Nga Anta Muçaku
Një vit më parë, me shumë emocion, një mëngjes, lexova te penëarti Ilir Kadia se Rexhep Çeliku ia kishte dalë të triumfonte mbi sëmundjen e rëndë dhe do ngjitej sërish në skenë në 60 vjetorin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.
U gëzova po aq, që ai lajm ishte edhe një nga lajmet më të lexuara atë ditë, jo për klikimet që mund të mendojë ndonjë mendjengushtë por për faktin që lexuesit shfaqën interes masiv për të ditur gjendjen e njeriut që me vallet e tij, ngriti peshë zemrat e gjithkujt.
Por ç’më mbeti më së shumti në mendje ishte fakti që për t’u kuruar nga sëmundja e rëndë, ashtu me flokët e rënë e fytyrën e imët, i mbledhur e i dobësuar për të mos e besuar, siç e përshkruante Ilir Kadia, artisti i madh lekët për kurimin e shtrenjtë, vite më parë, shkonte e i merrte te sportisti i ndjerë Muhamet Malo, ndërkohë që shteti ynë s’duhej ta kishte lënë të trokiste në asnjë derë për ato para.
Është e trishtueshme të shohësh se si artistët lihen në mjerim edhe në momentet e fundit të jetës. Nga institucionet tona, Rexhep Çeliku mori veç një dekoratë, së cilës mundi t’i gëzohej veç katër ditë ndërsa me zërin që i dridhej deri në fund, falenderoi aq përulësisht publikun e kolegët.
Fill katër ditë pas ceremonisë së dekorimit, më 12 janar 2018 “Shqiponja Fluturuese” mbylli sytë… Nëse s’je politikan, biznesmen a i korruptuar, jeta në këtë vend të këputet në mes, pavarësisht sa larg ke fluturuar e sa shpirtra ke çuar lart me punën e artin tënd!