Historiku dhe ritualet e Ditës së Verës në trojet shqiptare

0

 

 

Dita e Verës ka qenë dhe mbetet një festë pagane në origjinë, që i dedikohet ardhjes së stinës së pranverës, në të cilën, pas një gjumi të lodhur dhe të gjatë dimëror, rigjallërohet gjithçka. Ritualet dhe traditat e kremtimit të saj ruhen gati në të gjitha trevat ku jetojnë Shqiptarët, si në Veri të Shqipërisë, ashtu dhe në Jug të saj.

Gjithashtu këto tradita ruhen edhe te Shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të sotëm politikë të Shqipërisë, si në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri (Greqi), diasporë, si dhe te Shqiptarët e Italisë, që janë shpërngulur prej qindra vjetësh nga trungu i atdheut të tyre. Që nga fillimet e kremtimit të saj e deri në ditët e sotme, kohët kanë ndryshuar dhe për rrjedhojë edhe mënyra e festimit, por forma e saj bazë ka mbetur e njëjtë.

Kremtimi i Ditës së Verës në trevat veriore të Shqipërisë

Dibra, e cila është një nga krahinat shqiptare që ka një traditë shumë të lashtë për festimin e Ditës së Verës. Përgatitjet për festimet e kësaj dite në disa fshatra të krahinës fillojnë disa ditë përpara. Djem të rinj shkojnë në mal dhe presin dëllinja, të cilat vendosen në pikat më të larta të fshatit dhe stivosen në formë mullari, në mënyrë që të ndizej zjarr.

Flaka duhej të ishte sa më e madhe dhe e dukshme, që t’iu bënte konkurrencë fshatrave të tjerë për rreth. Gjatë djegies së tyre dëllinjat nxjerrin shkëndija të shoqëruara me flakë e zhurma fishkëllyese, të cilat duken si fishekzjarre dhe krijojnë një ambient festiv e të hareshëm. Kur zjarri ndizet, djemtë gjuajnë me “bahre“.

Në ndezjen e zjarrit marrin pjesë edhe vajzat e fshatit, të cilat sillen rrotull zjarrit dhe këndojnë këngë për Ditën e Verës. Ky ritual vazhdon deri në datë 14 Mars. Natën para festës, gratë grumbullojnë mjetet e tyre të punës, si gjilpërën, fijet e perit, gërshërët, shtizat etj., të clat i fshehin në vendet që i dinë vetëm ato.

Në mëngjesin e kësaj dite Dibranët zgjohen shumë herët, pasi besohej se kush zgjohet herët do t’i shkojë viti i mbarë dhe ai që i del gjumi vonë do t’i shkonte viti me gjumë. Familjes që zgjohej vonë, fqinjët i mbyllin me humor derën e shtëpisë nga jashtë.

Pasi ishin zgjuar të gjithë banorët e fshatit, djemtë e rinj shkonin në pyll për të mbledhur lule kukureka, lulethane, degë peme të gjelbëruar etj., të cilat do t‘i vendosnin mbi portën hyrëse dhe brenda ambienteve të shtëpisë. Kurse gratë dhe vajzat do të zienin vezët dhe do t‘i zbukuronin duke i ngjyrosur me bojëra të ndryshme.

Në një livadh, ose në qendër të fshatit, djemtë çukisnin vezët me njëra-tjetrën. Ai që e kishte vezën më të fortë ia merrte atij që humbte. Loja më e preferuar e djemve ishte “Kalaja Dibrane”, si dhe loja me mundje, ku djemtë e rinj masnin forcat midis tyre, ashtu siç bënin edhe në festa të tjera.

Gjatë paradites amvisat e shtëpisë përgatisnin drekën, duke gatuar gjellët më tradicionale të kuzhinës dibrane. Gjatë pasdites, një pjesë e dibranëve dilnin për vizita te të afërmit, kurse pjesa tjetër priste vizitorët në shtëpinë e tyre.

