“Iriqi” te “Flutura në Kabinën time”:Si e mësoi Çim Xhepa Saurelin në film

0

 

 

Intervistoi Dritan Laci

Për shumëkënd ndoshta emri i tij vjen si i largët, por nëse do ju kujtoja personazhin e Iriqit te ekranizimi “Flutura në Kabinën time”, me siguri që do të kujtoheshit menjëherë për djalin e vogël me flokët e ngritura si gjembaç, që çdo ditë bënte rrugën me Saurelin e Tomës.

 

E pra ai djalë i vogël sot është bërë burrë dhe gjembat mbi kokë i janë zbathur, siç ai humor do të na përshkruajë në këtë intervistë të tijën të parë, 28 vite pas filmit. Ku ekskluzivisht për Opinion.al nga Afrika e Jugut, aty ku jeton dhe punon prej 20 vitesh, na sjell momentet më pikante të xhirimit të filmit me aktorët Ndriçim Xhepa dhe Luiza Xhuvani.

Si e mësoi Çim Xhepa Saurelin në film? Zullumet e Çimit deri sa mësoi Saurelin dhe kostoja që shpenzoi Kinostudio për të paguar Parkun e Laçit për Saurelat e dëmtuar? Si e pikasi Artur Gorishti “Iriqin” dhe refuzimi ditën e fundit të nisjes? Këto dhe të tjera detaje nga xhirimet në filmin “Flutura në Kabinën time” mund ti lexoni në intervistën e mëposhtme te realizuar nga Opinion.al me aktorin Bledar Xhani.

 

Bledar pershendetje. Edhe pse kanë kaluar 28 vite nga shfaqja e filmit, “Flutura në Kabinën time”, vazhdon të ruajë të njëjtin sukses si në fillim. Kjo jo vetëm prej protagonistëve kryesorë, por edhe personazhit të “Iriqit”. Në fakt si erdhi përzgjedhja juaj në këtë film. Si u pikasët për të qenë pjesë e setit të xhirimit?

Unë jam rritur në Tiranë të Re pranë stadiumit Dinamo. Si shumica e fëmijëve të brezit tim kam qenë shumë i lëvizshëm dhe pas shkolle fillonin lojërat nëpër lagje. Një ditë para pallatit ku unë banoja po kalonte Artur Gorishti (asistent/regjisor) në “Flutura në kabinën time”. Ai binte në sy nga flokët e gjata që ishin jo të zakontë për kohën që jetonim.

Për ne ai ishte shumë i njohur për rolin e tij tek “Dora e ngrohtë”. Si mistreca që ishim filluam të bërtasim: “Bishti i qenit, bisht qeni mbetet…”. Në këtë moment Turi kthehet nga unë dhe mi ngul sytë. U tremba sepse mendova se do më fuste ndonjë shkelm të pasmeve. Por ai qeshi dhe më pyet “A ke qejf të luash film??

 

Dhe ti çfarë i the…

Jo,- i them unë, dhe iki. Në atë kohë unë kam qenë në shkollë tek “Emin Duraku” në mos gaboj në klasë të pestë. Turi vjen në shkollë me gjithë Mehmet Xhelilin asistent regjisorin tjetër  dhe zgjedhin nja 20 çuna. Mua nuk me zgjedh por më vjen në bankë dhe më thotë “Nesër do ikim bashkë në Kinostudio”

Unë ndërkohë isha marrë shumë me futboll dhe basketboll në atë moshë por kam qenë angazhuar edhe në konkurse ndërmjet shkollave që bëheshin në TVSH. Kështu që kisha “eksperiencë”  para kamerave.

Gjihashtu shoku im i ngushtë i fëmijërisë Besnik Leskaj më kishte marrë disa herë në ndonjë rol  me radiodramatizimet e “Radio Tiranës” nga që ai ishte i përhershëm në rolet e pionerëve

 

Dhe si vazhdoi më tej… ?

Shkoj në Kinostudio. Sikur të mos mjaftonte veshja pothuajse e njëjtë me të tjerët, Turi kishte gjet 15 çuna që ngjanin me njëri tjetrin. Regjisori na lexoi një pjesë të vogël të skenarit. Aty ne duhet të imagjinonim dikë (Tomën ) i cili ishte në distancë të largët dhe ne duhet ta thërrisnim. Filluan ulërimat një e nga një.

Kur më erdhi radha mua, unë fillova… Ejjj Tome… Tome… Pastaj fishkëlleva me sa kisha ne kokë. Kjo i pëlqeu me sa duket Vladimir Priftit regjisorit dhe të nesërmen më bëri kinoprovën. Fitova rolin dhe Turi me erdhi në shtëpi.

 

Dhe pikërisht këtu lind ajo historia ku ti refuzove të shkoje në xhirim…

Turi erdhi në shtëpi pasi duhet të merrte leje të prindërit pasi xhirimet zgjasnin 7 muaj. Pasi mori bekimin e  prindërve ditën që ai vjen për të më marrë për tu nsiur në Krujë, unë i them leje se nuk e kam më me qejf filmin. Ai u mërzit shumë po se dha veten.. “Po hajde nja dy ditë, -më tha,-  se ka gallatë”

 

Si ishte takimi yt i parë me aktorët dhe si vazhduan xhirimet?

