, ky libër është edhe një detyrim qytetar për Shkodrën time, që Migjeni i Madh e i pavdekshëm e quante “Dashnorja e liqenit andertarë”…”.

 

 

 

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here