Dita e Verës, është festuar gjërësisht në viset veriore të Tropojës. Një ditë më parë, fëmijët në malësinë e Tropojës gjatë gjithë ditës presin dëllinja dhe i bashkojnë ato duke i stivosur në formën e një mullari. Dëllinjave u vihet flaka në mbrëmje dhe fëmijët brohorasin, këndojnë dhe hedhin valle rreth zjarrit.

Çdo fshat ndez zjarrin e tij dhe të gjitha zjarret e fshatrave përreth, për shkak të relievit në formë lugu që ka gryka e Malësisë së Gjakovës, vezullojnë me një shkëlqim të jashtëzakonshëm. Në mëngjesin e 14 Marsit, nënat tropojane, që zakonisht zgjohen shumë më herët për të kryer punët e shtëpisë dhe për të zgjuar fëmijët e tyre, u hedhin ujë mbi fytyrë.

Kur fëmijët zgjohen dhe hapin sytë ata shikojnë lulet e para të pranverës mbi jastëk, të cilat ua kishin vënë nënat e tyre më parë. Lulet u shkaktojnë fëmijëve emocione të forta: kënaqësi dhe lumturi.

Një pjesë e fshatarëve tropojanë gjatë Ditës së Verës udhëtojnë masivisht me kilometra të tërë, nëpër terrene malore, për të kryer pelegrinazh në fshatin Luzhë, ku ndodhen disa varre me gurë masivë (megalite), ku njerëz besimtarë kërkojnë prej tyre ndihmë dhe mbarësi.

Në Malësinë e Shkodrës pjestarët e familjes bashkoheshin rreth zjarrit për të lidhur shtrigat dhe të gjitha kafshët dëmtuese, si gjarprin që të mos i pickojë, ujkun që mos t’u hajë bagëtitë, lepurin mos t’u hajë lakrat, krimbat e tokës mos t’u bëjnë dëm në ara etj.

Tri ditë përpara Ditës së Verës malësorët fshihnin enët e gatimit, si shoshat, sitat etj., që mos i shihnin këto sende njerëzit e shtëpisë, sepse “për ndryshe nuk lidhet gja“. Në darkë te gjithë pjesëtarët e shtëpisë bashkoheshin rreth zjarrit.

I zoti i shtëpisë merrte një fije leshi të zi dhe e lidhte për varg me nga një nyje, duke thënë këto fjalë: “Lidhe Zot nata e Mojt e Dita e Verave! Unë pak e Zoti shumë! Po lidhim shtrigat. Kështu përsërit këtë veprim për secilin shpirt damtues, sëmundje, krimba e kahdo që don me lidhë”.

Dita e Verës është festuar tradicionalisht në qytetin e Lezhës. Në natën e vigjiljes së festës ndizeshin zjarre në oborre dhe në kopshtie. Gratë lezhiane organizonin rite magjike kundër qenieve dëmtuese dhe grabitqare.

Nata e Mojt (Nata e Motmotit) në fshatrat të Pukës ka të njejtin kuptim me Ditën e Verës, ose “Dita e Verave“, siç quhet aty, dhe është një festë që përkujtohet gjatë periudhës së kreshmave. Një ditë më parë, njëri nga pjesëtarët e familjes shkon në pyll dhe mbledh një lloj bime kacavjerrëse, e cila quhet kurpën, të cilat thurin për pjesëtarët e familjes dhe i vendosin si kurora mbi kokë.

Fëmijët kanë mbledhur gjatë ditës lule pashke, të cilat janë lulet e para që kanë çelur dhe i vendosin rreth e rreth kurorës. Njëri nga pjesëtarët e familjes shkon në arë, ose në një lëndinë dhe shkul një plis bari të bleruar, të cilin e vendos te dera e shtëpisë.

Gjatë ngrënies së darkës, plisi vendoset në sofrën e bukës dhe pjestarët e familjes kalojnë njëri pas tjetrit, duke bërë kryq me dorën e djathtë dhe këmbën e djathtë e vendosin mbi plis në formë kryqi, duke iu lutur Zotit për ndihmë.

Pasi mbarojnë ceremoninë, plisin e nxjerrin jashtë dhe e vendosin përsëri atje ku e kanë marrë, duke hedhur brenda kokrra misri dhe fasuleje, që të kenë sa më shumë bereqet.