Kur nisemi për xhirime aty u njoha me Çimin dhe Lizën. Kur s’kisha xhirime shkova ca kohë në shkollë. Unë shkollën gjatë asaj kohe e kam bërë në Krujë, Lezhë, Shkopet… Shkollë i thëncin… Në Shkopet psh shkolla ishte me beze dhe dërrasë të zezë si një godinë e madhe….

 

Një nga detajet më interesante që më ke rrëfyer jatë xhirimeve ishte Saureli i Tomës…

Çimi ndërkohë mësonte ti jepte Saurelit. Madje si kalama që isha mësova edhe unë frenat, marshet, freksionin. Madje edhe kafen dhe fërnetin.

 

Po a e mësoi Çimi Saurrelin?

Po e mësoi, por pasi bëri ca zullume dhe i kushtoi Kinostudios dhe Parkut të Laçit një sasi të konsiderueshme monetare…Madje mund tju tregoj që skenat brenda kabinës janë bërë në studio në ambientet e Kinostudios. Çimi pershembull kishte një zakon që i shtonte vetë batutat dhe skenat nga skenari

 

Por për marrëdhënien me Luizën, apo mësuese Fluturën ç’mund të më thuash?

Luiza më mbante shumë afër dhe më ndihmonte shumë. Madje edhe më mësimet e “shkollës”. Luiza u thoshte të gjithëve nëpër rrethe se më kishte vëlla të vogël.

 

Por sigurisht që personazhi që ngjiti në film ishte “Iriqi”….

Flokët i mbaja të gjata për kohën dhe mi priste dhe xheloste Dashi para xhirimeve. Mos më shikoni tani që më kanë rënë. Grupi i xhirimeve kishte rreth 50 vetë dhe mua më donin dhe më mbanin me kimet si më i vogli. Nuk bënim shumë dubla pasi Liza dhe Çimi më bënin prova përpara se të kishim xhirim.

 

Një nga pjesët që ka mbetur në kujtesën e ndjekëve të filmit, është finalja, ku ju shikoni me inat Tomën…

Në pjesën ku unë marr inat Çimin duhet të qaja. Por s’më vinte për qamet. Atë ditë duhet të ktheheshim në Tiranë dhe unë po i vonoja shumë. Më në fund Dashi (Dashamir Turku piktori grimier) se ç më futi diçka në sy dhe loti vuu. Ajo skenë për habinë time ka qenë skena e parë që unë kam xhiruar ndonëse në film ishte e fundit….

 

Sigurisht që ngacmimet me përfundimin e xhirimeve dhe daljen e filmit në kinema nuk munguan. Cila ishte ndjesia e të qenit papritmas i famshëm?

Ngacmimet filluan pas filmit. Shumica e shokëve më pyesnin për skenat e filmit, xhirimet, aktorët… “Tu ngritën gjembat iriq”; Këtë fjali e dëgjoja çdo ditë. Kishte momente që edhe bezdisesha nga ndonjë më i madh, kur bënte si shakator, por më shumë ndihesha mirë që isha bërë disi i famshëm..

Mbaj mend kur do dilte premiera e filmit vjen Çimi dhe më thërret poshtë pallatit. Ngiste një biçikletë rrangalle. Zbres, më jep ca bileta dhe më thotë shihemi në Kinema “Partizani”. Ai ishte shumë i famshëm por shumë i thjeshtë.

 

Si mbeti marrëdhënia juaj me aktorin Ndriçim Xhepa, a patët me seanca me ponç dhe fërnet?

Ndonëse kemi vite pa u parë kemi miqësi. Vite pas filmit më merr si figurant të filmi  “Përdhunuesit” Xhirimet bëheshin te Disco Albania. Pas xhirimeve kishim seanca të gjata ponçi dhe fërneti..

 

Sigurisht që të gjithë ata që po lexojnë këtë intervistë, duan të dinë edhe cila është jeta e “Iriqit” sot?

“Iriqi” sot jeton në Afrikën e Jugut. Kam pothuaj 20 vite që jetoj dhe punon këtu. Kam jetuar në Johanesburg, Cape Toën, Durban. Në fillim erdha për një vizitë të shkurtër. Më pëlqeu dhe thashë po rri një vit.

Çdo vit vit them do rri edhe një vit.. Tani kam tre vajza. Marinën 4 vjeç. Lena 3 vjeç dhe Izabela 10 muajshe. Partnerja ime quhet Candice. S’jemi të martuar por do bëjmë edhe dy fëmijë dhe pastaj të shikojmë…

 

Kam biznesin tim, një night club. Deri para dy muajsh kisha edhe një kafeteri por kriza ekonomike na bëri që ta mbyllim për momentin.. Pëlqej shumë rugbyn. Këtu ku jetoj skuadra lokale quhet The Sharks. Ndërsa Springboks është Kombëtarja e Afrikës së Jugut. Vij shpesh në Shqipëri.

 

Dhe së fundmi, do të donit ti riktheheshit skenës së xhirimit të një filmi?

Pas “Flutura në Kabinën time” unë kisha edhe një mundësi për të luajtur në një film. Ishte regjisor Spiro Duni ai që më tha,  por unë nuk pranova. Ju përkushtova futbollit. Luajta me Spartakiadat e shkollave dhe me Dinamon. Dola futbollist i dështuar. Edhe pse zemrën e kisha te Partizani. Por ku i dihet….

 

/Opinion.al

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here