Në trevat e Krujës, Dita e Verës përkujtohet një ditë më parë me ndezjen e zjarreve, ku njerëzit kërcejnë dhe këndojnë përreth tyre. Dita e Verës në qytëtin e Krujës fillonte në mëngjes me vënien e veroreve fëmijëve të vegjël, të cilat ishin dyngjyrëshe: e badhë dhe e kuqe. Dreka hahej zakonisht jashtë shtëpisë dhe në këtë ditë gatuheshin gjellët më karakteristike krutane, si: mish pule me qull, mish qingji, kurabie, sheqerpare etj.

Në fshatin Shëlli të Matit, në mëngjësin e datës 14 Mars, gruaja më e moshuar dilte jashtë shtëpisë dhe shkonte për të larë sytë e për të mbushur ujë në tri çezmat e fshatit. Gjatë kthimit ajo thyente tri degë arre, të cilat i lidhte së bashku dhe i fuste në një enë, ku ishte futur më parë uji i tri çezmave. Me këtë ujë ajo spërkaste të gjithë pjestarët e familjes së saj, duke u bërë edhe zgjimin e tyre.

Festimi i Ditës së Verës në Shqipërinë e Jugut

Në qytetin e Korçës përgatitjet për festimin e Ditës së Verës fillojnë që më 13 mars. Femijët dalin nëpër mëhalla dhe bëjnë garë kush e kush të mbledhin sa më shumë shkarpa, që ta bëjnë zjarrin sa më të madh. Pas ndezjes së flakëve të rinjtë përpiqen që të kapërcejnë e zjarrit.

Nënat dhe gjyshet korçare nëpër banesat e tyre përgatitin kuleçët, kurse fëmijët dalin në rrugë me vezë të ngjyera me bojë të kuqe dhe vendosin nëpër duar veroret. Në datë 14 Mars, nëpër fshatrat dhe në qytetin e Korçës, beqarëve djem e vajza, u jepej një si rreth dore a varëse, e bërë me fill të tjerrur të kuq e të bardhë, e cila u lidhej nëpër duar.

Në fund të ditës, vajzat i linin ato në degë peme ose në shkurre. Mendohej se zogjtë i merrnin ato verore për të bërë fole dhe besohej se vajza do të martohej brenda vitit. Besimtarët bektashinj korçarë e heqin veroren në datë 22 Mars, që është Dita e Sulltan Nevruzit dhe e vendosin atë në pemët e Teqesë së Turanit, një fshat që ndodhet afër Korçës, ose e heqin sapo shohin dallëndyshen e parë. Ata që nuk shkojnë në teqe, veroren e hequr e vendosin mbi një shkurre a pemë.

Në mbrëmjen e 13 marsit, në qytetin piktoresk të Pogradecit fillojnë përgatitjet për festën e Ditës së Verës. Fëmijët e vegjël dhe të rinjtë dalin nëpër lagjet e qytetit, ndezin zjarre dhe vendosin verore nëpër duar. Banorët e Pogradecit bëjnë vezë të ziera për Ditën e Verës, të cilat i lyejnë me ngjyrë të kuqe.

Në krahinën e Skraparit, ashtu si edhe në disa krahina veriore të Shqipërisë, si në Dibër, Tropojë etj., një ditë para festës grumbulloheshin dëllinja, të cilave u vihet flaka në mbrëmje, për të bërë sa më shumë flakë dhe tym. Me tymin i jepet lamtumira së vjetrës dhe të këqijave, ndërsa fëmijët këndojnë e hedhin valle rreth zjarrit.

Në Ditën e Verës fëmijëve u vendoseshin verore. Verorja hiqet nga dora kur shikohet dallëndyshja e parë. Gjatë heqjes së verores mendohet një dëshirë dhe më pas peri vendoset në degën e një peme, mbi një ferrë, ose mbi një degë trëndafili, me shpresën që një dallëndyshe do të vijë ta marrë për të ndërtuar folenë e saj dhe kështu besohej se do të realizoheshin dëshirat e menduara.

Në këtë ditë fëmijët shkojnë derë më derë duke kënduar këngë të krijuara enkas për Ditën e Verës, ndërsa gratë e shtëpisë iu jepnin si dhurata vezë të ngjyrosura. Në Ditën e Verës gratë skraparllije gatuajnë gjellët më të mira tradicionale të krahinës së tyre.

Në fshatin Frashër të Përmetit djemtë e rritur shkonin në pyllin më të afërt të fshatit të tyre dhe mbledhin degë dëllinje, degë të thata pemësh, të cilat i stivosnin në një kodër të lartë, që dominonte fshatin dhe u vinin flakën.

Gratë e moshuara u vendosin fëmijëve “veronjka“, të cilat ua lidhin në formë byzylyku nëpër duar, në qafë dhe në gishtërinj. Gjithashtu veronjkat ua vendosin edhe qingjave të porsalindur. Kurse mbi portën e shtëpisë ato vendosin degë thane të lulëzuara.

Në qytetin e Lushnjës Dita e Verës nuk festohet gjithmonë dhe vetëm në datën 14 Mars. Në atë qytet besimtarët ortodoksë e festojnë Ditën e Verës më 1 Mars, ndërsa myslimanët më 14 Mars. Atë ditë lushnjarët ziejnë vezë pule. Fëmijët e vegjël vijnë derë më derë duke këndur dhe duke përplasur dy gurë me njëri-tjetrin. Ata kërkojnë misra, ose vezë të ziera.

Në krahinën e Labërisë, një ditë para Ditës së Verës, disa djem të rinj shkojnë në pyll dhe mbledhin degë të njoma me gjethe të sapoçelura, barëra dhe lule mali. Në fshatrat Dukat e Tragjas mbledhin edhe degë ulliri, që qëndrojnë gjithnjë të blerta. Gratë e reja lyejnë e lajnë shtëpitë e tyre, përgatisin gatime të ndryshme dhe ëmbëlsira.

Në natën e vigjiljes së Ditës së Verës, një grua e re e shtëpisë qep një leckë të leshtë, duke besuar se kanë qepur në të të gjitha gjërat e këqija. Pasi e mbarojnë së qepuri leckën e leshtë, gratë e nxjerrin jashtë dhe i venë flakën, duke mërmëruar nëpër dhëmbë: “Si digjet rrecka nga zjarri, ashtu u djegshin të ligat e fëmijës sonë“.

Në Tërbaç dhe në Vranisht të Vlorës, rreckën e leshtë e venë në tym me gjithë gjilpërat, duke besuar se si po thahet kjo copë e leshtë në tym, ashtu do të thahen edhe gjarpërinjtë mbi tokë. Po atë ditë nënat labe marrin fëmijët e tyre dhe i çojnë në një vend ku ka bar të njomë të posaçelur.

Në vendin ku është nxjerrë plisi me formën e këmbës së djalit të vogël vendoset një dorë me miell ose disa thërrime buke dhe i mbulojnë përsëri me dhe. Fëmija e merr plisin që ka gjurmën e këmbës së tij dhe, pa bërë fjalë, e dërgon plisin në shtëpinë e tij. Me të mbërritur në shtëpi ai e vendos plisin pranë zjarrit që t’i vyshket bari.

Pastaj merr një gërshërë dhe fillon të presë fijet e barit deri sa t’i mbarojë të gjitha fijet. Duke e prerë barin, ai thotë: “Si del prej rrënjës së vjetër bari i njomë dhe nuk i humbet kurrë fara, ashtu edhe njerëzia dhe malli i shtëpisë sonë u shtoftë e mos u shoftë kurrë!“.

Në Golëmaj të Tepelenës fëmijët e vegjël, një ditë para festës, dilnin nëpër lëndina, apo buzë ndonjë përroi dhe mbledhnin manushaqe, lulebore, luledele etj. Me to ata bënin tufa me lule, të cilat i vendosnin në pragjet e portës a të dritareve për mbarësi. Djemtë më të rritur shkonin në pyll për të mbledhur dëllinja e degë dushku dhe me to ndiznin në darkë zjarre.

Ata bënin gara se kush do ta bënte zjarrin më të madh. Pasi shuheshin zjarret, njëri nga të rriturit merrte një tepsi dhe e mbushte me hirin e mbetur, të cilin e shpërndante rreth shtëpisë, duke thënë: “Ik, o ik, o sylyndri! Se t’i kripa syt‘ me hi!“. Në stallën e bagëtive barinjtë çonin një trung peme të mbushur me milingona dhe luteshin që viti i ri t’u shtonte bagëtitë, siç shtoheshin milingonat.

Dita e Verës ndër shqiptarët jashtë kufijve të Shtetit Shqiptar

Dita e Verës është festuar tradicionalisht edhe ndër shqiptarët e Maqedonisë, në krahinat fqinje me Dibrën, si në rrethinat e Strugës, Gostivarit, Kërçovës etj. Një nga ritualet më interesante në Ditën e Verës, te banorët e rrethinave të Gostivarit, është ai i larjes së fëmijëve me lule.

Sipas traditës vendore, mbushet një kovë me ujë nga burimi i fshatit, i cili përzihet me ujin e shtëpisë dhe ngrohet. Uji i ngrohtë hidhet në një govatë. Si govata ashtu dhe kova zbukuroheshin me lule të ndryshme, si lule jargavani, vjollcë, trandafila, karajfila etj. Me ujin e govatës bëhej larja e fëmijëve. Në këtë ditë gratë gostivarase përgatisin gatimet më të mira të kuzhinës së Gostivarit.

E veçantë, për atë ditë, është përgatitja e kurabive dhe e ëmbëlsirave të ndryshme. Gratë bëjnë edhe vezë të ziera, të cilat zbukurohen me ngjyra të ndryshme. Atë ditë gostivarasit organizojnë familjarisht pelegrinazhe, apo shëtitje jashtë qytetit dhe marrin me vete ushqime. Shëtitjet organizohen në vende malore, lëndina, ose në një fushë me gjelbërim. Gostivarasit tradicionalisht shkojnë në vendin e quajtur Uji i Tharët, pranë fshatit Balindoll.

Një nga aktiviteteve më popullorë në trevat Shqiptare të Maqedonisë janë daljet në natyrë, të cilat zhvilloheshin nëpër parqe dhe pika të tjera turistike. Për banorët shqiptarë të Shkupit vendi më i preferuar ishte Kalaja e qytetit. Këtë ditë bëhen edhe frekuentimet e “vendeve të mira”, siç janë disa shpella të njohura për efektet shëruese dhe fatsjellëse.

Janë të njohura Shpella e Vërtekicës, apo edhe ajo e Ujit të Kuq. Besohej se larja me ujin e shpellave, sidomos në Ditën e Verës, sillte pjellori dhe fat për gratë dhe shëndet për fëmijët e tyre. Në festën e Ditës së Verës gatuhen gjellë tradicionale të këtyre zonave, siç janë flia, që është një specialitet prej brumi të pjekur në saç, si edhe disa lloje ëmbëlsirash.

Në fshatin Veshallë (Tetovë) dhe fshatra të tjera shqiptare të Maqedonisë Perëndimore, Dita e Verës festohej me disa ceremoni të ndryshme dhe shoqërohej me rite të shumta. Vajzat të reja, të veshura me rroba të bukura, me këngë e valle të përcjella me def, mblidhnin nëpër lëndina gjelbërime të ndryshme, si lule thane, sythe shelgu, të quajtuara “maca”, sythe lajthie, të quajtuara “dash e dele” etj. dhe ktheheshin përsërish në shtëpitë e tyre duke kënduar.

Sipas një tradite të lashtë, në qytete dhe fshatra të Kosovës, si në të gjitha trevat e tjera shqiptare, është festuar Dita e Verës, apo “Dita e Verëzës“, siç quhet ajo në këtë krahinë. Kjo festë është e ngjashme me Ditën e Verës që festohet në qytetin e Elbasanit.

Ajo është festuar tradicionalisht edhe në krahinat në jug të Kosovës, si në komunën e Sharrit dhe në Opojë, me 19 fshatrat e saj shqiptare. Po ashtu ajo është festuar në lokalitete të tjera të qytetit të Prizrenit. Në malësitë e Sharrit, Verëza kremtohet më 13 dhe 14 Mars. Dita e 13 Marsit quhet edhe si Nata e Verëzës, ndërsa 14 Marsi si Dita e Verëzës.

Në mëngjesin e 13 Marsit, herët në mëngjes, të rinjtë ndezin zjarre në vende të caktuara. Pas dite ata sjellin në shtëpi dëllinja për të pastruar oxhaqet dhe, kur afrohen afër shtëpisë, thërrasin të zonjën e shtëpisë, e cila është duke përgatitur fli: “Oj e zota shpisë, sillu rreth tepsisë…” etj.

Gjatë ditës vajzat shkojnë nëpër vende të shenjta, që mund të jenë gurë, lisa, kroje etj. dhe kryejnë ceremonialin e thyerjeve të vezëve të zjera. Të gjitha këto rite përcillen me këngë kushtuar kësaj feste, me lutje për flokë të bukura, trup të bukur, për shëndet të mirë, bereqet të bollshëm etj., si, p.sh.,“Ori verës e lumja verës, dita parë e pranverës”.

Pjesë e festimeve në këto treva janë daljet e të rinjve dhe e të rejave në sheshe fshatrash, në bjeshkë, mbledhja e luleve të para, këndimi dhe vallëzimi, ndezja e zjarreve dhe gatimet speciale. Në këto anë me blegtori të zhvilluar, ndër ushqimet e shumta që shtrohen në sofër, janë mishi i qengjit dhe flija. Kjo festë bëhet me besimin se Dita e Verëzës sjell fat, shëndet, mbarësi, përtëritje dhe dashuri njerëzore.

Në Filat të Çamërisë Dita e Verës festohet në çdo shtëpi dhe në çdo familje. Një natë para festës, nënat iu bëjnë fëmijëve të vegjël tatuazhe me këna në duar dhe në gishtërinj. Në mbrëmjen e 13 marsit nënat, pasi venë fëmijët në gjumë, u vendosin pranë jastekut rroba të reja të përgatitura enkas për atë ditë dhe kur fëmijët zgjoheshin të nesërmen, që ishte 14 Marsi, Dita e Verës, ata u gëzoheshin si festës, ashtu dhe rrobave të tyre të reja.

Në mëngjes herët, gra të moshuara dalin në dritaren e shtëpisë dhe i këndojnë këngë “Marsit”. Më 14 Mars familjarët, fëmijë dhe të rritur, dalin në oborrin e shtëpisë, ose në lëndina dhe shtrohen për të ngrënë. Fëmijët e vegjël lozin me njëri-tjetrin, duke u shtrirë në barin e njomë e duke kërcyer kollotumba. Fëmijëve u kishin vendosur në kyçin e dorë verore, të cilat në Filat u thonë “Marse”.

Në disa katunde arbëreshe të Italisë së Jugut, Dita e Verës, e cila quhet “Pranvera arbëreshe“, kremtohet me madhështi. Grupe artistike dalin në qendër të katundit dhe organizojnë shfaqje të ndryshme me këngë dhe valle. Për të parë dhe festuar bashkërisht me muzikantët dalin nëpër rrugë edhe banorët e fshatit.

Disa prej tyre nxjerrin në portat e shtëpisë pije dhe ushqime tradicionale, të cilat janë të përgatitura enkas për këtë ditë dhe ua afrojnë me bujari kalimtarëve që ecin pranë shtëpisë së tyre dhe marrin pjesë së bashku me ta në valle dhe këngë. Gratë dhe vajzat e reja janë të veshura me rrobat e tyre më të bukura të veshjeve tradicionale arbëreshe.

Arbëreshët lozin valle nëpër katundin e tyre, i cili atë ditë është i mbushur edhe me vizitorë të huaj. Ata venë në pah vlerat më të mira të traditave arbëreshe, duke theksuar krenarinë për kulturën tradicionale, historinë, rrënjën dhe identitetin e tyre.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here